Nga: Lis Bukuroca
Nëse gjykohet me mendësi ballkanase apo me Kanun, atëherë ajo lojë mund të futet në historinë e sportit. Jo për të mirë, por barbarisë serbe, do t’i përgjigjemi me barbari shqiptare.
Do të kemi një rast të shkëlqyer t’i tregojmë botës, se futbollin konsiderojmë lojë, sport, ku nuk bëhet kushtrim si në Beograd, ku nuk thirren parulla raciste, ku nuk thirren parulla shoviniste, ku përjetohet loja, por jo të shndërrohet në një fushëbetejë, ku thirren ide fashiste dhe ku rrihen lojtarët. Serbisë duhet treguar se nuk lejojmë manipulim, siç i shkon asaj për shtati.
Edhe ndaj provokimeve serbe duhet të jeni imun. Humbja më e madhe e skuadrës serbe, do të jetë qëndrimi dinjitoz i shqiptarëve në fushë, tribunë dhe jashtë. Do të jetë edhe një përgjigje ndaj deklaratës fashiste të ministrit serb, që krahasoi Kosovën me Kalifatin. Nuk e ka thënë këtë mendim para lojës krejt ashtu rastësisht, ashtu krejt pa qëllim dhe ashtu thjesht, por shpreson të ngucë, të nxisë nacionalistët e pavetëdije, të motivojë ata pa identitet të formuar dhe në Shqipëri, të shkaktojë një ngjarje dramatike, sa të rrënohet përtokë imazhi shqiptar në arenën ndërkombëtare.
Ashtu si ia dolën në Kosovë ta shpallin veten viktimë, me një ngjarje tragjike do ta rehabilitojnë veten pas qëndrimeve fashiste në Beograd.
Me çdo vepër josportive, do ta ndihmoni rehabilitimin dhe kthimin e shkëlqimit serb në Europë dhe në botë. Ashtu siç e ndihmoi edhe idiokracia kosovare.
Njëkohësisht do t’i dërgoni një mesazh të qartë edhe UE-së. Nëse adhuroni Shqipërinë dhe kombin shqiptar, këtë herë keni mundësi të tregoni civilizimin e lashtë shqiptar. Trimëria dhe krenaria primitive u tregua në Beograd, nuk ka nevojë të vazhdohet tutje. Kosova ka humbur shumë empatinë me protestat e vitit 2004, që sot bëri të mundur krijimin e Bashkësisë Serbe. Në Shqipëri nuk do të ketë bashkësi të tillë, por për disa vjet, mund ta dëmtojë rrugëtimin e Shqipërisë drejt UE.
Serbia gjithmonë ka pasur shqiptarë, që veprojnë për interesa dhe përfitime të saja. Si në protestat e vitit 2004, edhe tani, në stadium do të ketë shqiptarë, që kanë për obligim të bëjnë vepra që i konvenojnë interesit nacional serb. Detyrë atdhetare është të izolohet nga ata që mendojnë se është mirë të jesh shqiptar: Serbisë nuk i pëlqen miqësia shqiptare me SHBA-të, nuk i ka pëlqyer roli i Edi Ramës në Berlin, nuk i ka pëlqyer sjellja e tij në Beograd dhe sa më keq që do të sillemi ne, aq më shumë do të ndihmohet Serbia.
Dashuria ndaj kombit nuk tregohet me urrejtje, por duke ditur të festohet fitorja, ose duke pranuar edhe humbjen vetëm si ngjarje sportive.
Fituam kundër Serbisë, pse u dëshmuam më të qytetëruar se ajo. Pikërisht kjo ishte arsyeja pse Perëndimi na ktheu sedrën e nëpërkëmbur. Daçiqi që ishte bashkëveprimtar i kryefashistit të Ballkanit, do të parapëlqente me shpirt një rrëmujë, ndonjë tragjedi dhe, natyrisht fitoren në tryezë. Një pasojë të tillë, nuk e meritojnë lojtarët, këtë nuk e meriton publiku, nuk i duhet sportit dhe nuk e meriton kombi shqiptar. Tregoni se jeni burra dhe dini të fitoni dhe humbni me dinjitet.
Qëndrimi Juaj do të ndikojë shumë në imazhin jo vetëm të sportit shqiptar, por edhe do të krahasohet me qëndrimin e publikut në Beograd. Të gjithë ata që kanë qëndrime armiqësore ndaj kombit shqiptar, me padurim presin ndonjë tragjedi në Elbasan. Detyrë atdhetare e çdo tifozi shqiptarë është pengimi i mercenarëve në tribuna. Serbisë nuk duhet t’i falim fitore të trefishtë. Të trefishtë sepse nëse ndodhë diçka që çon në anulimin e lojës, Serbia do ta fitojë lojën në tryezë, do ta përligjë sjelljen fashiste në Beograd dhe, do të dëmtojë tmerrësisht shumë imazhin shqiptar. Sot në SHBA presidenti gjerman tha se liria nuk është e përkryer. Ne kemi mundësi të dëshmojmë se e meritojmë atë, se e duamë, është e domosdoshme për ne dhe se nuk e shfrytëzojmë kundër vetvetes.
Mund t’i falet çdo njeriu përbaltja e fytyrës së vet, por jo kur rrënon imazhin e kombit.
Ministri Peci sot mban konferencën përmbyllëse për media
Kurti dhe Vitia përurojnë sot renovimin e sporteleve në Klin...
Prokuroria Themelore në Prishtinë sot mban konferencën përmb...
Kurti e Vitia sot vënë gurthemelin e QKMF-së në Drenas
Përfundon regjistrimi i votuesve nga jashtë, Elezi nga KQZ t...
Aeroporti i Prishtinës feston arritjen e katër milionë udhët...