Reformat e shumëpërfolura në administratën shtetërore në Maqedoni për të cilat flitet me vite, por vështirë realizohen në praktikë nënkuptojnë, jo vetëm racionalizimin e numrit të të punësuarve, por edhe rritjen e efikasitetit të punës së saj.
Njëherësh, Komisioni Evropian në raportin e fundit vlerësoi se administrata publike në Maqedoni është e përgatitur në mënyrë të matur në raport me standardet evropiane, shkruan gazeta KOHA. Reformat më serioze në administratë imponohen edhe nga analizat e ndryshme lidhur me pakënaqësitë e qytetarëve me shërbimet që i fitojnë nga administrata publike.
Vetëm 20 për qind e qytetarëve janë të kënaqur me shërbimet e shpejta dhe cilësore që i fitojnë nga administrata publike.
Njëherazi, endja nga një sportel në tjetrin paraqet problemin më të madh konkret që mundon qytetarët, tregon analiza “Sfidat dhe problemet e qytetarëve gjatë shfrytëzimit të shërbimeve të administratës publike” të përgatitur nga ana e qendrës për strategji evropiane “ Evrotink”.
Ekspertët thonë se në Maqedoni, në periudhën e kaluar, asnjë garniturë politike nuk ka treguar vullnet për reformim të vërtetë të administratës publike.
“Në 20 vitet e kaluara kemi dëgjuar mjaft për reforma, por në këtë drejtim kemi shkuar prapa dhe jo para, pasi për reforma të mirëfillta mungon vullneti politik. Në të ardhmen, së pari nevojitet të përgatitet analizë e kompetencave e të gjitha organeve që pranojnë të holla nga arka e shtetit. Nga 149 mijë të punësuar në sektorin publik, afër 50 mijë nuk janë nëpunës administrativ, andaj atyre nevojitet të kryhet testim që do të përcaktojë se sa mundet që çdo kush të mbetet në vendin e tij të punës. Në rast se nuk mundet, atëherë duhet të testohet për një pozitë më të ulët të punës”, thotë profesori universitar Borçe Davitkovski. Sipas tij, në këtë mënyrë do të anulohen edhe anomalitë ku persona me fakultet të kryer të edukatës fizike apo stomatolog janë angazhuar për resurset njerëzore.
Pra, njerëzit e vërtetë duhet të vijnë në vendet e vërteta përmes lëvizjes nga një vend pune në një vend tjetër pune e që nënkupton diku edhe lëshime nga puna, diku edhe pranimin e njerëzve të rinj, por vetëm në rast se janë adekuat për atë vend pune, shton më tej Davitkovski.
Nga ana tjetër, një pjesë e përfaqësuesve të biznesit thotë se shteti mund të zvogëlojë numrin e të punësuarve në administratë, duke stimuluar njerëz të rinj në administratë që ju fle sipërmarrja në shpirt dhe që dëshirojnë të arrijnë diçka më shumë në jetë. “Nevojitet që në të ardhmen të ndihmohen 30 deri 40 mijë të punësuar në administratë që me pagat tre vjeçare prej afër 15 mijë euro, nëse përllogarisim pagën mesatare prej 400 euro, të kenë mundësi të fillojnë biznes të ri apo të gjejnë punë tjetër. Njëherazi, ish të punësuarit në administratë që do të orientohen në sipërmarrje, nevojitet të mbështeten me kredi me kamata shumë të buta”, thotë konsulenti i biznesit, Goran Rafajllovski. Sipas tij, shteti duhet të jetë garant për kreditë për afaristët që do të hapin vende të reja të punës.
Në ndërkohë, Komisioni Evropian në raportin e fundit vlerëson se administrata publike në Maqedoni është e përgatitur në mënyrë të matur në raport me standardet evropiane. Brukseli vlerëson është arritur përparim me miratimin e Strategjisë për reforma në administratën publike dhe menaxhmentin financiar publik. Lavdërohen edhe hapat konkret që kanë rritur llogaridhënien gjatë miratimit të vendimeve.
“Kyçe është të ketë një vullnet të fuqishëm politik për profesionalizimin e administratës publike, që sidomos vlen për emërimet në pozitat më të larta udhëheqëse, respektimi i parimeve të transparencës në bazë të sistemit të meritës, si dhe respektimit të procedurave gjatë emërimeve. Gjithashtu, është e domosdoshme edhe trajnimi i mëtejshëm i administratës me qëllim të implementimit të suksesshëm të procedurave administrative”, rekomandon më tej Komisioni Evropian. Kërkohet edhe rritja e kapaciteteve të Ministrisë së Shoqërisë informatike dhe Administratës me qëllim që me sukses të realizojë reformat në administratën publike./Koha
“M’ka pshtu nga goja”, Edi bëhet pishman për ofendimet ndaj ...
Sara: U bëra akull, sepse nuk e prisja nga Driloni
Lushtaku inicion Memorialin historik për daljen e parë publi...
Musliu: Urgjentisht të fillojnë hetimet ndaj drejtorit të RT...
Banka Botërore: Shqipëria të investojë 6 miliardë dollarë në...
Abdixhiku shpalos programin për Arsim në Vushtrri, premton m...