Nga: Ilir Sefaj
Ushtria Çlirimtare e Kosovës u transformua në TMK në vitin 1999, me hyrjen e forcave të NATO-s dhe fillimit të ndërtimit të administratës së UNMIK-ut në Kosovë.
Pra, UÇK shndërrohet në TMK menjëherë pas përfundimit të luftës në Kosovë, dhe kjo ndodh përkundër faktit që rezoluta 1244 e OKB-së parashikonte shpërbërjen e UÇK-së.
TMK-ja si pasardhëse e UÇK-së krijohet në shtatorin e vitit 1999 me rregulloren 1999/8 të kryeadministratorit Bernard Kushner.
Kjo fitore politike e asaj kohe do të marrë konotacione edhe më pozitive më 20 janar 2009, kur gati një vit pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, TMK-ja shndërrohet në FSK (Forca e Sigurisë së Kosovës), një rekomandim ky i dalë nga Pakoja e Presidentit Ahtisari.
Tani kur nuk do të kalojnë edhe shumë ditë që kur FSK do ta kremtojë 7-vjetorin e ekzistencës së saj, dhe Kosova do ta festojë 8-vjetorin e shtetëzimit të saj, FSK si institucioni më i besueshëm dhe më kredibil i vendit ka mbetur si një oazë e vetmuar në Kosovën “problematike”!
Pavarësisht problemeve politike, sociale e ekonomike me të cilat karakterizohet vendi ynë sot, transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës është imperativ i kohës. Këtë e dëshmon çdo hulumtim, këtë e dëshmon edhe hulumtimi i fundit i publikuar nga Qendra Kosovare për studime të Sigurisë (Barometri i Kosovës për Siguri), ku 88% e qytetarëve të vendit janë deklaruar pro transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura.
Rrugëtimi i FSK-së drejt realizimit të objektivave dhe përmbushjes së kapaciteteve të plota operacionale në këto shtatë vite të ekzistencës së saj, nuk ka qenë aspak i lehtë, megjithatë sukseset e këtij institucioni janë evidente. Duke u bazuar në kompetencat dhe mandatin e saj Forca e Sigurisë së Kosovës si asnjë institucion tjetër ka dëshmuar përgjegjësi para qytetarëve të vendit.
Besueshmëria e qytetarëve të Kosovës karshi këtij institucioni nuk është lëkundur në asnjë rrethanë. Falë punës, angazhimit dhe dinjitetit të pjesëtarëve të kësaj Force, FSK si institucion vazhdon ta mbajë primatin përsa i përket besueshmërisë së qytetarëve të vendit.
Se Forca e Sigurisë së Kosovës është institucion serioz dhe meriton respekt dhe përkrahje të pa-rezervë dëshmon gatishmëria e Gardës Kombëtare të Ajovës për t’i ofruar bashkëpunim të dyanshëm FSK-së në shumë fusha të përbashkëta, e me theks të veçantë në fushën e shkollimit e që përfshin: trajnimet, ushtrime me ekipe mobile, bashkëpunim në fushën e komunikimit etj.
Sukseset e FSK-së nuk mbarojnë këtu. Se Kosova meriton ta ketë ushtrinë e saj dëshmojnë edhe sukseset e treguara nga ana e pjesëtarëve të kësaj Force në të gjitha manifestimet me karakter kombëtar, por edhe ndërkombëtar.
Kujtojmë këtu Ushtrimin fushor Ndërkombëtar “Kampi veror 2012” i cili u mbajt në poligonin ushtarak në Krivollak të Maqedonisë, ku kadetët e FSK-së arritën rezultate të shkëlqyeshme si në nivelin ekipor edhe atë individual. Në këtë Ushtrim me karakter ndërkombëtar pjesëmarrës ishin edhe kadetët nga: Britania e Madhe, Bullgaria, Mali i Zi, Turqia dhe Maqedonia.
Sukseset e FSK-s nuk janë të vogla dhe për t’u injoruar as edhe në planin individual. Vetëm pak ditë më parë oficeri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Ismajl Hoxha, pas 12 muajsh shkollimi në Akademinë Mbretërore Ushtarake –Sandhurst, në Britani të Madhe, fitoi çmimin oficer-kadeti më i mirë ndërkombëtar, duke u bërë oficeri i parë nga Ballkani që nderohet me një çmimin të kësaj natyre.
Në ceremoninë për nder të kësaj arritjeje, oficer Ismajl Hoxhës i është dhuruar shpata si nderim për këtë çmim, nga princi Charles, i cili ka ndarë çmimet më të larta në emër të Mbretërisë së Bashkuar dhe Akademisë Mbretërore Angleze.
Së këndejmi, Forca e Sigurisë së Kosovës në harmoni me mandatin që ka, është dëshmuar me përkushtimin e saj në të gjitha fushat më vitale të jetës sonë shoqërore, duke ju gjendur pranë komuniteteve në tejkalimin e të gjitha sfidave me të cilat u ballafaquan ata në të shkuarën dhe mund të ballafaqohen në të ardhmen.
Tash kur jemi në prag të dy datave të rëndësishme për shtetin tonë; 7- vjetori i FSK-së, dhe 8-vjetori i pavarësisë, qytetarët e Kosovës duan që më së largu pjesa e parë e 2016-s institucionin më kredibil të vendit, FSK-në, ta shohin të jetë shndërruar në FAK (Forcat e Armatosura të Kosovës) dhe kështu të njësohet dëshira dhe vullneti i popullit me amanetin e dëshmorëve të kombit të cilët në të gjallë të tyre në rrethana epike krijuan ushtrinë e shenjt të quajtur UÇK.
(Autori është Oficer në Komponentin Rezervë të FSK-së, OF-2, qëndrimet janë personale)
Shkup: Rikthehen mosmarrëveshjet për Ballkanin e Hapur
Vullneti u rrëfehet banorëve për përjetimet e tij gjatë luft...
Kurti: Qeveria vitin e ardhshëm do të mbështesë organizimin ...
Rumania mban zgjedhjet presidenciale
Trumpi hesht, Ukraina debaton
“Gjest i shëmtuar”, Vedat Muriqi kërkon falje publike pasi u...