Shkruan: David L. Phillips
Lajmi i mirë është se nuk pati dhunë në zgjedhjet vendore në Shqipëri. Tensionet mund të shërbenin si shkëndijë e një konflikti vdekjeprurës, duke i njollosur edhe më tej kredencialet demokratike të Shqipërisë. Lajmi i keq
është se zgjedhjet u mbajtën. Kryeministri Edi Rama, pa nevojshëm, e refuzoi dekretin e Presidentit Ilir Meta për t’i shtyrë zgjedhjet. Autoritarizmi dhe joelasticiteti i Ramës nuk është se minon vetëm demokracinë. Gjithaq zbeh kandidaturën e Shqipërisë për në BE. Sot Shqipëria është një shtet një-partiak; Enver Hoxha do të ishte krenar.
Shqiptarët, në masë, aspirojnë për një integrim më të gjerë në institucionet euro-atlantike. Vlerat europiane përfaqësojnë një antidotë të autoritarizmit. Në maj, Komisioni Europian mbështeti çeljen e negociatave për Shqipërinë. Sipas KE, Shqipëria kishte shënuar përparime të rëndësishme në standardet demokratike dhe sundimin e ligjit.
Rama priste që Këshilli i Europës t’i jepte Shqipërisë një datë për nisjen e negociatave. Në një lëvizje të papritur, megjithatë, Këshilli i shtyu negociatat e antarësimit deri në tetor 2019. Duke refuzuar kështu edhe Maqedoninë e Veriut, kandidatura e së cilës ishte çiftuar me të Shqipërisë.
Franca, Gjermania dhe Holanda nuk mendojnë se Shqipëria është gati për antarësim. Shqetësimet e tyre u thelluan nga kërcënimet dhe tekanjozëria e Ramës kundër Metës dhe opozitës. Fakti se shqiptarët shkuan në zgjedhje të dielën, pa patur një alternativë-vetëm kandidatë nga Partia Socialiste e Ramës ishin në garë-ngriti shqetësime serioze rreth përkushtimit të Shqipërisë për standardet demokratike.
Përplasja e fundit ndërmjet Ramës dhe Metës ishte krejt e panevojshme. Meta veproi brenda arsyes duke propozuar shtyrjen e zgjedhjeve deri më 13 tetor. Ai përmendi shqetësimet se zgjedhjet lokale do të ishin jodemokratike pa pjesëmarrjen e opozitës së qendrës së djathtë, dhe bëri thirrje për një proces elektoral më përfshirës dhe më transparent.
Meta, gjithashtu, parashtroi se shtyrja që propozonte do t’u jepte të gjitha partive një shans për të ulur gjakrat dhe për të punuar së bashku për zgjidhjen e problemeve të Shqipërisë. Ai nxiti formimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila do të vendoste për kohën e zgjedhjeve. Pa një gjykatë të tillë nuk ka një zë autoritar për t’i bërë së bashku partitë përreth sundimit të ligjit. Rama kundërshtoi. Ai e kuptoi se refuzimi i Partisë Demokratike dheRepublikane për të marrë pjesë në zgjedhjet vendore kishte implikime kombëtare. Rama arriti në përfundimin, korrekt, se opozita po përpiqej ta çonte vendin drejt zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare. PS është diskredituar nga akuzat për korrupsion qeveritar endemik, manipulime votash dhe lidhjet e Ramës me krimin e organizuar, përfshi trafikimin e narkotikëve.
Megjithëse Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian mbështetën dialogun, Rama e rriti marshin e konfrontimit. Ai bëri thirrje për shkarkimin e Metës, megjithëse Presidenti po vepronte brenda autoritetit kushtetues për të rithirrur zgjedhjet.
Nuk ka një Plan B për vendimin e Brukselit për shtyrjen e datës së negociatave të antarësimit të Shqipërisë. Kundërshtarët e zgjerimit kanë parasysh ultra-nacionalistët në vendet e tyre të cilët kundërshtojnë me
forcë antarësime të reja. Ata druhen se zgjerimi me vende të Ballkanit perëndimor do të aktivizonte më shumë emigracion dhe do të kërkonte më shumë financime për shtetet-antare më të varfra. Narko-trafiku dhe krimi i
organizuar janë gjithashtu një shqetësim.
Tani Shqipëria është në udhëkryq. Duke njohur antipatinë për Edi Ramën në disa kryeqytete europiane, nuk ka garanci se Shqipëria do të marrë një datë për çeljen e negociatave në tetor.
Problemi shumëfishohet nga dështimi i opozitës për të ofruar një alternativë të besueshme. Bojkotimi i zgjedhjeve nuk është politikë (policy). Është një dorëheqje nga nevoja për të ofruar një alternativë të qartë kundrejt PS.
Kandidaturat për në BE të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut janë të lidhura. Megjithatë, ka kërkesa të përsëritura për ‘ndarjen’ (de-couple) e tyre. Parlamenti holandez votoi së fundi kundër bisedimeve të antarësimit
për Shqipërinë, ndërkohë që i hapi dritën e gjelbër Maqedonisë së Veriut.
Shanset europiane të Maqedonisë së Veriut nuk duhen minuar për shkak të disfunksionalitetit të Shqipërisë. Zgjidhja e çështjes së emrit me Greqinë hamendësohej se do ta vendoste Maqedoninë e Veriut në korsinë e shpejtësisë për antarësim në NATO dhe BE. Mungesa e përparimit në këtë rrugë mund të rizgjojë nacionalistët, të cilët e kundërshtonin kompromisin me Greqinë.
Për më shumë, dështimi për sheshimin e dallimeve përmes negociatave ka implikime thelbësore strategjike. Vonesa e vendimmarrjes minon kredibilitetin e BE-së. Dështimi i Brukselit për të vepruar u hap gjithashtu derën rivalëve strategjikë në Ballkanin Perëndimor, si Rusia, Kina dhe Turqia.
Më e mira do të ishte nëse Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut ‘kalonin’ bashkë. Këtyre vendeve duhet t’u jepet një datë për çeljen e negociatave në të njëjtën kohë. Nëse, megjithatë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i certifikon zgjedhjet vendore të së dielës, Brukseli mund të mbetet pa alternativë veç ‘ndarjes’ së Shqipërisë dhe Maqedonisë, duke e vendosur Shqipërinë në ‘dhomën e dënimit’ për një periudhë të papërcaktuar.
Shqipëria gjendet para dy shtigjeve. Rama ka fuqi absolute dhe mund të veprojë në interesin kombëtar të Shqipërisë, ose të ndjekë interesat e ngushta personale, të vetat dhe të partisë së tij. Rama mund të kujtohet si një autokrat që e refuzoi dialogun, ose mund të veprojë si një shtetar, duke nxitur KQZ që të mos i certifikojë votimet e së dielës, derisa të formohet Gjykata Kushtetuese.
Duke mbështetur Ramën, Administrata e Trump ka bërë një zgjedhje false ndërmjet stabilitetit dhe demokracisë. Mbështetja e demokracisë, në fakt, e ndihmon stabilitetin, i çon përpara interesat amerikane dhe e konsolidon
statusin e Shqipërisë si një antare me vlera e aleancës euro-atlantike.
David L. Phillips është drejtor i Programit për Paqen dhe të Drejtat në Institutin për Studimin e të Drejtave të Njeriut në Columbia University. Ai ka punuar si këshilltar i lartë për Departamentin e Shtetit me fokus Ballkanin perëndimor gjatë Presidencës së Clinton-it.
Nura e zëvendëskomandanti i KFOR-it flasin për situatën aktu...
Izraeli e bombardon Bejrutin, teksa liderët e tij pritet të ...
Anisa e ashpër ndaj Gjestit dhe Leos, pasi ky i fundit ia vo...
Kosova dhe Serbia do të ulen sërish për dialog më 17 dhjetor...
“Sistem i ri për monitorimin e shkollave”, Rama: Prindërit d...
Burimi diskuton me Drenushën pasi doli i papreferuar këtë ja...