Google ADS

8 kandidatura në VMRO-DPMNE

17:52 | 1 Shkurt 2019
Arbresh.info

Tetë kandidat për president të shtetit janë paraqitur në konkursin e VMRO-DPMNE-së. Ndër emrat më të njohur, përveç deputetit Vlladimir Gjorçev janë edhe profesoresha Gordana Siljanovska dhe ish drejtori i arkivit, Filip Petrovski. Të hënën do të mblidhet komisioni i cili do të verifikojë kandidaturat dhe publikojë emrat e kandidatëve që i plotësojnë kushtet e parapara në konkurs.

Ka tetë kandidatura. Do t’i lejojmë Komisionit që t’i shqyrtojë të gjitha. Një pjesë e tyre dihet publikisht sepse kanë paralajmëruar kandidaturat e tyre, ndërsa për të tjerët do të presim deri të martën. Komisioni do t’ju njoftojë. Unë personalisht nuk i kam parë kandidatët, sepse ato adresohen drejtpërdrejt tek komisioni i cili do t’i shqyrtojë dhe më pas do të shpalosen emrat. Të martën do të dalim dhe do t’i bëjmë publik emrat, CV-të e tyre, ata të cilët i plotësojnë kushtet dhe më pas do të vazhdojmë me prezantimin e programit dhe idetë e tyre – deklaroi Vllado Misajllovski, nënkryetar i VMRO-DPMNE-së.

Nga ana tjetër në LSDM janë duke vazhduar anketat e brendshme për kandidatin e mundshëm. Lufta më e ashpër është duke u zhvilluar mes katër emrave, Oliver Spasovski, Radmilla Shekerinska, Stevo Pendarovski dhe Nikolla Dimitrov. Mësohet se për katër të lartpërmendurit do të zhvillohet anketë e cila do ta përcaktojë kandidatin për president. Ndërkohë partitë shqiptare janë duke kalkuluar me emrat për kandidat dhe mundësinë e daljes me një kandidat. Në BDI mbetet e hapur oferta për kandidat të përbashkët me partitë shqiptare edhe pse kryesia e partisë vendosi që të garojnë me kandidat të vetin. Aleanca për Shqiptarët ka thirrur mbledhjen e Kryesisë Qendrore, ndërsa Lëvizja Besa e Bilall Kasamit do të vendos ditëve në vijim. Besa e Afrim Gashit është duke shqyrtuar të gjitha opsionet por pa precizuar emër apo mbështetje për subjektet tjera, ndërsa PDSH-ja qëndron e përmbajtur në këtë proces. Zgjedhjet presidenciale pritet të shpallen më 8 shkurt./AlsatM/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme