Shkruan: Elvinë Sefiu
Përfaqësimi në nivelin nacional, është deri në një masë edhe pasqyrë e përfaqësimit në nivel lokal. Sa them të përcjelli kandidatët që synojnë të marrin përgjegjësinë për kujdes të dhjetëra mijëra banorëve, qysh në minutat e parë ndjejë zhgënjimin.
Fillimisht falë zhvillimit të teknologjisë, tashmë po kemi mundësinë t’i ndjekim më tepër për politikat programore të qeverisjes për secilën komunë, pa qenë nevoja të jemi prezent në tubimet e tyre.
Por, hallin e kam pikërisht tek mediet që nuk kanë qasje kritike ndaj kësaj kampanje!
Si mund të bëjë zgjedhjen e duhur qytetari kur mediet shiten për pak para të transmetojnë ‘pollavrat’ që shpesh herë nuk ju besojnë as vetë kandidatët për kryetar komune dhe kuvende komunale?
Si ndodhë që për këta kandidat, në mungesë të qasjes kritike për nivelin profesional që përfaqësojnë, e që fatkeqësisht shpesh herë prej një analfabeti, këto medie thurin lavde se po na e permirësuakan mirëqenien sociale? Si ndodhë që secili kandidat për të njejtën komunë, po na e përmirësuaka?
Jam në hall e nuk po e di se kujt do të duhet t’ja jap votën!
Si do të ndodhë që pas gjithë këtyre lavdeve edhe pas raundit të dytë të balotazhit do të jenë të njejtat medie që do të na raportojnë se si qytetarët kanë bërë zgjedhjen jo të duhur për ‘X’ kandidatin, duke përdorur eksponentë të ndryshëm si ‘analistë’, politikanë, ‘shoqëri civile’, qytetarë, siç po ndodhë edhe me nivelin qendror.
Besoj se tashmë është kuptuar që para ç’kapjes së medieve nuk mund të ç’kapet një shtet i tërë…
Nëse do të raportohej se si kandidatët për Prishtinën nuk kanë në programin e tyre si punë të parë eliminimi e përdorimit të drogës në shkollat e mesme, qytetarët dhe vetë të rinjtë, do të ishin më sy hapur pranë kutive të votimit.
Nëse do të raportohej se si kandidatët për Prizrenin nuk kanë në programin e tyre se si të ndërpresin ndërhyrjet pa leje në pronat e trashëgimisë kulturore, qytetarët do të ishin më real në zgjedhjen e kandidatit.
Nëse do të raportohej se si kandidatët për Gjakovën nuk kanë platformë të investimeve nëpër fshatra për t’i trajtuar si qytetarë të barabartë të gjithë pavarësisht vendit ku jetojnë, sigurisht se do të reflektonin edhe qytetarët në votën e tyre.
Nëse do të raportohej se si kandidatët për Mitrovicën nuk kanë kompetencë të bashkimit apo ndarjes së Mitrovicës, dhe se çështja e kufirit mes dy Mitrovicave është e kryer, qytetarët do të votonin lokalisht dhe jo nacionalisht.
Nëse do të raportohej se si kandidatët për Gjilanin nuk e kanë asnjë projekt se si t’i sigurojnë qytetarët se kur marrin leje për ndërtim të patundshmërive do ta kenë bashkë me të rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimin, qytetarët do ta kuptonin se këta kandidatë janë në shërbim të qytetarëve, dhe jo e kundërta.
Nëse do të raportohej se si kandidatët për Ferizaj nuk parashohin ndaljen e objekteve pa leje, dhe rrënimin e atyre ekzistuese e jo legalizimin e tyre, ferizajasit me votën e tyre do zgjedhin se në çfarë ambienti do të jetojnë.
Nëse raportohet se si kandidatët për Pejën nuk kanë një plan se si të organizojnë shërbimet publike, konkretisht çështjen e mbeturinave, qytetarët do të kërkonin që ajri i pastër i Dukagjinit të mos ndotet nga pakujdesia e disa personave që aksidentalisht vijnë në krye të dikastereve, dhe “pejont” do të votonin për mushkëritë e tyre.
Nëse raportohet se kandidatët nëpër komunat me shumicë serbe votohen me dirigjim të Beogradit, dhe asnjëherë nuk do të jenë aty për të mirën e vetë serbëve të Kosovës, këta serbë e që në disa prej këtyre komunave ka edhe votues shqiptar, nuk do të prisnin që 3244 serbë nga Rashka e vende tjera nga Serbia, të zgjedhnin se kush nga këta kandidatë do të merret me kthimin e të zhvendosurve.
Edhe diçka për ata që po synojnë kuvendet komunale. Derisa e shihni si vend pune, dhe jo se po delegoheni prej popullit dhe mbani përgjegjësi për mbështetjen që merrni, gjithmonë do të mbeteni kaq të parëndësishëm. Qytetari nuk duhet të ndëshkojë vetëm në nivel nacional, por tashmë është koha ta bëjë edhe në nivel lokal sa herë që nuk i përmirësohet mirëqenia sociale minimalisht brenda katër vjetëve.
Është koha që qytetarët t’i bëjnë programin atyre që pretendojnë të qeverisin në nivel lokal, dhe jo t’i lihet këtyre të fundit të manipulojnë me të drejtën e qytetarëve për të qenë efektiv në fushën ekonomike, shoqërore, politike dhe kulturore.
(Autorja është kryeredaktore në portalin arbresh.info)
Kadrijaj e AAK-së komenton skandalet me subvencione në Minis...
Osmani e Maqedonci takuan Bauerin, flasin për përkushtimin e...
I pandalshëm Edon Zhegrova – ylli kosovar gjen golin në sfid...
Banorët e Bazelit miratojnë fondet publike për Eurovision
Bajrami: Të gjithë ata që mbrojnë të korruptuarit, janë të k...
Anisa: Xheneta nuk ka pasë pëlqim të vërtetë ndaj Gjestit, p...