Nga: Bajrush Morina
Për shqiptarët “muslimanë të Facebook-ut”, për shqiptarët “e lashtë katolikë” e për “Ilirët e pafe!”
Edhe pse nuk kam dashur të përfshihem në debatin e nxehtë të kësaj vere për “muslimanët e Facebook-ut” por as për “katolikët e lashtë”, vetë përbërja ime “gjenetike” (shqiptar i bërë synet me shumë miq katolikë) nuk më le të qetë që të mos shfryhem edhe unë për këtë kategorizim (ndarje) të rrezikshme për popullin tonë.
Duke qenë produkt i shkollimit fillor e të mesëm disavjeçar të sistemit socialist, kam mësuar historinë e popullit shqiptar në variante të ndryshme. Mësuesi im i historisë i shkollës fillore, Skender Qehaja, i kapërcente disa shekuj (mesjetën, bizantin, perandorinë romake…etj) dhe menjëherë kalonte te prejardhja jonë ilire. “Shqiptarët janë pasardhës të ilirëve….” thoshte me plot bindje dhe entuziazëm mësuesi Skender.
As atëherë e as më pas, madje as profesorët universitarë nuk kanë arritur të më bindin se cilës fe i kanë takuar ilirët, se për gjuhë mos të flasim! Ilirishtja është një fiksim albanologjik i studiuesve të Albanologjisë (të huaj e vendorë) që përpiqen të gjejnë një lidhje gjuhësore mes shqipes e Ilirishtes, por pasur as edhe një fjalë, një shkronjë apo një dorëshkrim ilir. (Le të më falin profesorët e mi, mbi të gjitha profesori im i nderuar Rexhep Ismajli, për këtë “konstatim” timin të pahijshëm prej një gjuhëtari me titull Master…por as sot e kësaj dite nuk e kam mësuar as edhe një fjalë shqipe me etimologji prej ilirishtes!)
Nejse…kaq për historinë dhe albanologjinë folklorike të kombit tim e kombit tonë.
………….
Kur në mbrëmje të ditës së fundit të Ramazanit, baba më tha që “të flej me herët se nesër kemi me shku në xhami më fal ditën e Bajramit” prej gëzimit e më shumë prej kuriozitetit nuk kam fjetur pothuaja fare…Atë natë e mbaj mend se jemi la e jemi pastru krejt ne fëmijët e sigurisht edhe nana e baba…
Në xhami pashë shumë njerëz. Përveç axhallarëve dhe kushërinjve të mi, të tjerët nuk i njihja. Krejt çka më kujtohet nga “vizita” ime e parë në xhami janë do fotografi të do hoxhallarëve me mjekra e me plisa por jo të bardhë si baba im, dhe me do shkronja që nuk ishin si shkronjat e alfabetit që m’i kishte mësuar mësuesja ime Melihate…
Rrugës e pyeta babën: A e ke kuptu ti çka ka thënë hoxha?! Pse ai nuk foli shqip? Pse ata njerëzit në fotografi nuk kanë kapuç të bardhë si tandin? Përgjigja e babës ka qenë gati e pakuptimtë. Ai ishte lodhur prej 30 ditëve të ramazanit dhe mezi priste me shku në shtëpi, me bo bajram me nanën e vet, sigurisht edhe me nanën time dhe me i ra bakllavës!
Nga koha ime e fëmijërisë prej “muslimani” e mbaj mend edhe synetinë. Uhhh, tmerr! Edhe sot e kujtoj sa shumë kam qajtë ….Unë isha fëmija i parë që duhet të hyja në “duart e xharrahut!”.
Dy ditë përpara, shtëpia jonë u mbush me bija, halla, teze, nipa e mbesa…Në odë të burrave këndoheshin këngë me sharkia e çiftelia. Krejt kjo “dasëm” bëhej për mua dhe për dy djemtë e mixhës, më të vegjël se sa unë. Apo thënë më mirë, krejt kjo “dasëm” bëhej sepse mua dhe dy djemve të mixhës, të nesërmen do të na “prenin zhangën e lucit” dhe do të na bënin edhe formalisht “muslimanë”.
“Ata që nuk bëhen synet nuk janë muslimanë. Katolikët nuk bëhen synet” më thoshte shume shumë herë mixha Ramiz im i ndjerë, derisa unë ankohesha derisa ato ditë më “digjte luci” sa herë më vinte të kryeja nevojën e vogël.
Përkushtimi im prej “muslimani” ka vazhduar edhe në vitet 90-ta.
Sapo kisha hyrë në punë dhe e ndjeja se gjyshit tim, ndjestë pastë, babës Lim apo Haxhi Halimit, i qeshte fytyra sa herë që binte fjala se “filani po shkonte haxhi….he kështu kur i ke djemtë e nipat e hajrit…Pasha babën sevap është me shku të vorri i pejgamerit Muhamed, alej selam!’
Unë jam bërë “sebep” kam ndihmu sa kam mundur më rrogën time dhe baba Limë, gjyshi im Halim Hamza, u bë haxhi Halimi!.
…Kam shkuar edhe ndonjëherë në xhami, hoxhën e Xërxes mulla Osmanin e kam mik të mirë, këshilltarin e Myftiut Tërnava, Vedatin e kam mik të mirë…pothuaja krejt rastësisht, këtë vit e kam mbajtur Ramazanin ( me nja 2 a 3 ditë mangu).
I kam larguar disa kilogramë dhe tash më ka mbet si “vesvese” nuk ha bukë (brumna asesi) pothuaja gjithë ditën. Shpirtin e mbaj me sallata dhe pemë e perime!
Ja kjo është “tradita ime prej muslimani!”
………
Vendlindja ime, fshati Gexhë, e ka shumë afër Bishtazhin, një fshat 100% katolikë. Veç lumi Drin na ndan. Të dielave zakonisht shkonim në Kishën e Bishtazhinit, jo për t’u kryquar por, me folë kah del shpirti, me pa qika të mira katolike, të veshura e të krehura e me flokë të gjata deri në rruzë të shpinës. Ishim të rinj (mbase pubertlinj) por kur ktheheshim nga kisha, përveç se “flladiteshim” duke u la të Ura e Fshejtë, kacafyteshim mes vete se “kush e nxuni i pari atë bardhoshen me flokë të zeza apo atë kaçurrelen kuq si molla”.
Për Bajram mbaj mend se na vinte Baca Kolë në shtëpi me na uru Bajramin. Axha im i ndjerë, kishte lakmi delet e Dedës së Mramllit, disa herë baba im ka shkëmbyer (shitur e blerë) desh e dele prej bacës Kolë të Bishtazhinit dhe bacës Dedë të Mramllit. Bile nganjëherë, në kohë të “nerzimit” të deleve, ia merrnim dashin ogiq “hua”, për punë që në pranverë ndonjë dele jonja të bënte një qingj si ogiqi i tyre. Ka ndodhë që edhe ata na huazonin dashin tonë të madh, të gjatë e me jakne të krehura, të cilin e mbante dhe e ushqente axha im Ramizi, me taxhi kollomoqi…për me “i nerzy” delet ma mirë!
.………
Kur kam nisur zanatin tim prej gazetari, ndër personalitetet e para që kam takuar, të rangut të lartë mendoj, ka qenë profesor Mark Krasniqi i ndjerë. Atëbotë, bmase ka qenë viti 1994, ia bëra disa pyetje për bisedë. Profa e kishte blerë ato ditë një kompjuter, i kishte shkruar përgjigjet në kompjuter por nuk dinte t’i kopjonte në disketë, në Flopy A. Internet nuk kishte në vitet 90-ta!!!
E thirra në telefon fix dhe me tha se përgjigjet i ka bërë gati por kërkonte ndihmën time që t’i barte në disketë.
Unë si “ekspert” jo që nuk dita t’ia bartë intervistën në disketë, por ia humba krejt intervistën. Kot provova nja 2 orë në kompjuter. Intervistën duke dashur ta bart në disketë, e kisha hedhur në Recycle Bin, pra në shportë. Profa bënte shaka më “ekspertizën” time prej kompjuteristi, e unë desh plasja prej inati…U desh ndihma e një eksperti që ta rikthente intervistën dhe ta kopjonte në Flopy A.
Prej këtij momenti do të kalojnë decenie dhe miqësia ime me profesor Mark Krasniqin do të bëhet tradicionale, deri në mesnatën e 28 gushtit të vitit të kaluar, kur shkoi në amshim!
Rregullisht më uronte festën e Bajramit dhe rregullisht drekën e Bajramit e hante te një mik i tij në Prishtinë.
Në dasëm te dajve të tij, te Gjokë Geci, profa na ka marrë me vete mua e Mustafë Halilin.
Gjithmonë ka folur për “muxhahidinët dhe llatinët” si rrezik për kombin.
Ndër veprat e fundi të tij ka qenë “Toleranca fetare te shqiptarët!’
Në momentet e fundit të amshimit të profesor Mark Krasiqit, kam qenë unë dhe Mark Komani që jemi “përshëndetur” të fundit, bashkë me ekipin mjekësorë.
Kam dëgjuar se një motër imja është ankuar se “ish konë ma mirë, baca Dush me kqyr babëb e vet sa Mark Krasniqin!”
…….
Këtë rrëfim e bëra jo për të shpalosur biografinë time “të bujshme” jetësore por për të treguar se shqiptarët në përgjithësi e shqiptarët e Kosovës në veçanti kanë bërë këtë rrugëtim jetësor mes prejardhjes kombëtare dhe përkatësisë fetare.
Më shkojnë në nerva kur dikush më përshëndet me “selam alejkum” por ma shtojnë tensionin edhe kur dikush me çdo kusht insiston që të më bind se “shqiptarët para se të bëhen muslimanë, kanë qenë katolikë!” Po ilirët cilës fe i kanë takuar? Kanë qenë katolikë? Jo ata kanë luftuar kundër Perandorisë latine? Kanë qenë orotodoks? Muslimanë jo se jo! Prandaj unë jam shqiptar me “fe ilire!” E ilirët nuk e di çfarë feje kanë predikuar!
Unë nuk di sa jam musliman i devotshëm, sa katolik i lashtë e sa ilir i pafe, por e di se ndjehem mirë si shqiptar dhe m’i kanda edhe bakllavat e Bajramit edhe verën e kuqe të Rahovecit!
E ardhmja e NATO-s dhe qëndrimet e zotit Trump
Gary Neville zbulon se si drejtuesit e Man Cityt e bindën Gu...
“Shqetësimi i Sarës ishte fake”, Xheneta tregohet e ashpër
Abdixhiku nga Malisheva: Më 9 shkurt do ta sjellim bashkë nd...
WhatsApp po prezanton një tjetër veçori të dobishme për përd...
Kruajtja nën sqetull – shenjë paralajmëruese e kancerit ose ...