Shkruan: Gazmend Morina
Qeveria LDK-PDK e drejtuar zyrtarisht nga kryeminsitri Isa Mustafa dhe jo zyrtarisht edhe nga lideri i ri i PDK-së, Kadri Veseli, i cili është faktikisht kryeministër i ministrave të PDK-së, e ka zhytyr Kosovën në një krizë të thellë politike dhe ekonomike.
Për dallim nga Qeveria Thaçi 1 dhe Thaçi 2, kur opinioni publik dhe politikat e saj kanë qenë kryesisht të lidhura me shtrimin e autostradave, rritjen e pagave në sektorin publik, dialogun me Serbinë dhe liberalizimin e vizave, kjo e Isa Mustafës është bllokuar tek kjo çështja e fundit, e cila i ka mbetur si ‘patate e nxehtë’ në duar nga tashmë presidenti Thaçi.
Me korrupsionin e shumëpërfolur, Thaçi arriti përfundimin e autostradës me Shqipërinë dhe disa gjysmë autostradave tjera, sikur se që edhe përkundër vërejtjeve të mëdha nga FMN, në kohë fushatash rriste pagat e të gjithë atyre që paguheshin nga buxheti shtetëror. Ish lideri i PDK-së nisi dialogun me Serbinë, i cili nuk i solli ndonjë të mirë Kosovës, por që i mbeti Isa Mustafës për ta vazhduar, përkatësisht për ta pezulluar tashmë.
Dështimi kryesor i Qeverisë së drejtuar nga Isa Mustafa është mos liberalizimi i vizave, i cili është bllokuar për shkak të një kriteri të çuditshëm, demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.
Siç e dimë për kalimin e demarkacionit në Kuvend duhen 80 vota, përderisa koalicioni qeverisës i ka 89 vota. Pra, ka deputetë të mjaftueshëm, të cilët në raste të caktuara kanë treguar se edhe përkundër veprimeve protestuese të opozitës në Kuvend, janë në gjendje që të votojnë edhe në salla alternative.
Mirëpo, po shihet se opozita ka arritur t’i bind disa deputetë të pozitës së demarkacioni në këtë formë që po e prezanton Qeveria është i gabuar, dhe siç bëjnë zakonisht njerëzit e LDK-së kur gjenden në pozita, këtë traditë po e vazhdon edhe Isa Mustafa duke mos marrë vendime të mëdha. Pra, as nuk ka guxim ta dërgoj në Kuvend për votim, e as nuk është në gjendje ta ndryshoj, thjeshtë zgjedh të blejë kohë dhe të pres momentin e ‘përshtatshëm’, i cili për rreth 2 vite nuk po i vjen.
Kjo nuk është se po i bënë shumë dëm LDK-së, pasi që kërkesa e ndërkombëtarëve për votimin e Asociacionit dhe Demarkacionit në këtë mandat qeverisës, po i mundëson Isa Mustafës konsumimin e mandatit të tij, të cilin më së shumti PDK-ja po dëshiron ta përfundoj para kohe, për shkak të frikës që mund të ketë tronditje në skenën politike nga Gjykata Speciale.
Pas shumë kohë zvarritje, ka ardhur momenti i fundit që demarkacioni të dërgohet në Kuvend për votim dhe nëse nuk aprovohet, atëherë i humb kuptimi ekzistimit të këtij koalicioni qeverisës, i cili nuk është se i ka sjellë ndonjë të mirë Kosovës, sidomos në aspektin ekonomik, për të cilin kritika të mëdha kohëve të fundit ka dhënë edhe lideri i PDK-së.
Në anën tjetër, nëse demarkacioni kalon në Kuvend dhe plotësohet ky kriter për liberalizimin e vizave, atëherë kjo Qeveri do të duhej që në mënyrë të turpshme të largohet, për shkak se dëshmohet se për 2 vite i ka pasur numrat dhe ka zgjedhur ta zvarris kalimin e demarkacionit dhe rrjedhimisht ta zvarris edhe liberalizimin e vizave.
Zgjedhjet janë zgjidhje edhe nëse nuk kalon demarkacioni, për shkak se në vitin 2014 PDK e LDK nuk i kishin kërkuar votat në fushatë për ta kaluar demarkacionin, ndërsa tash për shkak të presionit ndërkombëtar dhe qendrimeve të tyre dy vjeçare do t’i kërkojnë votat edhe për këtë çështje dhe nëse njëra nga to del e para dhe rrjedhimisht e formon qeverinë, atëherë do të duhej që patjetër të votohej kalimi i demarkacionit.
Kalimin e demarkacionit do ta kanë më të lehtë, pasi që edhe Isa Mustafa ka deklaruar se deputetët që nuk e votojnë demarkacionin, nuk do të hyjnë në listat e ardhshme zgjedhore dhe kështu do t’i kishin numrat e mjaftueshëm për votim në Kuvend, edhe pse ndonjëra nga to mund të mbetet në opozitë, por që do ta ketë obligim votimin e demarkacionit.
Ndërkaq, nëse Vetëvendosje ose AAK-NISMA, apo nëse që të tri partitë lidhin një koalicion eventual, i fitojnë zgjedhjet e ardhshme, demarkacioni duhet të rishikohet, ku në variantin më të butë do të duhej të dërgohej në Gjykatën e Arbitrazhit.
(Autori është kryeredaktor i portalit Veriu.info)
Shërbimi Korrektues nesër mban Maratonën “Vrapimi i Nd...
Përkeqësimi i motit sjell probleme me energjinë dhe rrugë të...
“Mbaje përgjegjësinë”, Sara e rreptë me Drilonin – por pse?
Dardan Berisha: Kosova ndaj Irlandës do ta tregojë fytyrën e...
Njëmbëdhjetë persona të vrarë nga sulmet e Izraelit në Bejru...
Ushtarët e KFOR-it kryejnë patrullime në qytetin e Istogut