Alarm për bombë në disa shkolla në Shkup dhe Kumanovë

12:38 | 15 Dhjetor 2022
E.H

Dy shkolla në Komunën e Aerodromit në Maqedoninë e Veriut mëngjesin e sotëm janë kërcënuar me bombë, bëhet fjalë për shkollën “Aleksandar Makedonski” dhe “Llazo Angellovski”.

Alarme për bomba edhe në disa shkolla të komunës së Çairit, mes tyre dhe Shkollën Fillore “Kongresi i Manastirit”.

Nxënësit, mësimdhënësit dhe të punësuarit e tjerë janë evakuuar dhe për momentin policia po kryen kontrolle të detajuara.

Alsat mëson se edhe në adresën elektronike të gjimnazit Zef Lush Marku ka arritur një e-mail kërcënues, për vendosjen e mjeteve shpërthyese.

As gjimnazi i Kumanovës “Sami Frashëri” nuk mbetet imun ndaj kërcënimeve me bomba.

Mëngjesin e sotëm në adresën elektronike të kësaj shkolle ka arritur kërcënim për bombë të vendosur.

Kreu i komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski ka bërë të ditur se 10 shkolla në Kumanovë kanë marrë denoncime për bomba.

“Ekipet e SPB-Kumanovë janë në terren dhe po ndërmerren masa për zbardhjen e rasteve. Nxënësit dhe mësimdhënësit janë evakuuar në mënyrë të sigurt dhe prindërit dhe qytetarët duhet të jenë të qetë. Gjatë ditës së djeshme në komunë kemi pasur një takim koordinues për ballafaqim me situata krize dhe për marrjen e masave”, tha mes tjerave Dimitrievski.

Pas alarmeve të shumta për bombë në shkollat e mesme, qendrat tregtare dhe institucionet shtetërore, së fundmi cak i këtyre kërcënimeve janë edhe shkollat fillore./alsat.mk/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme