Google ADS

10 milionë euro për lirimin e”Grupit të Kumanovës”

18:20 | 13 Prill 2017
Arbresh.info

Policia ka shtuar masat e sigurisë nëpër burgjet ku po mbahen të akuzuarit për rastin e Kumanovës. Motiv i masave të tilla janë tentativat e mundshme për lirimin e të burgosurve.

Alsat mëson nga burime anonime se ka grup të gatshëm i cili mund të merr përsipër lirimin e arrestuarve nga Kosova. Sipas informatave të pakonfirmuara në lojë janë 10 milion euro. Ministri i brendshëm Agim Nuhiu konfirmon se në burgje janë shtuar masat e sigurisë.

”Burgjet e Maqedonisë kanë raport bashkëpunimi me MPB-në dhe ne e kemi obligim ligjorë që t’i ofrojmë shërbime në pikëpamje të sigurisë kur burgjet drejtohen tek ne për një kërkesë të tillë. Në varësi të vlerësimeve që bëjnë vetë autoritete e burgjeve ne i ofrojmë edhe forcat speciale për t’i siguruar burgjet” – deklaroi Agim Nuhiu për Alsat-M, ministër i Brendshëm.

Megjithatë Nuhiu shton se për momentin shërbimet e MPB-së nuk kanë informacion se në ndonjë rajon të caktuar ka lëvizje të grupeve të armatosura.

”Tani për tani ne nuk kemi të konfirmuara indikacione apo informacione të cilat mund të çojnë në drejtim të çështjes që ju e parashtroni”– shtoi Agim Nuhiu.

Informacione të llojit se grupi i Kumanovës është nën shënjestrën e një grupi i cili ka për qëllim lirimin e tyre kishte edhe më herët. Në muajin nëntor, Byroja për Siguri Publike kishte njoftuar Sektorët për Punë të Brendshme në nivel republikan, ku më pas pasuan masat konkrete. Të akuzuarit për rastin “Lagjja e Trimave” asaj kohe u larguan nga burgjet në Shutkë dhe Manastir dhe kryesisht u vendosën në burgun e Ohrit. Ministria e Brendshme aso kohë kishte njoftuar se bëhet fjalë për indikacione dhe se largimi i të burgosurve ka për qëllim parandalimin e ndonjë sulmi të mundshëm.

Nga burime brenda MPB-së, Alsat kishte mësuar se dikasteri në fjalë ka pasur dyshime se në malësinë e Likovës për katër ditë ka qëndruar një grup i armatosur nga Kosova. Një gjë të tillë, Alsat M nuk ka arritur ta konfirmojë. Pas këtyre informacioneve, siguria ndaj të akuzuarve për rastin “Lagja e Trimave” u shtua edhe më tepër. Edhe në seancat gjyqësore vërehet prezencë e madhe e forcave policore, ndërsa një pjesë e të akuzuarve transportohen me helikopter. Për të shmangur çdo kërcënim të mundshëm, Ministria e Brendshme ndryshoi edhe trajektoren e transportimit, duke i sjellë të akuzuarit në gjykata përmes qarkores së Shkupit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme