Nga: Ben Andoni
Që votimi për pranimin e Kosovës në UNESCO ishte politik, kjo s’do shumë logjikë të kuptohet. Por që atë e shfrytëzuan shumë keq politikanët kosovarë kjo po, mbase do një shqyrtim të mirë. Gjithsesi, edhe pse paraqitja e politikës kosovare duhet të thuhet se ishte e mjaftueshme sa i përket lobimit të saj, ajo serbe tregoi se është një makineri e vërtetë që i shfrytëzon shumë mirë qoftë edhe konjukturat tradicionale-politike, që ajo i trashëgon nga ish-federata. Është për të qeshur këtu mënyra sesi serbët e shfrytëzojnë kujtimin e federatës, kur është puna për përfitime. Dhe, akoma më shumë kur nuk pranojnë shumë nga borxhet që kanë ndaj vendeve të ish-ombrellës së Federatës.
Gjithsesi, grupi i lobimit kosovar nuk duhej të harronte dhe njollën e zezë të një dekade më parë, kur në tollovinë e vitit 2004, kur Kosova administrohej nën autoritetin civil të Misionit të administratës së përkohshme të OKB-së në Kosovë (UNMIK), në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së (RKSKB). Për hir të së vërtetës, korniza Kushtetuese, e shpallur nga UNMIK-u, për të mundësuar institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes në Kosovë, nuk arriti të funksiononte si duhej. Dhe dëshmi për këtë ishin ngjarjet e marsit 2004, kur dhuna e kryer nga shqiptarët e Kosovës rezultoi në vdekjen e 19 personave (11 shqiptarëve të Kosovës dhe 8 serbëve), 954 plagosje, dhe dëmtim të madh të pronës, përfshirë këtu edhe ato 30 kishat ortodokse serbe, manastiret, varrezat dhe më tepër se 900 shtëpi. I gjithë ky bilanc po qëllon gati fatal në ditët tona.
Ky ka qenë një argument i përhershëm i serbëve, pasi shqiptarët thirrjet për kallje i parashtronin atëherë deri në RTK, dhe të mos harrojmë se paradoksalisht në ato ditë dhe vetë shqiptarët katolikë të Kosovës kanë pasur marrëdhënie të ndera. Mbase të gjitha këto duhej të ishin manifestuar me një lloj mea culpa gjatë këtyre kohëve, si pjesë e të shkuarës kurse Serbisë nga ana tjetër duhej t’i kujtohej me forcë dhe vazhdimisht, që sot e kësaj dite mban shumë artefakte të gjetura në territorin kosovar. Por, ndërsa serbët e bënë një akt diplomatik me qëndrimin e kreut të Akademisë së Arteve dhe Shkencave, nga ana kosovare, një tërheqje kortezie mungoi.
Në vend të kësaj, politika kosovare e përdori të gjithë fushatën për beneficin e saj politik, duke u përpjekur të heqë vëmendjen nga problemet e brendshme të vendit dhe duke akuzuar vazhdimisht Opozitën, që nga ana e saj e bëri edhe më të vështirë të gjithë këtë lobim.
Gjithsesi, s’është fundi. Këtë herë është mirë të marrin një mësim nga serbët, që kur janë në humbje punojnë më shumë. Tani, faktori kosovar, duhet realisht të tregojë largpamësinë për një qasje të re ndaj UNESCO-s, qoftë edhe duke përdorur si duhet dhe me respekt trashëgiminë serbe, që duan apo s’duan këta të fundit, tashmë mbrohet siç është mbrojtur në shekuj nga çatia e madhe e popullit shqiptar dhe pakicës serbe dhe të tjerave në Kosovë.
“Edi, eja dashuria ime” – Gjesti me kunja ndaj Xhenetës
Fonseca insiston se Milani mund ta fitojë titullin kampion p...
Palestinezët e konsiderojnë moment historik urdhër arrestin ...
“Ose do bëhet multiplanetare, ose do zhduket”, paralajmërimi...
Çka i shkakton dhimbjet e kokës në mëngjes?
A Kane karbohidrate kartotat dhe barishtet jeshile?