Google ADS

5 vite nga vdekja e Arbën Xhaferit

11:29 | 15 Gusht 2017
Arbresh.info

Arbën Xhaferi u lind më 24 janar 1948 në Tetovë. Shkollën fillore dhe gjimnazin e kreu në vendlindje, kurse studimet në degën e filozofisë i kreu në Universitetin e Beogradit.

Qysh si student u dënua me burg për bindjet e tij politike, organizimin dhe pjesëmarrjen në demonstratat e Tetovës të vitit 1968, për çka u detyrua të kërkojë strehim më të sigurt dhe punë në Prishtinë.

Nga viti 1975 deri në vitin 1990 punoi në Radiotelevizionin e Prishtinës si redaktor përgjegjës i programit të kulturës. Gjatë kësaj periudhe punoi si analist në të përjavshmet ,,Koha” të Veton Surroit dhe ,,Forum” të Adem Demaçi, si dhe në disa media të tjera shqiptare dhe të huaja.

Në vitin 1993, Arbën Xhaferi u kthye në vendlindje, për ta vazhduar veprimtarinë e tij intelektuale dhe politike. Në vitin 1994 u zgjodh kryetar i Partisë për Prosperitet Demokratik të Shqiptarëve (PPDSH).

Gjatë konfliktit të armatosur të vitit 2001, Arbën Xhaferi dha një kontribut të veçantë, sidomos për nënshkrimin e Marrëveshjes së Prizrenit dhe arritjen e Marrëveshjes së Ohrit. Qasja konstruktive e Xhaferit në atë kohë u përkrah nga faktori ndërkombëtar, duke e legjitimuar luftën e shqiptarëve dhe nisur kështu bisedimet që përfunduan me Marrëveshjen e Ohrit, për ndërrimin e konceptit monocentrik të shtetit.

Pas drejtimit të sukseshëm të Partisë Demokratike Shqiptare për gati një dekadë, në zgjedhjet e parlamentare të 15 shtatorit të vitit 2002 Xhaferi kaloi në opozitë, por postin e kryetarit të partisë (PDSH) e mbajti deri në vitin 2007.

Ai u dallua si politikan i zgjuar dhe intelektual i përmasave kombëtare, i cili la pas vetes një numër të konsiderueshëm shkrimesh publicistike, analiza dhe vështrime politike, intervista, artikuj dhe studime të tjera, të cilat shquhen për thellësinë e mendimit dhe qasjen intelektuale.

Mes tjerash, Arbën Xhaferi dha një kontribut të çmuar edhe për Universitetin e Tetovës dhe afirmimin e tij, duke u bërë pjesë e pandarë e drejtuesve të këtij universiteti, me nënshkrimin e aktit për fillimin e punës së tij, më 17 dhjetor 1994, si dhe pjesëmarrjen në delegacionet e përfaqësuesve të partive politike, asociacioneve jopolitike dhe drejtuesve të Universitetit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në shkurt të vitit 1995 dhe qershor të vitit 1996, me çka u sigurua përkrahje e gjerë nga SHBA, OKB dhe institucionet tjera relevante ndërkombëtare.

Arbën Xhaferi ka publikuar dy vepra, “PDSH-ja jo në letër”, dhe “Sfidat e Demokracisë në Shtetet Multietnike”.

Arbën Xhaferi ndërroi jetë në Tetovë, më 15 gusht 2012.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme