Serbia pas përjetimit të gjashtë luftërave në shekullin e 20 nuk ka më njerëz dhe fëmijë për luftën e shtatë sepse ajo luftë e re do të ishte fundi i këtij vendi, ka thënë akademiku serb Dusan Kovacevic.
Ai ka shtuar se qëllimi i çdo dialogu të cilin e zhvillojnë politikanët në emër të qytetarëve duhet të jetë parandalimi i luftës në të cilën do të vdisnin fëmijët serb.
Njëri prej intelektualëve më të spikatur serb nuk ka dilema rreth çështjes së përkrahjes thirrjes së kryetarit serb Aleksandar Vucic për dialog të gjerë mbi Kosovën.
“Ky propozim është pranuar nga të gjitha anët. Më kujtohet se kjo ide është shumë më e vjetër dhe se vetëm në shekullin e 20 është iniciuar disa herë. Prej tij u hoq dorë për shkak të luftërave, mosmarrëveshjeve dhe presioneve të forcave të huaja. Por, kjo që po ndodh sot është një nga momentet e fundit që kontesti në mes të popujve serb dhe shqiptarë të zgjidhet me rrugë paqësore”, është i bindur Kovacevic, transmeton gazetametro.net.
Dramaturgu më i vlerësuar bashkëkohor serb thirret në eksperiencën e vet diplomatike, nga periudha kur shërbeu në Portugali si ambasador i ish Serbisë dhe Malit të Zi të kohës së Milosevic’it famëkeq, dhe vlerëson se në thirrjen e Vucic’it për dialog ka ndikuar presioni shtesë i komunitetit ndërkombëtar.
“E di se çfarë do të thotë biseda në katër sy, takimi diplomatik përmbajtja e të cilit dërgohet në publik, por edhe si kryhen bisedimet konfidenciale, të cilat nuk i kumtohen askujt”, pretendon Kovacevic.
Ata që assesi nuk mund të kuptojë janë, siç thotë, njerëzit të cilët sot nga Beogradi bëjnë thirrje për luftë.
“Mua më qohen flokët përpjetë kur i dëgjoj njerëzit të cilët janë të rehatuar nëpër kolltukë në Beograd, dhe bëjnë thirrje për mbrojtje të Serbisë në çdo hap. Ata të cilët flasin, sot nuk mund të vrapojnë as 100 metra, kanë nevojë të hanë tri herë në ditë dhe të flenë dy herë në 24 orë. Nëse qëllon që i gjen lufta pasdite, ata nuk do të mund të marrin pjesë në të, sepse atëherë ata flenë. Nuk do të luftojnë ata, por do të luftojnë fëmijët tanë. Ata të cilët janë më të zëshëm në thirrje për mbrojtje të Serbisë kurrë nuk kanë luftuar e as që do të luftojnë”, thekson Kovacevic.
Për të, politika e jashtme e Vucic’it është e udhëhequr me parimin e kompromisit pragmatik dhe se ky kompromis të cilin e plason ai në politikën e jashtme gjithmonë nënkupton bisedime.
“Në dialogun brenda shoqërisë sonë duhet të propozojmë zgjidhje në mënyrë që kompromisi në mes të palëve shqiptare dhe serbe të shpie deri te platforma në të cilën askush nuk do të ndihet si humbës i madh. Besoj se ai i cili dëshiron të bëhet fitues i madh nuk do të fitojë asgjë. Do t’i humb të gjitha”, thotë Kovacevic.
Për komentet e presidentit të Shqipërisë për iniciativën e kryetarit serb, thotë:
“Kam lexuar se si nga Shqipëria porosisin se si ardhmëria e fëmijëve shqiptarë dhe serb është në bisedime dhe se më nuk duhet të ketë luftë. Populli shqiptar ka dëshirë që t’i bashkojë territoret në të cilët jeton, në federatë apo konfederatë. Për 20 apo 30 vite shqiptarët mund të jetojnë në territorin me popullatë më të madhe, nëse marrim parasysh edhe shtetet tjera në Ballkan. Nëse këtë tregim mbi Kosovën nuk e zgjedhim për pesë vite, do ta zgjedhim për 10 apo 20 vite me rrezik të përhershëm të fshehur se brenda natës të fillojë lufta. Mund të paramendojmë se dikush të vras tërë familjen e fqinjit, sepse ai është, për shembull, i fesë tjetër. Dhe çfarë më tutje? Ja arsye për luftë”, paralajmëron Kovacevic.
Çdo bisede e vështirë dhe e stërzgjatur është më e mirë se cilado luftë, përsërit ai.
“Kemi pasur atë luftë kur u shpërbë Jugosllavia. Më shumë se njëqindmijë njerëz të vdekur dhe dy milionë të zhvendosur… Kujt i nevojitet edhe ndonjë luftë? Hajde për ndryshim të bëhemi të mençur dhe me bisedime dhe negociata t’i mbrojmë interesat tona”, përfundon Kovacevic.
100-vjetori i themelimit të Klubit të Futbollit Prishtina, K...
LDK shënon 35 vjetorin e themelimit, Abdixhiku: Lidhja ka qe...
Gjendet pa shenja jete një person në Zubin Potok
Kurti nesër merr pjesë në përurimin e rrugëve Dragash-Brod d...
Përveç rezultateve negative, Manchester United i del një pro...
Simeone trajneri i muajit në La Liga