Afaristët në Strugë: Jemi të frikësuar nuk kemi turistë

18:34 | 5 Korrik 2020
Arbresh.info

Sezoni turistik ka filluar por në bregun e liqenit të Strugës mbretëron një atmosferë e qetë dhe një fluks i vogël turistësh.

Qendra e turizmit në Liqenin e Strugës asnjëherë nuk ka qenë aq e boshatisur sikurse gjatë ditëve të fundit si pasojë e pandemisë së koronavirusit.

Plazhet e liqenit të Strugës, bukuria e së cilave është e njohur në vend dhe më gjerë, janë pothuajse të zbrazëta ndonëse zakonisht në këtë periudhë të vitit pranojnë turistët dhe vizitorët e parë nga shumë vende të huaja.

Pronarët e lokaleve dhe hoteleve janë të frikësuar me këtë situatë. Tanimë jemi në muajin korrik, por këto lokale dhe hotele janë frekuentuar vetëm nga turistët vendas edhe atë në numër shumë të vogël.

“T’ju them të drejtën këtë vit neve na ka zënë frika sepse nuk e dinim që kjo gjë do të na ndodhë kaq keq dhe kaq e fortë të them. Për këtë arsye ne gjithmonë kemi thënë do ta kalojmë dimrin e kur të vijë pranvera do të fitojmë ndonjë gjë, para kjo ajo, por këtë vit e kemi shumë problem. Bile na ka zënë frika edhe për pagesat tatimeve të shtetit edhe do të themi që i kemi angazhim për gjithë kohën, kemi edhe kreditë edhe sende për të paguar”, tha Ajrush Miftari.

“Për fat të keq turistë nuk kemi. Filluam me punë javën e kaluar protokollet erdhën para dy javëve por ne nuk shpejtuam për ta hapur hotelin sepse nuk kishim arsye pse të shpejtojmë. Hotelin e hapëm të premten dhe deri më tani jemi me numër minimal të mysafirëve vetëm nga Maqedonia”, u shpreh Ana Janqeva Dodanoska.

“Këtë vit vërtetë është shumë më dobët se vitin e kaluar dhe shpresojmë që të përmirësohet gjendja në plazhin e Strugës. Turistët i kemi nga brenda vendit, nga jashtë akoma nuk kemi”, theksoi një menaxher lokali.

Ata shpresojnë që numri i turistëve do të rritet dhe do të ketë një fluks më të madh gjatë kohës kur të vijnë mërgimtarët në vendlindje. Pronarët bëjnë apel që turistët ta vizitojnë Strugën, sepse ajo sipas tyre i përmbush të gjitha kushtet për të kaluar pushimet verore./TV21/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme