Marrëveshja e Ohrit, Prespës dhe ajo për Fqinjësi të mirë me Bullgarinë janë alfa dhe omega e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në vend, si dhe vijat e kuqe që BDI nuk do t’i tejkalojë në koalicionimin paszgjedhor.
Me këtë porosi në intervistën për MIA-n ka dalë, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti i cili ka potencuar se nuk mund të ketë partneritet me dikë që ka qëllim apo bën përpjekje për shkeljen e këtyre marrëveshjeve, që siç tha, “i kanë relaksuar marrëdhëniet ndëretnike në vend”.
“Domethënë për ne Marrëveshja e Ohrit, Marrëveshja e Prespës, Marrëveshja për Fqinjësi të mirë më Bullgarinë janë vija të kuqe. Nuk mund të ketë partneritet nëse dikush synon dhe tenton të cenojë këto marrëveshje”, ka thënë Ahmeti i cili në intervistë është përqendruar edhe në moton me të cilën partia e tij merr pjesë në këto zgjedhje parlamentare- kryeministër i parë shqiptar.
Pse kjo ide e cila shkaktoi polemika në opinion- Ahmeti thotë se kjo është vazhdimësi natyrale në politikën që kanë udhëhequr, ose vendosjen e shqiptarëve në pozita të larta prej drejtorëve, ministrave, kryetar i Kuvendit…
Thotë se edhe në zgjedhjet presidenciale kanë dalë me propozim të tyre për shef të shtetit, por atëherë kanë vlerësuar se Pendarovski do të jetë kandidat i pranueshëm dhe plotësisht janë angazhuar që ai të merr mbështetjen.
“Ne bëmë hapin dhe tani është koha kur duhet ta na e kthejnë me të njëjtën. Këto hapa i kemi ndërmarrë në drejtim të qëllimit të mirë, të dërgojmë porosi deri te qytetarët dhe gjithë njerëzit se vendi përparon vetëm kur jemi në komunikim dhe bashkëpunim njëri me tjetrin, dhe jo kur jemi të ndarë apo përçarë”, ka thënë Ahmeti.
Konsideron se ideja për kryeministër të parë shqiptar është porosi e mirë edhe për rajonin dhe bashkësinë ndërkombëtare, sepse interesin e këtij shteti bashkë me maqedonasit e mbrojnë edhe shqiptarët si dy etnitete më të mëdha.
“Ky është përfitim i të gjithëve edhe i shtetit, por ne nuk dëshpërohemi nga këto deklarata apo prononcime, por i sinjalizojmë që të kenë kujdes, sepse këto deklarime janë të rrezikshme, pavarësisht a mendojnë ashtu. Dikush mund të thotë se është fushatë, por unë nuk i kapërdij aq lehtë, sepse më befasojnë edhe këta tanët bile, e përdorin kinse për të përmirësuar imazhin, nuk ka për çka e përmirëson imazhin BDI, nuk çka e begaton historinë e vet, sepse nëse ka parti politike me jetëgjatësi në këto hapësira pavarësisht se është krijuar në fillim shekullin e 21-të, BDI është me histori më të begatë si parti politike me përkrahjen më të madhe te shqiptarët dhe këtë veprim nuk e kemi bërë as për të rrit influencën as edhe që jemi frikësuar për ekzistencën”, ka thënë Ahmeti.
Ka shtuar se me vite bën përpjekje të shmanget parcializimi i votës shqiptare në vend në shumë parti pasi siç shton, “kështu humben mandate, humbet fuqia”.
“Koha tregoi se brengat e mia kanë qenë të drejta, para katër vitesh nga 29 mandate sa kanë pasur shqiptarët në Kuvend, kanë rënë në 20 mandate dhe me këtë nuk i humbi BDI zgjedhjet, por shqiptarët humbën nëntë mandate”, ka thënë Ahmeti.
Në vijim intervista e plotë e kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti.
Fushata zgjedhore është drejt fundit. Z.Ahmeti, me pak fjalë cilat janë pesë projektet kryesore me të cilat do të kërkoni votën e qytetarëve në zgjedhjet e 15 korrikut?
Tani projektet janë të shumta dhe më vendosni në situatë se cilat nga gjitha ato projekte t’i vendos në pesë, si që thoni ju, por me shumë rëndësi për ne do të ishte që të përfundojë projekti i nisur për gazifikimin e vendit, sepse nga ky projekt ka përfitime të shumta, sidomos do të ketë impakt të drejtpërdrejtë tek ruajtja e ambientit dhe tash pa marrë kohë, është një nga prioritetet e rëndësisë së veçantë. Poashtu edhe përmbyllja e Korridorit 8 i nisur por për shumë arsye teknike kohëpaskohe kanë pushuar punimet që është me shumë interes nga Kërçova deri Qafë Thanë dhe Ohër që ky projekt me punime mjaft të avancuara dhe me më shumë rreziqe për kalimtarët, poashtu shumë me rëndësi është edhe përfundimi i rrugës Shkup- Bllacë ku është vënë gurthemeli që është kërkuar, por për shkak të dallimeve mes palëve, gurthemeli është vënë, kompania që duhet të bëjë punët poashtu dhe kanë mbetur disa çështje kontestuese siç është ajo e pronave dhe shpresoj që edhe kjo pikë të mbyllet. Poashtu me rëndësi të jashtëzakonshme për ne është që të gjithë të pajtohen pavarësisht deklaratave për opinionin që japin është vetingu, një nga çështjet për të cilat ne insistojmë që në këtë vend të instalohet një veting i mirëfilltë pa prejudikuar dhe kërkuar qëllim hakmarrje, por në këtë vend të sundojë ligji dhe të mos ketë gjyqësi selektive dhe të ketë gjyqësi kredibile dhe të gjithë politikbërësit, ligjvënësit, ligj-zbatuesit të hyjnë në një skaner dhe për ne me shumë rëndësi është që të respektohen Marrëveshja e Ohrit, ajo e Prespës dhe Marrëveshja për fqinjësi të mirë dhe të hyjmë me mendje të ndarë dhe mirë-përgatitur e të kompletuar për zbatimin e standardeve që të bëjmë detyrat e shtëpisë dhe vendin ta anëtarësojmë më shpejtë në BE ashtu siç u anëtarësuam në NATO.
Në këto zgjedhje parlamentare, ideja juaj bartëse është kryeministri i parë shqiptar, një propozim që shkaktoi jo pak polemika në opinion. Ju keni dalë pra me emrin e Naser Ziberit për kryeministër të parë. Pse tani vendosët për këtë hap?
Ky projekt nuk është projekt që ka dalë aty për aty se ju kujtua dikujt me të gdhirë në mëngjes. Ky projekt daton që më 17 dhjetor të vitit 2009 në Kongres ku janë dhënë si qëllim apo synim 12 funksionet e larta të shtetit ku shqiptarët asnjëherë nuk kanë pasur qasje, nga presidenti deri te drejtori i sigurimit të shtetit dhe ne kemi shkuar tani hap pas hapi duke i realizuar të gjitha ato pika që i kemi pasqyruar. U bë ministri i Mbrojtjes, ai Punëve të Brendshme, kryetari i Kuvendit, Avokati i Shtetit, Avokati i Popullit, kryetari i gjykatës supreme, asaj kushtetuese, pa më zënë për fjalë për vitet, sepse më herët kanë filluar kryetari i Gjykatës kushtetuese, ai i Avokatit të Popullit, i Shtetit, ministri i Mbrojtjes dhe Brendshme dhe të gjithë kanë qenë të suksesshëm dhe kjo ka qenë strategjia e BDI-së dhe ne strategjitë e brendshme nuk i vendosim në treg për t’i parë njerëzit se kur do nxjerrim çështje të cilat ne i kemi analizuar mirë dhe ne vlerësojmë momentin e duhur, një ide si do të dalë në sipërfaqe dhe ne kemi gjetur momentin e duhur kur me herët shtruam si çështje presidentin konsensual dhe kemi punuar me sinqeritetin më të madh për këtë ide, kam folur me dyja partitë maqedonase aso kohe për këtë ide, sa ka aty 7-8 vite mirëpo nuk kishte gatishmëri asokohe dhe ne nuk morëm pjesë në atë proces dhe Ivanovi u zgjodh njëanshëm. E kemi kontestuar njëanshmërinë e tij sepse ai nuk dha prova që i ofron komunitetit si përfaqësues i denjë i shtetit dhe koha dëshmoi se parashikimet tona u vërtetuan gjatë veprimtarisë së tij. Tani në zgjedhjet e fundit për kryetar shteti kemi biseduar shumë hapur me partnerin e koalicionit dhe kemi menduar gjithmonë edhe atëherë edhe kur është zgjedhur Ivanovi dhe tani kur është zgjedh Pendarovski, kemi biseduar hapur me partnerët asokohe më Gruevksin asokohe po dhe Zaevin asokohe edhe pse ishte në opozitë, dhe isha i gatshëm të bëjë partneritet lidhur me presidentin, por nuk kishte gatishmëri dhe u kam propozuar emër konkret, pra profesor universitar i cili sot mendoja se do të jetë figurë e pranueshme edhe për shqiptarët, por nuk ishte gatishmëri. Tani me zgjedhjen e Pendarovskit, përsëri propozuam personalitet nga jeta akademike, pati disa propozime, disa emra dhe vlerësuam se më i pranueshëm do të jetë z.Pendarovski dhe u angazhuam me sinqeritetin më të madh dhe më tepër e kemi bërë këtë për jehonën dhe mesazh si për qytetarët vendas, njashtu edhe për rajonin dhe komunitetin ndërkombëtarë, pasi në pamundësi është që në si shqiptar të zgjedhim kryetar shteti këtu sepse kryetari i shtetit zgjidhet me vota të drejtpërdrejta dhe nëse ka marrëveshje të tilla, ne japim prova, siç dhamë prova me z. Pendarovski. Ne e bëmë një hap dhe tani i vjen koha kur duhet të ma kthesh borxhin. Këto hapa i kemi bërë në këtë drejtim me qëllimin më të mirë që të japim porosi dhe mesazh si për qytetarët dhe gjithë njerëzit që vendi të ecë përpara duke qenë në komunikim dhe bashkëpunim me njëri tjetrin dhe jo për të ndarë e përçarë.
Kur jemi këtu, kryetari i LSDM-së Zoran Zaev në disa nga paraqitjet e tij në debate dhe tubime ka thënë se është e shëndetshme që BDI të shkojë në opozitë me qëllim për t’u reformuar nga brenda? Por ai më pastaj nuk përjashtoi koalicionimin me BDI-në pas zgjedhjeve, por vetëm nëse hiqni dorë nga ideja e kryeministrit shqiptar. Cili është vlerësimi juaj rreth kësaj?
Nuk e kam menduar se kjo do i frikësojë aq shumë kolegët e mi maqedonas. Dalja dhe futja në garë e BDI-së për kryeministër interesant më kanë befasuar dhe më kanë dëshpëruar dhe në një farë forme tamam kështu paraqitje hegjemoniste, përse të mos them paksa me ngjyrime fashiste, kur thotë, unë jam kryeministër, nuk mund të jetë kryeministër tjetërkush, kjo është garë e hapur , kjo është e drejtë legjitime, e drejtë e natyrshme, ne jemi shtetas të këtij shteti, ne kemi historinë tonë këtu, ne kemi trashëgiminë tonë këtu, ne jemi bashkëpronar në këtë vend… Kur i bëjnë deklarimet e tilla mund të mos jenë të vetëdijshëm se çfarë në thelb apo brendi përmbajnë këto deklarime, por këtyre u vjen erë dhe ngjyrë goxha e rëndë dhe shpresoj që ata të reflektojnë dhe nuk është mirë dhe është çështje hegjemoniste të thuash që unë të japë t’i 13 mandate deputetësh dhe bëje qeverinë e pakicës, që të mos kushtëzohesh nga shqiptarët dhe kjo nuk mund të kualifikohet ndryshe përveç se përpjekje për të vendosur hegjemonizëm sepse nga hegjemonizmi kanë pësuar popujt e ish Jugosllavisë dhe ju jeni të ri, por politikat hegjemoniste kanë qenë ata që e kanë demoluar dhe shkatërruar një shtet të tërë këtu në Ballkan dhe duhet të jemi shumë të kujdesshëm, sepse përkrahjen ne e krijojmë vet, sepse edhe ne i dalim zot këtij shteti dhe ne jemi bashkë në këtë shtet për t’i çuar proceset përpara, është një porosi e mirë edhe për vendet e rajonit dhe vendet fqinje dhe ndërkombëtarët, kjo garë me një kryeministër shqiptar- pra porosia për rajonin madje është që interesat e këtij shteti i mbrojnë bashkë si maqedonasit dhe shqiptarët si dy etnitete më të mëdha dhe kjo është dobia e të gjithëve edhe e shtetit, por ne nuk dëshpërohemi nga këto deklarata apo prononcime, por i sinjalizojmë që të ketë kujdes sepse këto deklarime janë të rrezikshme, pavarësisht a mendojnë ashtu. Dikush mund të thotë se është fushatë por unë nuk i kapërdij aq lehtë, sepse më befasojnë edhe këta tanët bile, e përdorin kinse për të përmirësuar imazhin, nuk ka për çka e përmirëson imazhin BDI, nuk çka e begaton historinë e vet, sepse nëse ka parti politike me jetëgjatësi në këto hapësira pavarësisht se është krijuar në fillim-shekulli të 21, BDI është me histori më të begatë si parti politike me përkrahjen më të madhe te shqiptarët dhe këtë veprim nuk e kemi bërë as për të rrit influencën as edhe që jemi frikësuar për ekzistencën. Nuk është aq lehtë shqiptarët të harrojnë historinë e vet dhe bartëse e historisë në dy dekada dhe historisë më të re të shqiptarëve të Maqedonisë është UÇK dhe BDI si vazhdimësi por e organizuar në një front apo lëvizje politike në drejtim të zbatimit dhe materializimit të idealeve dhe misioneve të Rilindjes Kombëtare dhe gjithë atdhetarëve e patriotëve që kanë dhënë kontribut të madh në këtë vend.
Ju jeni bartës i Njësisë zgjedhore gjashtë. Atje bashkë me ju garojnë edhe z.Sela dhe z.Kasami (ky i fundit është në koalicion parazgjedhor me partnerin e tuaj të deritashëm LSDM). Cilat janë pritjet e juaja në lidhje me ndarjen e votës, sepse ju në vazhdimësi keni alarmuar mbi parcializimin e votës shqiptare. A do të ndodhë kjo edhe këtë herë?
Kjo është për keqardhje, ka disa vite që po bëj përpjekje deri në përulje që shqiptarët të mos jenë të ndarë e të parcializuar në shumë parti, sepse po humbin mandate, po e humbin forcën, po e humbim fuqinë. Koha tregoi që shqetësimet e mia ishin të drejta para katër viteve nga 29 mandate sa kishin shqiptarët në Kuvendin e Maqedonisë, ra në 20 mandate dhe më këtë nuk i humbi Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) zgjedhjet, por i humbën shqiptarët nëntë mandate. Kështu që mendoj se pasoja do të ketë edhe tani ky parcializim, por do të jetë pak më ndryshe nga viti 2017 kur ishin zgjedhjet e fundit parlamentare. Mendoj se pozitat tona janë të qëndrueshme, shqiptarët janë mirënjohës, janë vlerësues për punën që është bërë. Kjo nuk do të thotë që janë bërë dhe përmbyllur të gjitha punët dhe çështjet, kemi akoma punë për të bërë dhe mendoj se me këto kapacitete, me këto kuadro me këto njerëz që ka Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) me të vërtetë jam shumë, shumë i bindur që do t’ia dalim në drejtim të përfaqësimit të shqiptarëve në të gjitha institucionet e shtetit.
Në një intervistë për MIA-n, kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, ju quajti juve dhe BDI-në shqiptarë sezonal dhe e përshkroi propozimin tuaj për kryeministër shqiptar si një përpjekje për të mbajtur votuesit si dhe përpjekje për të zvogëluar humbjen që do të pësoni në këto zgjedhje…?
Unë nuk e di për se e ka pas. Të quash BDI-në sezonale më duket një kualifikim që nuk ka kurrfarë baze. Të fitosh zgjedhjet 18 vite me radhë dhe të marrësh mbështetjen e pjesës dërmuese të shqiptarëve në këto hapësira, ndërsa z. Sela brenda pesë viteve i ka pesë disfata të turpshme me BDI-në, si në zgjedhje lokale, si në zgjedhje parlamentare dhe ta quash sezonale unë nuk e di tani, por le të vlerësojë opinion, le të vlerësojnë opinionistët, analistët… Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) i bën punët e veta i sheh punët e veta pa ofendime, pa sharje, ne shohim punët tona nuk shohim se çka bëjnë të tjerët, tymi i oxhakut na shkon drejtë dhe nuk bajmë gajlet e hallkut, ne e shohim punën tonë.
Në fjalimin tuaj para qytetarëve të Strugës ju thatë se “Ne e sollëm Skënderbeun, pse jo edhe kryeministrin shqiptar” dhe deklaruat se ekziston frika nga ideja e një kryeministri shqiptar. Pse ky pretendim dhe kush ka frikë nga kryeministri shqiptar?
Nuk duhet shumë për të gjurmuar se kush ka frikë bile unë kamë thënë se ju dridhen këmbët sepse u pa hapur ajo në tryezën ku ishte Zorani dhe Hristiani. Zorani iu drejtua Hristianit unë t’i jap 13 mandate për kryeministër, a ishte kështu edhe opinioni e ka parë ose mi jep ti mua si VMRO gjashtë mandate që të bëjë Qeverinë e pakicës por të mos kushtëzohemi nga shqiptarët për kryeministër, që do të thotë se këta janë të frikësuar dhe po të mos ishin në panik nuk do të ishte tani dy javë temë sa zgjat fushata, ngritët panik që zotëri Ziberi të mos thirret në përballje në televizionet maqedonase dhe kushtëzohen televizionet kombëtare në Maqedoni se nëse thirret Naser Ziberi nuk do të marrë pjesë Zoran Zaevi. Pse ndodh kjo, një arsyetim dëgjova në një vend, por unë në mungesë të kohës nuk arrita që t’i përgjigjem se gjoja z.Ziberi nuk është kandidat në lista dhe për këtë arsye nuk mund të jetë pjesë e debateve me dy kandidatët. Z.Mickoski a është pjesë e listave, jo ai nuk është pjesë e listave. A e shihni se çfarë diferencimi dhe çfarë padrejtësie i bëhet garës për kryeministër. Pse maqedonasit të mos e dinë se cilat janë projektet dhe vizionet e z.Ziberit për të administruar, për të qeverisur me këtë vend, edhe duhet ta dinë. Nuk është punë e vogël, nuk është garë e vogël, nuk është subjekt i vogël ai që qëndron pas z.Naser Ziberit, por një subjekt që është dëshmuar dhe ka dhënë shumë, është gurë themeltar në këtë shtet.
Cilat janë opsionet e juaja për koalicion paszgjedhor. Ju keni vendosur linja të kuqe – pra jo për një koalicion me atë që nuk respekton Marrëveshjen e Ohrit, Marrëveshjen e Prespës dhe Marrëveshjen e Fqinjësisë së mirë me Bullgarinë. A do të thotë kjo me automatizëm se koalicionimi me VMRO-DPMNE nuk vjen në shprehje?
Ne jemi subjekt i përgjegjshëm dhe gjërat e rëndësishme i paraqesim për çdo kënd se çka është me rëndësi për ne. Domethënë për ne Marrëveshja e Ohrit, Marrëveshja e Prespës, Marrëveshja për Fqinjësi të mire më Bullgarinë janë vija të kuqe. Nuk mund të ketë partneritet nëse dikush synon dhe tenton të cenojë këto marrëveshje. Këto marrëveshje vendin e kanë çuar drejt anëtarësimit në NATO, e kanë çuar drejtë hapjes së negociatave për Bashkimin Evropian, këto marrëveshje kanë relaksuar marrëdhëniet ndëretnike në këtë vend, që ato të jenë alfa dhe omega për paqe, stabilitet dhe siguri. Kështu që secili që tenton sadopak të cenojë këto marrëveshje nuk mund të ketë partneritet me ne kështu që ne jemi shumë të hapur dhe të sinqertë dhe e bëmë paralajmërimin në kohë të duhur.
Deri tani nuk kemi vërejt që të komentoni konceptin qytetar “Një shoqëri për të gjithë”. A mendoni se në të ardhmen ky kombinim mund të jetë fitues?
Tani se sa ishte i sinqertë ky koncept më duket se ranë maskat shpejtë në këtë fushatë. Ti thirresh në një koncept të tillë dhe del në mjetet televizive dhe hap debat që t’i jap kaq mandate vetëm e vetëm të mos bëhet Naser Ziberi kryeministër ose mi jep ti mua dhe të mohosh dhe të bësh aq diferencim të ulët sa që Mickoski nuk është në lista për kandidat për deputet dhe t’ia paraqesësh opinionit këto arsye pa arsye se Naser Ziberi nuk na qenka në listë dhe për këtë arsye nuk ulemi në debat, kjo ngjan paksa në poshtërsi dhe fyerje është për ne shqiptarët e lëre më të flasim për një shoqëri për të gjithë.
Epidemia e Kovid-19, respektimi i protokolleve, përdorimi më i madh i mediave sociale për promovim… por ende nuk hiqet dorë nga takimet e drejtpërdrejta me qytetarët. A shqetësoheni për këto takime që duhet të realizohen konform protokolleve dhe çka nëse gjërat dalin jashtë kontrollit?
Sa i takon epidemisë ne kemi pasur hezitimet tona dhe përfundimisht kemi kërkuar që ekspertë të fushës të involvohen dhe ata të japin vlerësimet përfundimtare. Përderisa ne jemi bindur që organet, njerëzit e fushës, specialistë të fushës me analiza të detajuara kanë bërë shpjegime dhe kanë paraqitur tërë strategjinë atëherë ne kemi dhënë dritën jeshile për organizimin e zgjedhjeve dhe unë jam shumë i sigurt që poqë se respektohen të gjitha protokollet nuk do të ketë asnjë pasojë dhe qytetarët duhet të jenë të sigurt sepse të gjitha masat janë ndërmarrë si nga Inspektorati i Shëndetësisë ashtu edhe nga specialistë të fushave të caktuara.
Një pyetje paksa hipotetike… Sa mandate prisni në këto zgjedhje parlamentare dhe a prisni që ky numër të jetë njëshifror apo dyshifror?
Unë nuk dua t’i bashkohem aradhes së kryetarëve të partive politike që të gjithë dalin vendimtarë dhe shqiptarët duhet të ishin sa Kina në Maqedoni se të gjithë do të marrin deputetë, por unë ju premtoj se Bashkimi Demokratik për Integrim do të fitojë zgjedhjet dhe në të gjitha anketat është sipëror, ka mbështetje nga votuesit, nga elektorati dhe u siguroj që fitorja e radhës nuk është shumë larg më 15 korrik.
Gazetari Vullnet Krasniqi, e pranon në Big Brother VIP Kosov...
Të shtëna në Bulqizë, atentat ndaj një personi që po dilte n...
Arsenali po synon shkëmbimin e lojtarëve me Milanin për ta m...
Zelensky: Ushtarët e Koresë së Veriut po dërgohen në betejë ...
Gjendet pa shenja jete një 27 vjeçare në Zhur të Prizrenit
Vëllai i Madh me ofertë për Laurentin dhe Fitimin, njërin do...