Partitë politike shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dhe Aleanca për Shqiptarët, që janë pjesë e koalicionit qeveritar, nuk japin detaje nëse në programin aksional të Qeverisë është përfshirë edhe miratimi i një ligji të ri për përdorimin e gjuhës së bashkësive etnike, në rastin konkret të gjuhës shqipe.
Ato thonë se programi qeveritar ka përfshirë edhe pikat programore të partive shqiptare, por pa saktësuar përmbajtjen apo afatin e miratimit të tyre.
“Vlerësuan punën e mirë që është bërë deri më tani. Bëmë një bilanc të të gjitha programeve zgjedhore të partive politike, me ç’rast konstatuan se një pjesë e atyre përcaktimeve veç më janë përfshirë në programin e punës së Qeverisë së Maqedonisë”, deklaroi kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, pas një takimi të partive politike shqiptare ku është diskutuar për deklaratën e përbashkët që ishte arritur me ndihmën e kryeministrit shqiptar, Edi Rama.
Detaje tjera nga ky takim nuk janë dhënë, përveç thirrjes drejtuar Lëvizjes Besa, që edhe ajo të jetë pjesë e takimeve të tilla dhe të drejtojë Komisionin për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut, që ka të bëjë me shqyrtimin e proceseve gjyqësore ndaj shqiptarëve, që besohet të jenë të montuara si rasti “Monstra”, “Kumanova”, “Sopoti”, Brodeci”, e të tjera.
Por, nga Lëvizja Besa, paraprakisht kishin bërë të ditur se nuk marrin pjesë në këtë takim të cilin e kanë quajtur teatër. Kjo parti, që është opozita më e madhe shqiptare në Kuvendin e Maqedonisë, ka kërkuar që takimi në mbahet në Kuvend mes grupeve parlamentare, me dy pika të rendit të ditës, “shqyrtimin e një raporti me shkrim nga BDI dhe Aleanca për Shqiptarët, se çfarë është përfshirë në programin qeveritar nga Deklarata e Përbashkët e Partive Politike Shqiptare në Maqedoni dhe me çfarë dinamike do të realizohet ajo”, si dhe pika e dytë që kërkon “hartimin e planit për propozim-ligjin e gjuhës shqipe dhe krijimin e grupeve të punës për përpilimin e tij”.
Ekspertët, nga ana tjetër thonë se Ligji për gjuhët duhet të jetë ndër ligjet me prioritet për Qeverinë, pasi pikërisht për këtë edhe pati polemika e tensione të shumta në skenën politike që çuan edhe në dhunë në Kuvend më 27 prill.
“Mendoj se partitë politike shqiptare nëse këto çështje nuk do të mund ta vendosin në rend dite të atyre ligjeve që janë me prioritet dhe të miratohen nga ana e Kuvendit, sigurisht se do të jetë dështim i politikës së tyre dhe besoj se ato subjekte duhet të distancohen pasi kanë bërë premtime për të realizuar një gjë të tillë”.
“Pavarësisht se tentohet që t’i vihet hije kësaj, unë mendoj se është momenti i radhës që partitë të insistojnë në miratimin e ligjit për gjuhët nga ana e Kuvendit të Maqedonisë, në të kundërtën do të kemi kthim pas nga e gjithë ajo që është folur deri më tani”, thotë Besa Kadriu, njohëse e çështjeve juridike.
Deklarata e partive politike shqiptare, e njohur ndryshe si “Platforma e Tiranës”, parasheh zgjerimin e përdorimit të gjuhës shqipe në nivel të Republikës, e barabartë me gjuhën maqedonase, përdorimin e simboleve kombëtare, rritjen e përfaqësimit në institucionet shtetërore, zbardhjen e shumë proceseve gjyqësore të dyshimta, politikën e fqinjësisë së mirë, përshpejtimin e integrimit të vendit në NATO dhe Bashkimin Evropian si dhe një sërë çështjesh tjera që kanë të bëjnë me të drejtat etnike dhe konsolidimin e institucioneve.
20 vjet nga cunami që solli vdekjen e 230 mijë personave, fa...
“Mos gënje”, “mashtruese”, plas debati mes Xhenetës dhe Sarë...
Guardiola tregon se ku dështoi City ndaj Evertonit
Çmimet 2 herë më shtrenjtë se në 2013, Berisha: Shqipëria e ...
Kurti mori pjesë në ceremoninë e fundvitit të organizuar nga...
Juventus po planifikon ta transferojë yllin e Dortmundit