Arben Çejku, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Qeverisje të Mirë tha për Zërin e Amerikës se zgjedhja që Gordana Silanovska-Davkova, bëri për të mospërdorur emrin kushtetues të vendit gjatë ceremonisë së betimit si presidente e Maqedonisë së Veriut, ishte një veprim i pamatur nga ana e saj.
Ky zhvillim sipas zotit Çejku shërben edhe si një sinjal për të treguar se si do të jenë në vazhdim marrëdhëniet mes partnerëve ndërkombëtarë dhe Shkupit, që për analistin, nuk do të jenë raporte të lehta.
Në 8 maj në Maqedoninë e Veriut u mbajtën si zgjedhjet parlamentare ashtu edhe ato presidenciale, që u fituan të dyja nga partia në opozitë VMRO-DPMN. Kjo forcë politike, që pritet të ketë në parlamentin prej 120 anëtarësh, 58 deputetë, ka nisur negociatat për bashkëqeverisje me koalicionin opozitar shqiptar ‘VLEN’, që fitoi 13 vende në parlamentin e ri.
Por fitorja e VMRO-DPMN-së, ka ngritur shqetësime lidhur me një ngadalësim të mundshëm të procesit të integrimit evropian për shkak të qasjes kundër të kësaj force politike ndaj kushtit të Brukselit për integrim, përfshijes së pakicës bullgare, si popull shtetformues në kushtetun e këtij vendi.
Zëri i Amerikës: Zoti Çejku sot gjatë betimit të presidentes së Maqedonisë së Veriut, u vunë re dy momente, ajo nuk përmendi çështjen e integrimit evropian të vendit si dhe iu referua Maqedonisë së Veriut me emrin e vjetër dhe jo zyrtar, thjesht Maqedoni, disa herë. Si e lexoni ju një gjë të tillë? A është ky tregues i mënyrës se si do ta drejtojë ajo institucionit?
Arben Çejku: Pavarësisht kompetencave të cunguara që ka presidenti i Maqedonisë, gjithsesi fjalimi i saj shërben si një lloj preambule për të kuptuar që partnerët e Maqedonisë së Veriut do të kenë pak vështirësi në komunikimin me Shkupin zyrtar, me qeverinë e re dhe me zonjën Davkova, e cila nuk vjen në këtë post si një politikane që ka kaluar në parlament apo në pozicione të tjera, por vjen si një profesoreshë, një pedagoge dhe ndoshta lidhshmëria e saj me rezonancën e këtyre qëndrimeve, deklaratave, është ndoshta e pamatur. Mendoj se është një sinjal për të treguar që edhe qeveria e re do të qëndrojë në premtimet e saj që janë shmangia nga ndryshimet kushtetuese. Ky është thelbi i gjithë retorikës së fushatës elektorale që ka bërë VMRO-DPME dhe zonja Davkova.
Zëri i Amerikës: Ju mendoni që do t’i shtyjë në kohë apo do të refuzojë në mënyrë përfundimtare ti bëjë ndryshimet në kushtetutë, VMRO-ja?
Arben Çejku:Unë mendoj që jemi ende në emocionet e fushatës. Vetëm sa kanë kaluar votimet e dyta dhe ato parlamentare. Nuk pritet që të ketë mënjëherë një shkëputje nga kjo retorikë, nga këto emocione elektorale. Ndoshta është një përpjekje për të treguar një lloj besnikërie ndaj elektoratit që ka votuar. Por, në anën tjetër mund të sjell këtu një paralele me qeverisjen e VMRO-së, e cila gjatë mandateve të saj shmangu dialogun me Greqinë dhe vonoi anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO nga viti 2008, që kur ishte gati ftesa në tryezën në Bukuresht, nga ana e NATO-s. Uroj që të mos jetë një kurs i i ri i një lloj vetizolimi të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe një hapje e një fronti të ri në një betejë diplomatike me një fqinj tjetër siç ishte Greqia. Të gjithë kanë përshëndetur dialogun mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë; gjetjen e një zgjidhjeje me Marrëveshjen e Prespës që i hapi rrugën anëtarësimit rë këtij vendi në NATO. Dhe kushtet që vendosi vetoja bullgare ishte një lëvizje e papritur. Tani që nga kjo lloj retorike dhe gjuhe duket që liderët e rinj të Maqedonisë së Veriut kërkojnë të hapin ndoshta dy fronte përnjëherë, mendoj që është krejt e gabuar.
Zëri i Amerikës: Megjithatë zoti Çeku çfarë roli prisni të luajë këtu faktori shqiptar, koalicioni ‘Vlen’. Dje janë kryer bisedime për bashkëqeverisje dhe duket se shtyllat bazë kanë qenë çështjet e “integrimi evropian”.
Arben Çejku: Mendoj se një nga garantuesit e kursit pro-evropian, pro-euroantlantik të Maqedonisë së Veriut ka qenë BDI, që ka ndihmuar dhe lehtësuar dialogun për arritjen e marrëveshjes me Greqinë, me NATO-n e kështu me radhë. Por në kushtet e reja mendoj se programi për anëtarësim në BE mbetet si një premisë, por në anën tjetër duket se nuk ka tendenca për një presion të qartë nga faktori shqiptar për të detyruar VMRO-në të artikulohet qartë se a do të bëjë ndryshime kushtetuese për t’i hapur rrugën një kompromisi me Bullgarinë, apo do të qëndrojë në retorikën pro-europianiste duke mos bërë asgjë. Droja ime është se ky koalicion i ri që do të ngjizet nuk e ka prioritet ndryshimin kushtetues dhe ndoshta duke u bazuar në traditën e kësaj force politike, pra të VMRO-DPMNE-së, nuk do të ketë ndryshime kushtetuese të shpejta, madje mund të luhet edhe me fitimin e kohës.
Zëri i Amerikës: Edhe pse e ka ngritur këtë çështje që në takimin e parë me VMRO-në, nuk besoni se do ta bëjë këtë gjë koalicioni “Vlen”?
Arben Çejku: Janë dy gjëra; e para, kursi pro-europian dhe pro-integrues që ka Maqedonia e Veriut dhe për këtë të gjitha palët pajtohen, dhe çështja a ndryshimeve kushtetuese është një çështje shumë e ndjeshme dhe këtu varet se si do të hartohet marrëveshja përfundimtare e bashkëqeverisjes. Unë mendoj që në fund të bisedimeve të kësaj jave duhet të ketë një dokument, një marrëveshje, një program që kornizon të gjitha interesat e të dy grupeve, edhe të VMRO-së por edhe të përfaqësuesve shqiptarë. Me sa duket, përfaqësues në këtë qeveri duket se do të jetë VLEN-i, sepse BDI-ja e ka bërë të qartë se nuk mund të bashkëqeverisë me një forcë politike, e cila nuk mund të bëjë ndryshimet kushtetuese.
Zëri i Amerikës: Koalicioni Vlen ka thënë se ata “janë përfaqësuesit legjitimë të shqiptarëve në qeverinë e ardhshme”, por Fronti Evropian me BDI-në në krye thotë se jo, nisur nga numri i deputetëve që kanë fituar, 19. Cili është mendimi juaj mbi këtë çështje?
Arben Çejku: Lidhur me çështjen e përfaqësimit mund të bëhen disa lloj leximesh, lexime morale, etike, politike, ligjore dhe unë mendoj se në qoftë se BDI pretendon që përfaqëson vetëm ajo shqiptarët, atëherë çfarë përfaqëson VLEN-I. Unë mendoj që duhet një lexim real i rezultateve. Të gjithë palët duhet të jenë gjakftohta dhe të kuptojnë se gjithmonë ka kohë për vota për të ardhur në pushtet, por gjithmonë ka kohë edhe për të reflektuar në opozitë. Dhe përfaqësimi i interesave të shqiptarëve nuk duhet të jetë gjithmonë apriori kur je në qeverisje, përfaqësimi dhe mbrojtja e interesave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, bëhet edhe duke qenë në opozitë, madje në rast se do kemi devijim nga kursi euroatlantik i vendit, atëherë sigurisht që opozita do të ketë një rol edhe më të madh për të luajtur në vend.
Zëri i Amerikës: Cili është parashikimi juaj në raport me marrëdhëniet ndëretnike, në Maqedoninë e Veriut, kur në të shkuarën gjatë qeverijes së VMRO-së ka patur incidente të kësaj natyre?A prisni një ndryshim?
Arben Çejku: Për fat të keq nuk presim ndryshim. Ajo që më bën skeptik është edhe fakti se trupa elektorale në Maqedoninë e Veriut vazhdon të qëndrojë e ndarë. Në njërën anë kemi trupin elektoral të shqiptarëve në anën tjetër të maqedonasve; nuk kemi ende një konvergim të trupës elektorale nga këndvështrimi i interesave politike ideore, por kemi një rreshtim etnopolitik dhe kjo ka bërë që të thellohet ndarja dhe ende nuk shoh faktorë dhe aktorë të mjaftueshëm për të ndihmuar një përafrim të palëve. Aq më tepër nëse retorika nacionaliste që ka sjellë deri sot në tryezën e Kuvendit edhe presidentja e re, zonja Davkova mund të vazhdojë edhe me sjellje të tjera do shohim se ku do të jetë roli i shqiptarëve në bashkëqeverisje. Me aq sa di, nuk do të ketë një post të rëndësishëm siç ishtë kryetari i Kuvendit; dy postet e tjera janë të zëna, sigurisht presidentja dhe kryeminstri, atëherë do të shikojmë si do të jetë kompromisi i deputetëve shqiptarë, i faktorëve shqiptarë. Unë kërkoj dhe do të sygjeroj për një unfikim të faktorit politik shqiptarë në Maqedoninë e Veriut pavarësisht diferencave, divergjencave që kanë, në pikat kryesore siç janë zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit, ecja përpara me barazi në bashkëqeverisje me palën tjetër, me maqedonët dhe etni të tjera dhe ruajtja e kursit proatlantik të Maqedonisë së Veriut i cili është në interes jetik edhe për shqiptarët, por sigurisht edhe për partnerët e këtij vendi.”
Zëri i Amerikës: Një pyetje të fundit lidhur me Kosovën, ajo priste që javën e ardhshme të bëhej anëtare e Këshillit të Evropës, por gjërat ndryshuan pasi disa vende si Gjermania e Franca po kërkojnë hapa drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe para votimit në Këshillin e Ministrave. Kryeministri Kurti tha se nuk do të pranojë një kushtëzim të tillë. Çfarë do të thotë për Kosovën humbja e mundësisë për t’u anëtarësuar në këtë mekanizëm?
Arben Çejku: Uroj që të ketë një përfshirje të minutës të fundit, por me aq sa duket kjo nuk do të ndodhë për shkak se menjëherë pas votimit në Asamblen e Këshillit të Evropës, Serbia u angazhua për ta shtyrë në kohë vendimarrjen dhe për ta larguar nga agjenda Kosovën. Vendosja e kushtit të Asociacionit të Komunave Serbe është një kusht që nuk lidhet drejtpërdrejt me Këshillin e Evropës. Nga ana tjetër unë mendoj që Kosova mund të kishtë bërë një hap përpara duke dërguar një draft të Asociacionit të statutit të saj në Gjykatën Kushtetuese për t’i dhënë kohë vetes edhe miqve të saj të ndihmonin në këtë proces.
Arrestohet një grua në Prishtinë, nën ndikim të alkoolit sul...
Ministri i Jashtëm i Jordanisë do të zhvillojë bisedime me l...
Policia shqiptoi mbi 1 mijë e 400 gjoba trafiku në 24 orët e...
Vdes një person në QKUK
Policia sekuestron armë dhe municion në Rahovec, arrestohet ...
Predha godet një shtëpi në Mitrovicë Veriore, policia heton ...