Dështimi në Interpol është vetëm triumfi i së keqes. I së keqes që ka pllakosur Kosovën e udhëhequr nga një klasë politike e papërgjegjshme, e shantazhuar dhe e korruptuar. Lufta e Serbisë kundër shtetësisë së Kosovës nuk e amniston parinë e vendit nga përgjegjësia. E keqja, e mbjellur nga ta, po vazhdon të na ngulfasë.
“Sot nuk ka fitues, nuk ka fitu as Serbia, por mund të them se i vetmi fitues sot është e keqja”. Kështu deklaroi shefi i diplomacisë kosovare, Behgjet Pacolli, menjëherë pas dështimit të Kosovës për t’u pranuar të Interpol, të martën.
Në këtë fjali, Pacolli e tha një rrenë dhe një të vërtetë. Rrena është të thuhet se nuk ka fituar Serbia. Shteti fqinj ka fituar në rrafshin diplomatik, madje ka arritur fitore të thellë dhe dështimi në Dubai, Kosovës do t’i kushtojë shtrenjtë. E vërteta, ndërkaq, është se Pacolli e pranon se ka fituar e keqja. Vetëm se nuk e thotë se pjesë e kësaj të keqeje është edhe vetë ai. Pjesë e së keqes që ka pllakosur Kosovën e udhëhequr nga një klasë politike e papërgjegjshme, e shantazhuar dhe e korruptuar.
Do të duhej qenë optimist i papërmirësueshëm, për të besuar se Kosova do të bëhet pjesë e Interpolit. Jo pse nuk e meriton të jetë pjesë e kësaj organizate të rëndësishme ndërkombëtare, por se klasa politike me veprimet e veta e ka sjellë vendin në të atillë situatë që i bën të hezitojnë për përkrahje edhe shtete që e kanë njohur pavarësinë e shtetit të ri.
Është dëshpërues numri i shteteve që përkrahën Kosovën të bëhet pjesë e Interpolit. Shtete që e kanë njohur pavarësinë nuk denjuan të votojnë pro. Dhe për këtë duhet të ekzistojë një arsye e madhe. Ose disa sosh.
Menjëherë pas dështimit pushtetarët ngarendën që për këtë ta fajësojnë Serbinë. “Serbia bëri një luftë të pamëshirshme me të gjitha mjetet. Ne na mbetet që të jemi konstruktivë dhe t’i japim rëndësi të madhe dialogut”, tha Pacolli.
E vërtetë, Serbia po e vazhdon betejën për të kontestuar shtetësinë e Kosovës, por këtë nuk do të mund ta bënte pa ndihmën e pjesës më të madhe të klasës politike në vend. Nuk do të mund ta bënte po që se pala kosovare do të vendoste kushte në dialog, gjë që do të forconte pozicionin e saj. Nuk do të mund të bënte po që se këtë “konstruktivitetin”, që po e përmend Pacolli, Kosova do ta shndërronte në vendosmëri për reciprocitet në bisedime. Kjo nuk ka ndodhur dhe për këtë, edhe Pacolli mban një pjesë të përgjegjësisë. Por, përgjegjësinë më të madhe e mban presidenti Hashim Thaçi.
* * *
Hashim Thaçi u pa të martën në Dubai, ndonëse nuk e kishte paralajëmruar shkuarjen atje.
Natyrisht, u gjend atje për të marrë merita nëse Kosova eventualisht do të bëhej pjesë e Interpolit. Në fakt, Thaçi po priste të ndodhë mrekullia, në një kohë kur vetë ai po i konteston kufijtë e vendit që udhëheq, duke kërkuar shkëmbim territoresh me Serbinë.
Si mund të pritet që Kosova të marrë vota të mjaftueshme për t’u bërë pjesë e ndonjë organizate të rëndësishme ndërkombëtare, kur presidenti lobon gjithandej për shkëmbim territoresh, kur presidenti i thotë çdo ditë, gjithë botës, se kufijtë e Kosovës nuk janë ata brenda të cilëve është njohur Kosova shtet, kur presidenti flet çdo ditë për statusin final të vendit, një çështje e mbyllur me shpalljen e pavarësisë më 2008 dhe e vulosur me vendimin e GJND’së dy vjet më vonë? Si mund të pritet që Kosova të triumfojë, kur presidenti e ka filluar dhe e vazhdon dialogun me Serbinë pa asnjë kusht, duke e vendosur vendin në pozitë të pabarabartë dhe inferiore karshi shtetit fqinj?
Dështimi në Dubai është treguesi më i mirë se në çfarë gjendje është Kosova, në çfarë situate e ka sjellë klasa e papërgjegjshme politike. Dështimi në Dubai është vetëm triumfi i së keqes së mbjellë ndër vite, që po vazhdon ta ngulfasë vendin dhe shoqërinë. E keqe kjo që e ka lënë vendin të izoluar, pa zhvillim ekonomik, pa arsim e shëndetësi të mirë. E keqe kjo që e ka kultivuar korrupsionin e krimin e organizuar, nepotizmin e papërgjegjësinë, arrogancën e injorancën. E keqe kjo që ka ardhur veç duke u trashur, bashkë me pasurinë e njerëzve të pushtetit dhe të të tjerëve rreth tyre dhe varfërimin gjithnjë e më të madh të qytetarëve të rëndomtë. E keqe kjo që e ka mbytur edhe perspektivën për një jetë më të mirë.
* * *
Dështimin në Dubai pritet ta pasojë vendimi për liberalizimin e vizave, që është paralajmëruar të përfundojë po ashtu keq. Dhe nuk ka si të përfundojë ndryshe, kur e keqja ka triumfuar në çdo pore të jetës. Para se të fajësohen të tjerët për dështimet, duhet luftuar e keqja. E kjo nuk mund të bëhet nga ata që e kanë mbjellur dhe vazhdojnë ta kultivojnë atë.
Sara dhuron spektakël, realizon vallëzim si dënim nga Xuxi
Akuzat e Pecit, Pacolli: Dikur mbante bluzën me emrin e firm...
A do ta ndaje ndonjërën prej banoreve nga partneri i saj bre...
Tare: Sjellja e futbollistëve të Kosovës tejet dinjitoze
Zarfi ngjyrë hiri shfaqet në ekran – banorët nisin hamendësi...
Papa ‘bekon’ lumturimin e 2 martirëve të krishterë në Shkodë...