Nga: Naim Murseli
Kur dembelizmi profesional, kur paragjykimet mbi baza etnike zbulojnë shkaqet e rrejshme të një katastrofe ekonomike për një vend si Kosova, shkatërrojnë reputacionin e një gazete serioze gjermane dhe me gjasë kompromentojnë dhe karrierën e një gazetari.
Gazetat më serioze të botës, mediat më të rëndësishme të saj janë marrë gjatë dhe cilësisht kohët e fundit me kuptimin e shkaqeve të emigracionit masiv kosovar të kohëve të fundit, i cili përplasi në dyert e Europës dhjetra mijëra bashkëqytetarët tanë. Gjithçka ka qenë plotësisht e justifikuar, dhe plotësisht e dobishme sakohë që Kosova është pjesë e botës në shumë plane dhe pikërisht ai eksod jo i dhunshëm, vullnetar i kosovarëve drejt Europës, shumë vite pas çlirimit ishte dhe mbetet lajm botëror.
A ka lidhje një shkrim me titull “Frustrierter fürst” i redaktorit politik të gazetës serioze gjermane Die Welt, edicioni i së dielës, Boris Kalnoky me zbulimin e shkaqeve te krizës së fundit humanitare të Kosovës? Është një artikull që në fakt i kushtohet fund e krye karrierës së Behgjet Pacollit dhe aty nuk përmendet kurrfarë krize! Ky artikull që me gjasë vjen pas një udhëtimi të Kalnokit në Kosovë nuk flet asgjëkundi për krizën e fundit kosovare!! Ai flet vetëm për karrierën profesionale të Behgjet Pacollit, që sipas Borisit “pasi u ndërtua mbi mashtrimin që i ka lejuar atij shumë fitime, u ngrit shumë lart edhe politikisht dhe tash po bie poshtë duke u rikthyer në biznes”! Asnjë fjalë për krizën e Kosovës që mbetet lajm dhe sot. Çfarë thua ta ketë frymëzuar atëherë këtë redaktor me përvojë për çështjet ballkanike që të shkruajë një artikull kaq të dobët profesionalisht kundër një personaliteti si Pacolli? Ky artikull vërtet antiprofesional, kjo vepër e pistë “profesionale” ngjan të jetë llogaritur fiks për të ushqyer më pas një “taborr” të mediave tona, të cilat në fakt janë treguar dhe mosmirënjohëse. Duke ditur refuzimin e qytetarëve shqiptarë të Kosovës për emrat slavë, nuk ja kanë cituar madje as emrin eautorit: Boris Kalnoky, por vetëm emrin e gazetës serioze Die Welt. Zaten vetëm logoja serioze duhet për të ricikluar a brenda një artikulli si ky. Emri Boris Kalnoky do ishte i tepërt dhe kompromentues në lojën për të manipuluar qytetarët e Kosovës me frikën nga rreziku i madh që u vjen prej Behgjet Pacollit. Dhe taborri e vijoi zinxhir veprën e vet përbaltëse me një shpejtësi të madhe sikur të ishte sinkronizuar me Borisin që kur ai mori rrugën për të bërë artikullin kundër Pacollit! Ca nga dembelizmi i copy paste të lajmeve, ca nga averzioni për Behgjet Pacollin, dhe pamundësia për t’ju qasur politikanit ndërrmarrës ndryshe. Ky taborr nuk piu ujë drejtpërdrejt në burimin gjerman, por në atë të Kohës Ditore, të njohur për fushatat e egra ndaj Pacollit. DHe lajmi u qeth në ato pak pjesë të cilat mund të flisnin pozitivisht për të pa respektuar rregullën minimale: duke ofruar pikëpamjet e të sulmuarit.
Çfarë reflekton ky shkrim?
Unë e kuptoj gazetarinë qartësisht, mekanizmin sesi një lajm i komentuar për “gjoja mashtrimin e punëtorëve nga Pacolli, duke i vonuar rrogat një vit”, përsëritet në fotokopien e portaleve bartëse te dembelizmit tonë profesional. Por dhe artikulli gjerman reflekton qartësisht një shkallë të lartë dembelizmi profesional të autorit të shkrimit, të redaktorit të vet dhe gjithë mekanizmit mbikqyrës të një gazete prestigjioze. Ai emeton në çdo rresht përçmim mbi baza etnike për suksesin e dikujt që nga Kosova e varfër ka ndërtuar në Perëndim dhe Lindje, pasi ka studiuar shkëlqyeshëm në Gjermani ku ka bërë punë të rëndomta. Vetëm motive të neveritshme njerëzore mund ta kenë shtyrë një redaktor me eksperiencë të një gazete kaq të rëndësishme gjermane të shkelin gjithë kanunet profesionale të njerës prej gazetarive më serioze në botë. Përfundimet e mia mbi këtë “ndërmarrje gazetareske” përbaltëse, cënuese të emrit të Pacollit, janë plotësisht të verifikueshme.
Gazetari Boris Kalnoky rezulton (besohet në rastin më të mirë se ka udhëtuar në Kosovë) që e ka mbështetur shkrimin e vet në vetëm dy burime. Një personazh që qenka një ish punëtor i MABETEX (emri i vërtetë i të cilit nuk jepet) dhe korrespondenti i Al Jaziras në Ballkan, i cili flet me njëlloj korrektësie për Pacollin, si për balancë gjoja, dhe ky korrespondent është fshirë në përkthimin shqip që vjen prej kuzhinës së Kohës. Si ka mundësi që asnjë rregull profesional, asnjë standart etik, asnjë frymëzim njerëzor të mos e ketë shtyrë këtë “profesionist” të kontaktojë Pacollin, kompaninë e tij për të ndërtuar këtë profil të rrejshëm të një ndërmarrësi të madh të ndërtimit? Si ka mundësi që ky njeri pa respekt për vetëdijen e vet profesionale dhe dinjitetin njerëzor të mos ketë patur shtysën, mendimin kritik për të kapërcyer modelin e rrejshëm të Behgjet Pacollit, krijuar prej riciklimeve të vazhdueshme të shtypit rus, atij serb, pjesërisht atij shqiptar? Si ka mundësi që ky autor që jeton në perëndim të besojë një dokërr kaq kundërthënëse: një njeri që qarkullon miliarda në ndërtimet e veta në shtetet e Azisë, nuk ka nevojë për metelikët e fituar nga vonesat në pagimin e rrogave. Me një fabul të tillë mund të mashtrosh lexues të përciptë të viseve tona, por një lexues gjerman jo.Boris Kalnoky-t, nuk i është nevojitur ardhja në Kosovë për të shkruar kundër Pacollit një kryevepër si kjo. Mjafton të bisedonte me njerin prej këtyre kolegëve të vet që vjell në shqip njëjtat marrëzira kundër Pacollit, marrëzira që pastaj ja servir kolegëve të vet të gjuhës gjermane t’i shkruajnë të njëjtat, anipse me njëfarë autocensure perëndimore si e Kalnokyt. Nuk e di nëse ka ndodhur një udhëtim i Kalnokit me dikënd të specializuar kundër Pacollit, sepse kjo bisedë do ja kishte kursyer gazetarit hungarorumun, udhëtimin në kafenenë e Likocit që sipas artikullit është plot tym duhani. Ky prototip gazetari gjobëvënës kërceu menjëherë nga lumturia për botimin e artikullit të Die Welt dhe subkoshienca e tij i tha në serbisht “ma idite bre në një postim në facebook. Kish të drejtë: ja dhe gjermani serioz po e sulmonte Behgjetin me fjalët e tij! E besoj këtë skenar, pse e di që shpesh në botën e shkrimtarëve të dobët qarkullojnë sinopset apo skenarët e romaneve të dobët që ata ja vjellin njeri tjetrit në orën e pijes! Por nëse kuptohet këmbëngulja e këtij shqiptari që kurrë nuk u gjermanizua, nëse janë për t’u mëshiruar aradha e gazetave apo portaleve që e kanë përkthyer në mënyrë të cunguar këtë artikull, kryevepër të parazitizmit profesional që kurrë s’ka lidhje me kulturën gjermane të punës, si duhet kuptuar frymëzimi i zotëri Kalnokyt?
Serioziteti i cënuar i Die Welt
Kjo gazetë, nëpërmjet lehtësisë me të cilën ka botuar një shkrim si ky ka treguar përçmim mbi baza etnike për suksesin e një shqiptari nga Kosova në botën e madhe të ndërtimtarisë botërore. Veprat për të cilat përflitet ai rregullisht në riciklimin kënetor me burim shtypin e verdhë rus, janë në sytë e botës. Këto vepra në Perëndim dhe në Lindje, në Rusi dhe në Kazakistan apo gjetkë, janë vepra të ndritshme ashtu si janë dhe të shumë ndërmarrësve që vijnë nga Gjermania, partneri i tretë ekonomik i Kazakistanit. Këta gazetarë të përciptë dhe dembelë nuk kontestojnë cilësinë e veprës, por rrugën për të fituar garat. Shteti ligjor ka vetëm një mënyrë për ta kontestuar rrugën si fitohen garat- 3 shkallët e drejtësisë. Drejtësia ruse, zvicerane, ka folur për këto akuza dhe është tërhequr, madje dhe autorja e sulmeve mbi UCK-në, Karla Del Ponte që citohet si emër tingëllues prej Kalnokit. Kush ka punuar shumë dhe cilësisht, në ndërtim ashtu si dhe në gazetari e di fare mirë se veprat e mira hapin rrugë vijimësisht për vepra të tjera të mira. Kurse vepra të shëmtuara si ato që ushqehen në artikujt e porositur të shtypit të verdhë rus, megjithëse rishkruhen në perëndim, janë njëlloj të shëmtuara.
Raporti i vërtetë i Pacollit me Kosovën!
Ka një vijë lidhëse negativiste në shkrim, përbaltja e raportit të Pacollit me Kosovën. Ky gazetar shpif pa kurrfarë baze ku ta mbështesë përfundimin e vet drakonian se ndërsa gjithë Kosova është pro hyrjes në NATO, Pacolli mban marrëdhënie të padëshiruara me Rusinë. Në këtë pikë ai thjesht pohon diçka të vrazhdtë për gojën e një perëndimori: se vendi ku ai punon, Gjermania ka një pafundësi marrëdhëniesh njerëzore, biznesi, shtetërore në rrafsh miqësor apo konfliktual me Rusinë.
Dhe pika më qesharake brenda këtij artikulli të konceptuar thjesht dhe vetëm për të dëmtuar imazhin e Pacollit në Kosovë dhe në perëndim duke keqpërdorur logon e një gazete serioze si Die Welt është diçka tjetër që ngjan si boshti i fabulës së shkrimit: Pacolli që mashtroka punëmarrësit kosovarë duke mos i paguar!!!! Nëse ky njeri do dëshironte të kontaktonte Pacollin, MABETEX, ose zyrat e taksave në Zvicër do mësonte se në gjithë degët e MABETEX punojnë mbi 10 mijë kosovarë, dhe mbi 2000 vetëm në Kosovë. Si ka mundësi që njeri nëse s’është i shpikur, të mjaftojë për një shpifje monstruoze? T’i shesësh publikut perëndimor, publikut skrupuloz gjerman fabulën e njëfarë alias Gazmend Ahmeti, i cili qenka rrejtur bash prej premtimeve individuale të Pacollit që e harxhoka kohën sa me “diktatorët e Lindjes, aq dhe duke rekrutuar punëtorë si Gazmendi” është mjerim profesional, është fyerje për inteligjencën e publikut gjerman dhe kujtdo publiku qoftë.
Fati i Kosovës
Kosova nuk është në këtë gjendje të paimagjinueshme prej çlirimtarëve të vet perëndimorë në 1999, kur kosovarët shpresëplotë ktheheshin mes gërmadhave për të ndërtuar të ardhmen, pse Behgjet Pacolli u bë zëvendëskryeministër apo president apo pse ai mashtroi. Behgjet Pacolli s’pati kurrë mundësi të zbatonte idetë e veta, eksperiencën e vet unike në ndërmarrësi, ku kultura gjermane, eksperienca gjermane, standartet etike gjermane kanë peshë kryesore. AKR –ja e tij kurrë s’pati peshën që të impononte diçka. Kosova dështoi, pse ushtrimi fëminor dhe kriminal i pushtetit prej çlirimtarëve vendorë të etur për pushtet dhe pasuri, u kritikua prej mediave pa bazament moral ku lëvronin gjobëvënës të kualifikuar apo foshnjarakë si ata që kanë ushqyer Kalnokin me steriotipet e tyre të mjera. Njihet kjo lloj simbioze: diktatorët e rinj ballkanikë bashkëjetojnë gjatë në një gjoja marrëdhënie konfliktuale të personalizuar me do kritikë si ky takëm gjobëvënësish. Kosova ngjan se po dështon dhe bashkë me të dhe investimi perëndimor për një shtet të begatshëm me rini të shkëlqyer dhe plot burime natyrore edhe për një arsye tjetër shtesë. Por dhe mediat perëndimore ndonjëherë ndihmojnë pak. Një pjesë e mirë e tyre mbajnë në punë njerëz si Boris Kalnoky apo shokë të tij të vjelljes së skenarëve që i përçmojnë shqiptarët e punës dhe të suksesit dhe himnizojnë figura të rrejshme, viktima të frustrimit të tyre real që i ka bërë t’i shpallin luftë dhe ambasadorëve amerikanë. Më vjen keq për Kosovën time që s’ka ku ta gjejë ndihmën. Prej Pacollit shpëtoi mbase me hilet zgjedhore dhe me makinacionet e shëmtuara politiko-mediatike, po vallë a po i ndrin e ardhmja, me këtë klasë politiko mediatike që ka?
(Autori është ish kandidat për deputet në parlamentin suedez)
Kroacia synon të rivendosë shërbimin e detyrueshëm ushtarak ...
Ngjarjet e ditës së sotme
Begaj uron Krishtlindjet: Kjo festë e ndritur na fton të ref...
Vajzat e shtëpisë e ‘kallin’ festën me kërcime sensuale
Disa kuriozitete rreth Krishtlindjes
Rama: Ju uroj të gjithë besimtarëve të krishterë, gëzuar Kri...