106.438 banesa nën hipotekë në Maqedoni

22:47 | 12 Dhjetor 2017
Arbresh.info

Në katër vitet e fundit në Maqedoni, është dyfishuar numri i banesave nën hipotekë. Të dhënat e Kadastrës tregojnë se në vitin 2013, nën hipotekë kanë qenë të vendosura 56.169 banesa, ndërsa katër vite më vonë, kjo shifër është rritur në 106.438 banesa, shkruan gazeta KOHA.

Gjysma e banesave në hipotekë gjenden në Shkup, ku si garanci për kredinë bankare janë 47.414 banesa që paraqet 15 përqindëshin e të gjithë banesave në kryeqendrën e Maqedonisë, ku në kadastër janë shënuar 301.853 banesa. Në Manastir, nën hipotekë janë vendosur 6670 banesa, ndërsa në vendin e tretë me 4872 banesa nën hipotekë gjendet Tetova.

Strumica me 4688 banesa, Ohri me 4399, Kumanova me 4222, Shtipi me 3532, Prilepi me 3425, Kavadari me 3300 dhe Gjevgjelia me 3211 renditen në top dhjetë qytetet me më shumë banesa nën hipotekë. Numër të lartë të banesave nën hipotekë kanë edhe Gostivari me 2636 dhe Struga me 2156 banesa.

Në pjesën më të madhe hipotekat i mbajnë bankat, ndërsa ekzistojnë edhe raste shumë më të vogla të tyre që i mbajnë kompanitë apo personat privat. Banesat më së shpeshti lihen si garanci gjatë marrjes së kredisë, ndërsa vendosen nën hipotekë në periudha të ndryshme. Tek disa prona të patundshme, hipotekat qëndrojnë edhe më shumë se dhjetë vite sa nevojitet të paguhet një kredi mesatare banesore. Qytetet me numrin më të vogël të banesave nën hipotekë janë Makedonski Brodi 105, Kratova me 119, Demir Hisari me 126, Krusheva me 225, Demir Hisari me 126 dhe Dibra me 369 banesa.

Në vitet e fundit rritet huazimi i qytetarëve në banka për kredi banesore dhe, si rrjedhojë, edhe numri i banesave nën hipotekë. Gjithashtu, në totalin e kredive banesore hyjnë edhe objektet që janë në ndërtim e sipër, për të cilat investitorët kanë kërkuar kredi për ndërtim. Rritjen e kredive banesore e dëshmojnë edhe statistikat e Bankës Popullore të Maqedonisë. Sipas tyre, në tetor të këtij viti për qytetarët janë miratuar kredi banesore në vlerë prej 38,268 milionë denarë. Kjo shumë paraqet një rritje të konsiderueshme në raport me dhjetorin e vitit 2015 kur vlera e tyre ishte 30,287 milionë denarë.

E shprehur në të holla, statistika tregon se në fund të vitit 2015, bankat kanë miratuar kredi banesore prej afër 500 milionë euro, që paraqet një dyfishim të vlerës së kredive banesore në raport me 260 milionë euro në vitin 2010. Njëherazi është rritur vlera e tyre prej 260 milionë euro para shtatë vitesh në afër 620 milionë euro në vitin 2017. Nga kompanitë ndërtimore thonë se shpesh banesat vendosen për lloje të ndryshme të borxheve bankare, por megjithatë shtojnë se kjo paraqet problem vetëm në rast të pamundësisë së kthimit të rregullt të kësteve mujore, kur ekziston mundësia që të aktivizohet hipoteka.

Bile, në vitet e fundit rritet gjithnjë e më shumë numri i qytetarëve që i blejnë banesat me kredi, duke i vendosur ato njëherazi nën hipotekë. Pas kredive konsumatore, më të kërkuarit nga ana e konsumatorëve janë kreditë banesore. Ato shquhen me afat të gjatë të kthimit prej 10-30 vjet, shumën e lartë që lidhet me vlerën e pronës së patundshme dhe aftësisë së kërkuesit së kredisë për pagesën e rregullt mujore në bankë. /Koha.mk

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme