Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili mbrëmë mbërriti për vizitë zyrtare në Shkup, sot do të realizojë takime me kreun shtetëror të Maqedonisë, si edhe me liderët e një pjese të partive të përfaqësuara në Kuvend.
Ai, siç pritet do të japë vërtetim për punën e realizuar deri më tani nga Qeveria e re në procesin reformues në rrugën e integrimeve evropiane dhe euroatlantike, por do të japë edhe udhëzime sipas të cilave vendi duhet të lëvizë në rrugën drejt NATO-s.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s aktivitetet në kuadër të vizitës zyrtare do t’i fillojë nesër me ministrin e Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov.
Pas takimit pason edhe takimi plenar midis delegacioneve të MPJ-së dhe NATO-s.
Në takim, siç informuan nga MPJ-ja, Stoltenbergut do t’i prezantohen arritjet në politikën e jashtme në periudhën e kaluar, me theks se anëtarësimi në NATO dhe BE, marrëdhëniet e mira fqinje dhe bashkëpunimi rajonal janë tre prioritetet strategjike të politikës së jashtme të vendit.
Stoltenberg takimin e radhës do ta ketë me presidentin Gjorge Ivanov, ndërsa pas tij do të shkojë në Ministrinë e Mbrojtjes, në takim me ministren Radmilla Shekerinska.
Nga MM theksuan se para sekretarit të përgjithshëm do të prezantohen aktivitetet të cilat deri më tani janë realizuar në këtë sferë, rritja e buxhetit në Mbrojtje për 820 milionë denarë, nga 0,9 vitin e kaluar në 1,1 këtë vit, vendimi i Qeverisë për rritje të pandërprerë të buxhetit për mbrojtje, duke filluar nga viti i ardhshëm për 0,2 për qind e deri në vitin 2024 me qëllim që të vihet deri te niveli i dëshiruar prej dy për qind nga BPV-ja, që është në pajtueshmëri me vendimet nga samiti i NATO-s në Uells.
Ai do të informohet edhe për rritjen e personelit në pjesëmarrjen e Maqedonisë në misionin e NATO-s “Mbështetje vendimtare” për 20 për qind, si dhe për aktivitetet për përpunimin e dokumenteve strategjike në sferën e mbrojtjes, gjegjësisht Kontrollin strategjik mbrojtës dhe Strategjinë për mbrojtje, të cilat nuk janë miratuar nga viti 2010, ndërsa pritet që të përfundojnë gjatë verës.
Njeriu i parë i Aleancës do ta vizitojë Zyrën për lidhje të NATO-s, ndërsa pastaj është paraparë që të ketë takim me kryetarin e Kuvendit Talat Xhaferi, me ç’rast do të ketë fjalim para deputetëve.
Nga Qeveria thonë se Stoltenberg do të dërgojë mesazh deri te opozita, e cila paralajmëroi se do të kthehet në Kuvend që ta ndjekë fjalimin e tij, të përfshihet në punën e dhomës ligjdhënëse dhe në bashkëpunimin në procesin e zbatimit të reformave në vend.
Pasi do t’u drejtohet deputetëve, është paraparë që njeriu i parë i NATO-s të ketë takim me liderin e VMRO-DPMNE-së Hristian Mickovski, ndërsa pastaj është paraparë takim edhe me liderin e BDI-së Ali Ahmeti.
Në pjesën e vizitës së delegacionit të NATO-s në Qeveri, programi parasheh edhe bisedime plenare midis delegacionit qeveritar dhe delegacionit të Aleancës.
Në pyetjen nëse Maqedonia do të marrë ftesë për anëtarësim në samitin e NATO-s në Bruksel edhe pa zgjidhje për emrin, nën referencën e përkohshme IRJM, Stoltenberg është decid se pozicioni i Aleancës mbetet i pandryshuar.
“Jo. Pozicioni i NATO-s mbetet i pandryshuar. Të gjitha vendimet në NATO sillen në bazë të konsensusit mes të gjithë aleatëve të NATO-s. Në samitin në Bukuresht dhe në samitet e tjera të njëpasnjëshme, ata u dakorduan se NATO-ja do ta ftojë vendin tuaj të inkuadrohet, pasi që të arrihet zgjidhje e ndërsjellë e pranueshme për çështjen e emrit në suaza të KB-së”, theksoi Stoltenberg në intervistën për MIA-n.
Aktivitetet zyrtare sekretari i përgjithshëm i NATO-s do t’i përfundojë me takimin me kryeministrin Zoran Zaev. Ai në Qeveri do të pritet me nderimet më të larta, ndërsa pas takimit është paraparë konferencë përfundimtare për shtyp./Gazeta Express/
Kurti: Idealet e Metush Krasniqit janë ideale edhe të kohës ...
Kryeshefi i IPK-së po merr pjesë në Konferencën Profesionale...
Victoria Beckham zbulon arsyen pse nuk buzëqesh kurrë në fot...
Rusia sulmon me një numër rekord dronësh 17 rajone të Ukrain...
“Ishalla nuk shymesh tash ti”, i thotë Xheneta-Drilonit
Nura e zëvendëskomandanti i KFOR-it flasin për situatën aktu...