Kësaj i thonë zgjidh nga do të të merret fryma: nga covid prej lakuriqit të natës a nga borxhi prej qeverisë!
Nuhatja e shija kompromentohen nga Covid-19 dhe përveç masave për parandalim të prekjes me sars-covid2, nuk kemi mënyrë tjetër për t’u mbrojtur.
Mirëpo të na kompromentohen sy, veshë e tru nga qeverisja dhe të mos përdorim asnjë masë mbrojtjeje me ndërgjegje, kjo e bën edhe më të rrezikshme situatën. Pse?
Me vëmendje ndjek shpjegimin e autoriteteve financiare e drejtuese në vend mbi veprimet e tyre në kushtet e krizave të shumfishta: pandemi, izolim, situatë post tërmet, krizë konsumi, krizë prodhimi, krizë investimesh të huaja, krizë politike, mungesë gjykatash etj, etj, etj. Dhe me shumë dëshirë e vullnet do t’i mirkuptoja në marrjen e masave edhe jo popullore, në emër të zgjidhjeve, që shmangin kolapsin. Por kur ndeshesh me argumentimet e tyre, me gjithë respektin për njeriun përtej postit shokohesh.
P.sh, në kulmin e një krize konsumi për shkak të rënies së punës së bizneseve, rritjes së papunësisë prej pandemisë, rënies së të ardhurave prej qarkullimit të ulët, mbylljes së aktiviteteve, uljes së blerjeve për shkak të pasigurisë, uljes së kreditimit prej nevojës për kursim në kushte paqartësie, në rishikimin e buxhetit qeveria sheh të arsyeshme projekte si rruga Milot-Fier i padiskutuar më herët ne planet e investimit me kosto 1,2 miliard euro nga xhepat tanë, tuneli i Llogarasë, kampuse…si ka mundësi, që një krize konsumi i përgjigjesh me rialokim fondesh në këto projekte infrastrukturore me kosto të jashtëzakonshme për taksapaguesit, pyet autoritetin? Të thotë se kjo vjen në kuadër të faktit se rekuperimin e ekonomisë kjo qeveri ia ka besuar rindërtimit. Kur pyet se përse projekte infrastrukturore të kësaj natyre nuk iu lihen institucioneve financuese, nga Berzh e BB siç ndodh edhe në rajon, të përgjigjen publikisht se ka mënyra e mënyra, ne kemi zgjedhur këtë, pra PPP-të. Kur u kujton se menaxhimi i fondeve për rindërtimin ka qënë pika nevralgjike e donatorëve dhe kredituesve e për këtë një pjesë e mirë, përfshi shtetin turk kanë vendosur t’i ndërtojnë vetë shtëpitë e pas tërmetit, të thonë se kemi plot të tjera, që do t’i menaxhojmë vetë e do ta shihni sa mirë do ta bëjmë. Si? Si rrugët, që nuk po i shohim ende, por kostoja u ka vajtur mbi 10fish i standardeve europiane? Si Unaza e Tiranës? Teatri Kombëtar? Milot-Balldren? Konçesionet në shëndetësi? Aeroportet nga veriu ne jug? Inceneratorët? Si?
Por kanë recetën gati pas pyetjeve mbi mosmbështetjen me mjete përkatëse të krizës së konsumit: Amnistinë fiskale. Kur i pyet a është e mundur të gjurmohen paratë e pista siç thonë të gjithë organizmat e rëndësishëm financiarë, të përgjigjen: “Epo FMN normalisht do ta kundërshtojë në parim amnistinë fiskale!”. Kur shton se nuk flasin në parim, por konkretisht, se nuk keni mekanizma efektivë për ta kontrolluar paranë e pistë, që mban Shqipërinë edhe në listën problematike të Money Value, të përgjigjen se janë dërguar në një vit 370 dosje prej gjurmimit me mjetet tona në prokurori pavarësisht se në fund rezultati është 0. Kur këmbëngul se si do t’ja bëni nëse aksh person i përfshirë në aktivitete kriminale, një politikan a zyrtar të përjashtuar me ligj nga amnistia munden t’i kalojë paratë në emër të një të besuari, si do mund të shmangni hyrjen në ekonomi të kësaj paraje, të thonë se do ngrenë task forca në tatime. Në cilat? Ato që nuk luftuan dot evazionin, që të detyron të bësh amnisti? Që nuk grumbulluan dot të ardhura e dështuan me bujë e për këtë detyrohesh të bësh amnisti kundër çdo sugjerimi ndërkombëtar?
Por edhe me gjithë bujarinë e idesë se tek e fundit paraja e pistë ka bërë disa ekonomi botërore, të mjafton një vëzhgim i thjeshtë. Po tek ne, ku ka hyrë si në han pa porta kjo parà, kur bëri ekonomi vallë? Thjesht na la më të varfrit në Europë.
Nuk po flas ndërkohë për dimensionin moral të amnistisë, që i lë të ndershmit të tulatur përballë evazorëve. Dhe kur pyet autoritetin sa përllogaritet përfitimi ekonomiko-financiar i amnistisë, pa iu dridhur qerpiku të gjegjet: “ta bëjmë dhe e shohim! Nuk kemi si ta dimë!” Hë? Po tek e fundit a nuk miratohen projektet madhore pa studime fizibiliteti? Se mos përmendi ndonjë aitoritet sa do jetë përfitimi ekonomiko-social i aksit Milot-Fier a projektesh të tjera, që shkëlqejnë në 3D e rrezikojnë të bëhen makth përndjekës në breza për ekonominë e financat e fëmijës, fëmijës së fëmijës e përtej…
Dhe arrin mandej kulmi kur një ministër pohon me vetbesim se asnjë euro nuk do t’i paguhet një investitori, që ka fituar arbitrazhin ndërkombëtar në vlerën e 110 milionë eurove, ndërsa një tjetër ministër pohon se vendimet e arbitrazhit janë të ekzekutueshme me detyrim e se po pregatitemi të negociojmë mënyrën e pagesës. A janë ministra të një qeverie? Apo njëri i Panamasë e tjetri yni?
Pyetjet shterojnë, sepse me gjithë faktet e listuara, megjithëse KLSH llogarit dëmin nga kjo administratë mbi 6 miliardë euro, megjithëse borxhi, që do shlyejmë të gjithë bashkë shkon mbi 10 miliardë i deklaruar dhe ca miliarda të tjerë i fshehur prej PPP-ve, borxhit të pushtetit vendor, detyrimeve të pashlyera e vendimeve të arbitrazhit ndërkombëtar, ne i kemi shqisat të kompromentuara. Dhe kjo na ndodh kur na shtohet edhe shuarja e senseve nga covid-19.
Kësaj i thonë zgjidh nga do të të merret fryma: nga covid prej lakuriqit të natës a nga borxhi prej qeverisë! Zgjidh! Se për ta zgjidhur u mor vesh, s’do!/kohajone/
OJQ-të në Serbi paraqesin kallëzim penal për spiunim
Kurti priti në takim lamtumirës ambasadorin Hovenier: Kosova...
Ndahet nga jeta ish-kryeministri indian Manmohan Singh
Manchester United vazhdon me seri negative, mposhtet edhe ng...
Osmani dhe Hovenieri bëjnë homazhe tek shtatorja e president...
Kurti dhe Nagavci takuan studentët përfitues të bursave nga ...