Ahmeti dhe Zaev komentojnë raportet BDI-LSDM

16:29 | 21 Nëntor 2019
Arbresh.info

Kreu i Lidhjes Socialdemokrate, Zoran Zaev e vlerëson si stabil koalicionin me partnerin e tij të koalicionit qeverisës, BDI-në.

I pyetur sot rreth kësaj, pas takimit që realizoi në Lidhjen e Sindikatave të Maqedonisë, ai tha mospajtueshmëritë dhe debatet që ndodhin brenda zgjidhen dhe theksoi se, është e rëndësishme që deri në zgjedhje fokusi të vendoset në atë se çfarë do t’u ofrohet qytetarëve, ndërsa qytetarët në zgjedhje me përcaktimin e votave të tyre, do t’i udhëzojnë në pjesën e bashkëpunimeve të ardhshme.

Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së

“Kemi raporte stabile me BDI-në dhe falë Zotit për lirinë për lirinë e fjalës brenda partisë, kur kemi ndonjë dallim, kur kemi mospajtueshmëri ata dalin në sipërfaqe dhe ajo është arsye që edhe të zgjidhim problemet. Ne jemi parti demokratike. Unë krenohem me demokracinë në LSDM dhe kuptohet brenda ekziston e drejta e diskutimit, lirisë dhe mendimit të ndryshëm. Por, definitivisht LSDM ka bashkëpunim të shkëlqyer. Kemi qenë partner edhe kur janë sjellur vendimet më të vështira për shtetin. I gëzohemi sukseseve ekonomike dhe ai bashkëpunim është për të mirën e gjithë qytetarëve në vendin tonë, ndërsa gjithsesi debati është i hapur”.

Edhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, duke komentuar sot raportin me LSDM, ka pohuar sot se koalicioni është stabil dhe ka komunikim dhe bashkëpunim të mirë mes partnerëve.

Ali Ahmeti, BDI

“Muhamed Zekiri mendoj se nuk është kompetent përfaqësues legjitim i politikave të Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë. Koalicioni funksionon, raportet të mira dhe të qëndrueshme janë mes kryetarit të LSDM-së, Zoran Zaev dhe kryetarit të BDI-së dhe si dhe organeve të partisë. Funksionojmë në kuadër të normalitetit, sigurisht se, dallime dhe mund të ketë për çështje të ndryshme në parim por, në substancë gjërat shkojnë në drejtim të duhur dhe në drejtim të mirë”.

Ndërkohë, deputeti i LSDM-së, Muhamed Zekiri ka reaguar menjëherë pas kësaj deklarate, ku ka thënë se është përfaqesues legjitim, duke ia kujtuar Ahmetit së është nënkryetar i LSDM-se. Ai ka porositur se kreun e BDI-së se nuk mund t’iu shmangen e as të harrohen dëmet që kjo parti dhe funksionaret e saj, kanë bërë gjatë kohës kur kanë qenë në pushtet me VMRO DPMNE-në./shenja

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme