Policia e Maqedonisë së Veriut ka zhvilluar një sërë aksionesh policore në disa pjesë të vendit në dy ditët e fundit, përfshirë bastisje në shtëpitë e ish-zëvendëskryeministrit, Artan Grubi, dhe ish-drejtorit të Lotarisë, Përparim Bajrami.
Komuna e Çairit, Haraçinës, Shuto Orizares, Butelit, janë ndër 30 lokacionet ku janë realizuar kontrollet dhe bastisjet, si dhe janë arrestuar disa njerëz, përfshirë anëtarë të klaneve të drogës, të cilët akuzohen edhe “për kryerjen e krimeve të rënda me porosi”.
Prokuroria publike tha se ka lëshuar urdhër për hetimin e 18 personave të dyshuar, 14 prej të cilëve “si porositës, ndihmës, dhe kryerës të drejtpërdrejtë të veprës penale vrasje. Nga këta, 12 persona të janë të dyshuar edhe për veprën penale bashkim kriminal, ndërsa 5 për vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”.
Ajo tha se katër personat e tjerë akuzohen për “zhvatje”.
Prokuroria shtoi se autoritetet janë në kërkim edhe të gjashtë personave, pasi dyshohet se ata kishin marrë informacion për aksionin para se policia ta merrte urdhrin për bastisje.
Bastiset shtëpia e Grubit dhe e ish-drejtorit të Lotarisë
Mëngjesin e 16 dhjetorit, Policia e Maqedonisë së Veriut, në kuadër të hetimeve për krim të organizuar në Lotarinë Shtetërore, vazhdoi bastisjet në shtëpitë e ish-zëvendëskryeministrit Grubi dhe ish-drejtorit të Lotarisë, Përparim Bajrami.
Aksioni ka të bëjë me blerjen e pajisjeve për Lotarinë Shtetërore, me vlerë mbi 8 milionë euro.
Sipas Prokurorisë Publike, Grubi dhe Bajrami, dyshohen për veprën penale, përvetësim në detyrës, ndërsa katër persona të tjerë për veprën penale, keqpërdorim i pozitës zyrtare.
Nga provat e mbledhura, sipas Prokurorisë, Përparim Bajrami, si person përgjegjës për organizimin e lojërave të fatit, Lotaria Shtetërore e Maqedonisë së Veriut, gjatë vitit 2023, së bashku me zëvendëskryeministrin Grubi, nëpërmjet ushtrimit të kompetencave dhe detyrave të tyre të veçanta, kanë marrë pjesë në veprime që kanë shkaktuar dëme në vlerë rreth 8 milionë euro në buxhetin e shoqërisë aksionare.
Policia ka kryer kontrolle në nëntë lokacione, në koordinim me prokurorin publik dhe gjykatësin e procedurës paraprake.
Grubi dhe Bajrami nuk kanë qenë të pranishëm në lokacionet që u kontrolluan nga policia.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski tha të hënën në TV21 se ish-zëvendëskryeministri Grubi, së bashku me një biznesmen shkuan nga Maqedonia e Veriut në drejtim të Kosovës në një veturë të dielën.
Ndërkohë, gjatë ditës së diel, Grubi njoftoi se nuk ka ikur, por se ndodhet jashtë vendit për një vizitë private.
“Kam udhëtuar me dokumentet e mia dhe sigurimi im personal policor është i njoftuar. Unë sapo t’i kryej obligimet, do të kthehem në shtëpi, pranë familjes. Ju lutem mos shpifni dhe spekuloni”, shkroi Grubi në një postim në Facebook.
Artan Grubi, pas futjes në listën e zezë amerikane ditë më parë, është tërhequr edhe nga jeta politike e publike.
Grubi e ka mohuar të ketë qenë i përfshirë në korrupsion.
Më 11 dhjetor, Prokuroria e Shkupit gjithashtu njoftoi se ka nisur hetim kundër Grubit, dhe gjykatësit të Gjykatës së Apelit, Enver Bexheti, me qëllim që, siç tha, të vërtetojë nëse kanë përgjegjësi penale, pasi Departamenti amerikan i Shtetit i akuzoi ata se ishin “përfshirë në korrupsion të lartë dhe kanë pranuar ryshfet për të penguar” proceset gjyqësore lidhur me dënimin e Sasho Mijalkovit, ish-drejtor i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK).
Ndërkaq, ditë më parë, Mickoski paralajmëroi se në periudhën në vijim, “do të ketë dhjetëra raste të tilla”, duke iu referuar kështu aksionit policor me nofkën “Aditiv”, ku u arrestuan dhjetëra persona, mes tyre ish-udhëheqës të Elektranave (EMV), Postave të Maqedonisë së Veriut dhe termocentraleve (TEC) në Manastir, Osllomej dhe Negotinë.
Ata dyshohen për shpërdorim të thirrjes publike për prokurimin e aditivëve, duke shkaktuar një dëm prej 6.5 milionë eurosh./rel
Dëmtohen disa vazo lulesh në varrezat e fshatit Bresje, poli...
Brazili do të ndalojë përdorimin e celularëve në shkollat fi...
Deri në 90 minuta pritjet për të hyrë në Kosovë nga Dheu i B...
Parashqevi Simaku dërgon mesazh të paharrueshëm nga New York...
Parashikimi i motit në Shqipëri, si do variojnë temperaturat...
Australi, lëshohen urdhra të evakuimit në shtetin Victoria p...