Në 100-ditëshin e parë të punës së qeverisë së koalicionit në Maqedoninë e Veriut kryeministri Hristijan Mickoski tha se kabineti i tij mbetet i vendosur për mbrojtjen e interesave kombëtare dhe rrugën drejt BE-së.
Mickoski tha se qeveria e tij nuk do të bëjë asgjë në kundërshtim me interesat kombëtare dhe orientimet strategjike të qytetarëve duke aluduar për mosmarrëveshjen me Bullgarinë dhe mosndryshimin e Kushtetutës për përfshirjen e komunitetit bullgar në të. Sipas Mickovskit qeveria nuk do të lëshojë kurrë pe për ndryshimin e Kushtetutës, për shkak se ky do të ishte nënçmim dhe turp për qytetarët e Maqedonisë së Veriut.
“Fokusi i qeverisë mbetet tek integrimi në BE, por jo me ultimatum. Si qeveri nuk do të tërhiqemi nga rruga evropiane, nëse ka nevojë do të bisedojmë me këdo qoftë, do të bisedojmë sa ka nevojë që të arrijmë deri tek marrëveshja dhe kompromisi që do të jetë dinjitoz dhe që nuk do të lëndojë sërisht ndjenjat”, tha Mickovski.
Neziri: Qeveri e pakoordinuar
Analisti politik Xhelal Neziri mendon se gjatë tremujorit të parë qeveria maqedonase ka qenë e pakoordinuar për të bërë reforma.
“Kemi një funksionim të qeverisë që është në kundërshtim me tri shtyllat e programit të saj: integrimi në Bashkimin Evropian, zhvillimi ekonomik dhe lufta kundër korrupsionit”, thotë Neziri duke nënvizuar se qeveria nuk ka arritur t’i miratojë ndryshimet kushtetuese, edhe pse fillimi i mandatit do të ishte një kohë e përshtatshme për t’i bërë ato, sepse nuk do të shkaktonte edhe aq shumë dëme politike për vetë partitë që përbëjnë koalicionin qeverisës.
Arsovski: Nga qeveria priten përgjigje
Qeveria do ta ketë shumë të vështirë që të ketë sukses dhe të bëjë ndryshime në kornizën e negociatave, mendon analisti politik Petar Arsovski, duke komentuar përpjekjet e qeverisë për të arritur një marrëveshje të re me Brukselin për vazhdimin e negociatave.
“Ndërkombëtarët nuk e kuptojnë nevojën tonë për të rishikuar këtë paketë, ata e konsiderojnë atë një punë të përfunduar dhe presin që ne të përfundojmë disa përgjegjësi të marra siç është ndryshimi i kushtetutës. Qeveria duhet të jetë e ndershme dhe duhet ta reduktojë strategjinë e saj në absurditet. Qeveria pas 100 ditësh funksionimi thjesht duhet të japë një përgjigje për pyetjen se si të arrihet integrimi evropian pa propozimin francez”, thotë Arsovski.
Filipçe: Qeveria më e paaftë që nga pavarësia e shtetit
“Kemi 100 ditë justifikime në vend të zgjidhjeve, izolim në vend të integrimit dhe një shoqëri të dominuar nga pasiguria. Paralelizmi mes premtimeve dhe realitetit është i zymtë. Maqedonia e udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja nuk do të jetë krenare.” – tha kryetari i partisë më të madhe opozitare maqedonase LSDM, Venko Filipçe.
Sipas tij 100-ditëshi i parë i qeverisë është “një periudhë skandalesh, zhgënjimesh, premtimesh të thyera dhe ngecjesh. Venko Filipçe e akuzoi qeverinë për shkelje të premtimeve, administratë partiake dhe ulje të standardit jetësor. “Vendi po shkon në drejtimin e gabuar”, tha kryetari i LSDM-së Venko Filipçe.
Kritika nga opozita shqiptare
Opozita shqiptare e përfaqësuar përmes Frontit Evropian e quan qeverisjen e VMRO-DPMNE-së dhe VLEN-it 100 ditë dështimi, nënçmimi dhe përbuzjeje. Kritikat e lidhen kryesisht me përfaqësuesit shqiptarë në qeveri për ligjin e gjuhëve, largimin e shqiptarëve nga institucionet dhe abrogimin e balancuesit për punësim në administratën shtetërore./DW/
Osmani dekoroi me Urdhrin e Pavarësisë, Anne Marie Lizin
Partia Social Demokrate tërhiqet nga negociatat e qeverisë n...
Kurti: Mbrojtja e burimeve ujore dhe rritja e kapaciteteve t...
FIFA pajtohet me vendimin e Arabisë Saudite për të ndaluar a...
Aliu: Trafiku ajror në Prishtinë funksionon pa ndërprerje fa...
Schnetzer: Austria vazhdon të jetë investitori i pestë më i ...