LSDM nesër zgjedh kryetarin e ri! Zaev largohet, në garë 3 kandidatë

20:13 | 11 Dhjetor 2021
V. S.

Socialdemokratët nesër do të votojnë për kryetarin e të partisë. Pas dorëheqjes së Zoran Zaev si lider i LSDM-së, kandidaturën për të zënë vendin e tij kanë dorëzuar 3 kandidatë. Frosina Remenski, ish-deputete ka vendosur të kandidojë për kryetari pas aktivitetit të saj shumëvjeçar në parti dhe politikë. Thotë se LSDM duhet të reflektojë e të përmirësojë gabimet që i sollën humbje.

“Ne duhet të kthehemi në rrugën deri në vitin 2016 dhe të shohim se ku i humbëm njerëzit cilësorë, ku ikën të rinjtë, ku dështoi ideja, ku humbi besimi në socialdemokratët dhe në atë që e bëjmë si politikë, vetëm ashtu mund t’i korrigjojmë gabimet”, tha Remenski.

Kandidati tjetër është Dimitar Kovaçevski, njëkohësisht edhe i favorizuar nga Zaevit. Ai mori pjesë bashkë me ish-kryeministrin Zaev në bisedimet me Alternativën për zgjerim të shumicës parlamentare. Kovaçevski thotë se do të punojë që LSDM-së t’i sigurojë fitore në zgjedhjet e ardhshme.

“Aktivitetet që do të ndërmerren me qëllimin e vetëm avancimin e jetës partiake, avancimin e jetës shoqërore dhe realizimin e projekteve të premtuara. Përforcimin e institucioneve me qëllimin e vetëm që LSDM të del fitues më zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe lokale”, deklaroi Kovaçevski.

Edhe Jovan Despotovski, aktualisht drejtor në Drejtorinë për Zhvillim të Zonave Ekonomike deklaroi se reformat brendapartiake janë më se të domosdoshme. Shton se bartësit e funksioneve duhet të jenë përgjegjës para anëtarëve të partisë dhe qytetarëve, e jo para liderit.

“Unë jam në parti më shumë se 25 vite dhe e mbaj mend se pas çdo kongresi zgjedhor, sidomos pas kongreseve ku kemi pasur rezultat të keq zgjedhor, flasim se si funksionarët t’i bëjmë të disponueshëm jo vetëm për anëtarët por edhe për qytetarët. Një model të ri që fusim është zgjedhja e kandidatëve për kryetar komunash dhe deputetë”, tha Despotovski.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të LSDM-së, mbahen pasi që lideri i tyre, Zoran Zaev dha dorëheqje pas rezultatit të dobët që kishte në zgjedhjet lokale. Kryetari i ri i LSDM-së do të jetë edhe kryeministri i ri i vendit. Nga LSDM bëjnë të ditur se votimi do të mbahet në 194 vendvotime nëpër organizatat komunale në të gjithë shtetin, duke filluar nga ora 08:00 deri në ora 19:00.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme