Analizë nga “Deutsche Welle” – Shtohen dyshimet se qeveria e kryeministrit hungarez Vikor Orbán ka ndihmuar në arratisjen ilegale të Gruevskit nga Maqedonia.
Në këtë mënyrë, qeveria e Hungarisë jo vetëm që ka shkelur ligjin hungarez për azilin, por ndoshta edhe kushtetutën e ndryshuar para pak kohësh, sipas së cilës ndalohet imigrimi i njerëzve që u përkasin “popujve të huaj”. Për këtë arsye deputeti hungarez, Ákos Hadházy, ka ngritur në Budapest padi (15.11.2018) kundër palës së panjohur.
Në Budapest me avion? – Sipas informacioneve të policisë shqiptare dhe malazeze, të cilat i konfirmoi pjesërisht të enjten (15.11.2018) në Budapest edhe ministri i kancelarisë së kryeministrit, Gergely Gulyás, ish-kryeministri i Maqedonisë, Gruevski, kishte shfaqur qysh fundjavën e kaluar dëshirën për azil në ambasadën e Hungarisë në Tiranë. Të dielën (11.11.) qe nisur me makinë diplomatike në Hungari. Pasaporta e Gruevskit ishte marrë peng vitin e kaluar nga policia e Maqedonisë. Për Shqipëri, Mal të Zi dhe Serbi nuk i ishte dashur pasaportë, por për vendet e BE-së po.
Sipas informacioneve që DW i mori nga policia malazeze, të dielën, pak pas orës 7 të mbrëmjes, Gruevski kishte hyrë në Mal të Zi nga pika kufitare Bozaj. Ai shoqërohej nga dy diplomatët hungarezë të stacionuar në Tiranë, Antal Kulcsár dhe Csaba Várfalvai. Pasi ndërroi makinën në Podgoricë, kishte vazhduar nëpër Mal të Zi në drejtim të pikës kufitare me Serbinë, Dobrakovo, i shoqëruar nga diplomatët hungarezë të stacionuar në Mal të Zi, Zoltán Császár dhe Csaba Félegyházi.
Nga pala serbe nuk ka ende të dhëna se kur dhe si u nis Gruevski për Hungari. Siç bën të ditur, të martën (13.11) nëpërmjet profilit të vet në Facebook, Nikola Gruevski, në këtë moment ndodhej në Hungari. Por sipas portalit investigues hungarez, Átlátszó, ka mundësi që Gruevski të jetë nisur të mërkurën për në Hungari, me një avion privat që përdoret shumë shpesh edhe nga vetë Orbáni dhe biznesmenët e afërt me të. Të mërkurën, ky avion i tipiit jet qe ngritur për herë të parë pas disa javësh pushimi nga vendparkimi i tij në aeroportin e Vjenës. Itinerari: Vjenë-Budapest-Beograd-Budapest. Që atëherë avioni jet ndodhet në aeroportin Ferihegy në Budapest. Átlátszó spekulon se Gruevski me këtë jet është dërguar në Budapest. Ndërsa mesazhi i kryeministrit maqedonas të martën kishte pasur si synim të fshihte gjurmët.
Qeveria hungareze hesht – Deri tani për këto informacione ka vetëm një konfirmim nga pala e qeverisë hungareze: Të enjten, Gergely Gulyás, shefi i kancelarisë së kryeministrit Orbán, tha në konferencën e shtypit se ishte e vërtetë që Nikola Gruevski e kishte përforcuar kërkesën e tij për azil në Ambasadën e Hungarisë në Tiranë. Por Gulyás e ,mohoi prerazi që shteti hungarez dhe organet zyrtare hungareze ta kenë ndihmuar Gruevskin për të dalë nga Maqedonia. I pyetur nga Deutsche Welle, zëdhënësi i qeverisë hungareze, Zoltán Kovács, nuk pranoi të komentonte as të dhënat e policisë malazeze dhe as padinë e ngritur nga deputeti Ákos Hadházy.
Zëdhënësi partisë së Orbán-it, Fidesz, Balázs Hídvéghi, e kishte mbrojtur të mërkurën procedurën e azilit të Gruevskit në Hungari me fjalët, se ish-kryeministri i Maqedonisë përndiqet në vendin e tij nga një qeveri e majtë, e cila është nën ndikimin e George Soros-it. Miliarderi Soros, që vetë është hebre me prejardhje nga Hungaria, në fushatat e qeverisë hungareze shërben si personifikim për stigmatizimin e refugjatit, imigrantit dhe Bashkimit Evropian.
Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, tha në një konferencë shtypi të premten (16.11.2018) në Shkup, se ai shpreson që Hungaria t’i respektojë ligjet ndërkombëtare dhe ta kthejë Gruevskin në Maqedoni. Ai tha edhe se pret që Hungaria të mos e lejojë Gruevskin të vazhdojë për në Turqi ose Rusi.
Një itinerar i ri nga Ballkani? – Në median e pavarur të Hungarisë, informacionet për udhëtimin e Gruevskit në Hungari shkaktuan indinjata. Kështu për shembull, portali kritik ndaj qeverisë, 444.hu shkruante : Dihet që qeveria i përhap vetë informacionet e rreme për imigrantët. “Por askush nuk e kishte pritur që një qeveri që e ka shpallur program dëbimin e refugjatëve, tani të kthehet në trafikues njerëzish dhe të sjell në Hungari një të dënuar pa pasaportë, duke e anashkaluar ligjin me vetëdije të plotë”.
Ky rast është shumë i rëndë, sidomos sepse tregon se pushtetarët nuk e vlerësojnë fare ligjin ekzistues. Për komente të tilla kryeministri i Hungarisë Orbán ka vetëm një ngritje supesh, kur e pyetën të enjten gazetarët hungarezë për rastin e Gruevskit, ai tha në mënyrë lapidare: Shkoni te juristët.
Osmani: E ardhmja e Kosovës në BE është e pashmangshme e për...
71 aksidente brenda 24 orëve në Kosovë
Ancelotti bëhet trajneri më i trofeshëm në histori të Real M...
Kërkohet paraburgim ndaj të dyshuarit që shkaktoi aksident t...
Dy raste të vjedhjeve të rënda në Ferizaj, policia jep detaj...
Vidhen para e gjësende tjera në Lupq të Podujevës