2 gushti – Dita e Ilindenit, Zaev: Meçkin Kamen, gurthemel i pajtesës

23:25 | 2 Gusht 2019
Arbresh.info

Meçkin Kamen të jetë gur i pajtesës, bashkimit dhe mirëkuptimit, porositi kryeministri Zaev pikërisht nga ky vend, me rastin e shënimit të 2 gushtit – Ditës së Ilindenit.

Zaev theksoi se ilindenasit luftuan për të ardhmen dhe jo të kaluarën, andaj edhe ne tani të gjithë së bashku jemi fëmijë të Ilindenit, të përkushtuar së ardhmes.

Sipas Zaevit, qeveria do të vazhdojë me politikat për një shoqëri për të gjithë, si trashëgimi e Manifestit të Krushevës, i cili i fton fqinjët dhe miqtë për jetë më të mirë.

“Vazhdojmë me politikat e tejkalimit të ndasive. Të gjithë ne: maqedonasit, shqiptarët, turqit, vllehtë, serbët, romët, boshnjakët dhe të tjerët, konsiderojmë se është obligim patriotik që të bashkohemi dhe pajtohemi brenda. Andaj edhe ky vend i shenjtë Meçkin Kamen nuk duhet të jetë gur i pengesës, por duhet të jetë gurthemel i pajtesës, bashkimit dhe mirëkuptimit. Ilindeni është thirrje për bashkim, ndarjet nuk janë patriotizëm. Ilindeni dhe KAÇKM janë simbol të bashkimit dhe jo për ndasi, bashkim për një të ardhme më të mirë për fëmijët dhe nipërit tanë”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.

VAZHDOJNË ANGAZHIMET PËR ARDHMËRI EUROPIANE

Zaev ritheksoi se qeveria është e angazhuar për një të ardhme europiane të vendit, sikurse në të kaluarën që janë angazhuar partizanët dhe komitët.

“Rruga e integrimit është rrugë drejt perspektivave, investimeve, vendeve të reja të punës, pagave më të larta dhe më shumë para për qytetarët. Kjo do të thotë shans për të gjithë qytetarët, kjo është shans për të gjithë fëmijët e Ilindenit, te të cilët shteti duhet të investojë në maksimum dhe për të cilët institucionet duhet të kujdesen njësoj dhe në mënyrë cilësore”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.

Para fjalimit të kryeministrit u këndua himni republikan, për të cilin edhe vetë Zaev shprehu respektin, duke theksuar se heronjtë që përmenden kanë luftuar për të ardhmen e vendit.

Në ceremoni ishin të pranishëm kori diplomatik, figura të larta ushtarake, përfaqësues të misionit të NATO-s, përfaqësues të partive politike dhe qytetarë të qyteteve të ndryshme të vendit./TVM2

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme