Thasët me dinar të Serbisë, paraja elektronike dhe kripto valutat
Debate të shumta janë zhvilluar kohëve të fundit pas nxjerrjes së Rregullores së Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK) për “Transaksionet e pagesave me para të gatshme”. Shumica e spektrit politik Kosovar dhe analistët nuk e vunë në pikëpyetje nevojën e vendosjes së një rregulli për transaksionet me para të gatshme si dhe legalitetin e përdorimit të vetëm një valute si mjet pagese. Megjithatë, ndonëse kanë kaluar 16 vite nga aprovimi i Kushtetutës ku Neni 11 përcakton se “në Republikën e Kosovës si mjet i vlefshëm i pagese përdoret një valutë e vetme”, një pjesë e opozitës dhe e analistëve publik “në emër të ruajtjes së partneritetit me miqtë ndërkombëtar” u munduan që të argumentojnë se aprovimi i kësaj rregullore ka qenë i panevojshëm në këtë moment dhe si e tillë u konsiderua veprim i ngutshëm. Madje pati edhe deklarime se rregullimi i kësaj çështje është diçka që nuk ka ndonjë peshë të veçantë në procesin e ushtrimit të sovranitetit shtetëror, krahas rëndësisë së procesit të dialogut, duke bërë krahasime banale me çështjen e tabelave për regjistrimin e automjeteve në komunat e pjesës veriore të vendit, problem që ishte politizuar deri në skajshmëri një vit më parë.
Por, më së paku pati debate profesionale, për të shpjegua pse në Kosovë për vite me radhë kanë qarkulluar paralelisht dy valuta, cilat kanë qenë pasojat ekonomike dhe politike dhe kush janë përgjegjësit për vonesën në vendosjen e rendit në sistemin e pagesave. Thuajse në asnjë debat, askush nuk e shtroj çështjen se si u lejua një anarki e tillë e qarkullimit të dinarit serb “me thasë” dhe jashtë sistemit bankar të Kosovës. Askush nuk e shtroj pyetjen e përgjegjësisë individuale dhe institucionale, lidhur me mos angazhimin e mjaftueshëm që sistemi i pagesave qoftë edhe me dinar të zhvillohet brenda dhe përmes sistemit bankar.
Nëse për shkaqe të ndryshme politike por edhe të sigurisë, nuk ka pas mundësi që të vendoset një rend që edhe në pjesën veriore të Kosovës sikurse në pjesët e tjera, të përdoret vetëm një valutë siç është euro, atëherë të paktën minimum që është dashur të bëhet e që ka mundur të bëhet është që transaksionet e pagesave në dinar dhe të paktën ardhja e tyre në Kosovë të bëhet përmes dhe brenda sistemit bankar të Kosovës si një fazë tranzitore deri në rregullimin e plotë. Unë nuk jam në dijeni, po ata që kanë menaxhuar me Bankën Qendrore, duhet të japin dëshmi, se kanë bërë përpjekje serioze që të gjitha ato fonde që Qeveria e Serbisë ka pohuar se i ka dërguar në Kosovë për vite me radhë, të kanalizohen përmes sistemit bankar. Nëse përpjekje të tilla nuk ka pas, atëherë edhe qeveritë e kaluara, por edhe menaxhmenti i BQK-së bartin një përgjegjësi jo vetëm morale.
Në anën tjetër, Qeveria aktuale dhe zyrtarët shtetëror nxjerrjen e rregullores e panë si një vendim të një institucioni të pavarur siç është Banka Qendrore. Por, askush nuk e ngriti dilemën se cila është përgjegjësia aktuale e këtij institucioni që brenda pavarësisë (autonomisë) “administrative, financiare dhe menaxhuese” ka edhe përgjegjësi. Pra cila është përgjegjësia në marrjen e këtij vendimi autonom nga ana e Bankës Qendrore jo vetëm lidhur me aprovimin por edhe me implementimin në praktikë. Përpos disa konstatimeve të përgjithshme se në pjesën veriore të vendit funksionojnë disa filiale të bankave komerciale dhe një numër i institucioneve jobankare, askush nga BQK-ja nuk dha një argument bindës se ekziston infrastruktura reale për implementimin e kësaj rregullore. E pikërisht për mungesën e infrastrukturës reale për implementim kanë të bëjnë vërejtjet dhe brengat e vendeve mike ndërkombëtare, të cilat kanë kërkuar një periudhë kohore shtesë deri në zbatimin e plotë të sajë.
Ata që kanë pak njohuri për mënyrën e funksionimit të sistemit të pagesave e kuptojnë se për pranimin dhe përpunimin e një valute në sistemin e pagesave, bankat dhe institucionet tjera financiare duhet të kenë infrastrukturë jo vetëm fizike por edhe pajisje teknike dhe sisteme softverike të cilat identifikojnë origjinalitetin e një valute, procesimin dhe përpunimin elektronik të tyre, dhe se përpos këmbimit të valutave në sportel sot ekzistojnë edhe pajisje për blerje elektronike që mundësojnë konvertimin automatik të valutave, apo pajisje siç janë bankomatat ku secili qytetar ka mundësi që të tërheqë dhe madje edhe të deponoj valuta të ndryshme, e të ngjashme.
Shtrohet pyetja, përfaqësitë e bankave që janë në pjesën veriore, a janë të pajisura me pajisje të tilla që mundësojnë pranimin dhe konvertimin e “dinarit” serb. Nëse nuk janë të përgatitura fizikisht, teknikisht dhe me sisteme softverike për të pranuar dhe “përpunuar” dinarin e Serbisë (nëse kanë vullnet ta bëjnë atë), atëherë sa kohë ju nevojitet për tu përgatitur dhe për tu bërë “sistemet funksionale”. Pyetja më elementare është se bankat që nuk kanë përfaqësi, a janë të gatshme që të hapin përfaqësi në atë pjesë të territorit të Kosovës dhe sa kohë ju nevojitet. Thjeshtë a dëshirojnë që të përpunojnë transaksione në dinar të Serbisë. Të gjitha bankat në Kosovë janë me kapital privat, dhe veprimtarinë e tyre askush nuk mund ta detyroj. Andaj shtrohet pyetja hipotetike, çka nëse bankat që kanë përfaqësi në pjesën veriore nuk janë “të gatshme” për momentin për të pranuar dinarin serb, siç mund të ndodh që mos të pranojnë dinarin e Algjerisë, Tunisit, Libisë, Bahrain-it, Jordanisë, Irakut, apo të Kuvajtit, jo që qëllimisht e refuzojnë të bëjnë në një “punë” të tillë por pse nuk kanë pajisje dhe sisteme adekuate të ndërtuara për njohjen dhe përpunimin e tyre, ose ndoshta pse nuk kanë leverdi ekonomike. Thjeshtë, me një fjalë pyetja e patejkalueshme është, a ka bërë ndonjë konsultim paraprak BQK-ja me bankat dhe institucionet tjera financiare para se të caktoj afatet e implementimit, se a janë të gatshme dhe cilat janë sfidat me të cilat do të ballafaqohen ato lidhur me implementimin e rregullores.
Nëse ato (bankat) nuk do të jenë të gatshme të bëjnë një gjë të tillë, atëherë natyrshëm shtrohet pyetja se në momentin e aprovimit të rregullores, BQK-ja dhe Qeveria, a kanë pasur dhe a kanë tani ndonjë alternativ tjetër të gatshme për implementim, qoftë edhe përmes hapjes së ndonjë këmbimore apo ndonjë institucioni financiar të ngjashëm shtetëror që mundëson “përpunimin” e dinarit brenda sistemit bankar të Kosovës. Pra, duke qenë se në “mënyrë të heshtur” për vite me radhë është lejuar një anarki për të cilën qytetari i rëndomt serb i pjesës veriore të Kosovës më së paku është fajtor, atëherë është dashur që të krijohen një “periudhë e heshtur tranzitore” në mënyrë që çdo dinar në gjepat e këtyre qytetarëve të tërhiqet nga qarkullimi.
Pra, nuk shtrohet pyetja se a duhet që në sistemin e pagesave në Kosovë të përdoret vetëm një valutë, siç përcaktohet me nenin 11 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, por a janë krijuar predispozitat reale në teren për implementimin e kërkesave të rregullores që rregullon transaksionet me para të gatshme. Pra pyetja kryesore që shtrohet në këtë rast është afati i implementimit a përputhet me gatishmërinë institucional dhe infrastrukturore në teren. Nëse jo, atëherë Banka Qendrore dhe përfaqësuesit e sajë sado që duket profesionale në deklarimet publike në mbrojtjen e interesit shtetëror për një valutë legale, në realitet dalin shumë amator për faktin se, së pari është dashur që të krijohet infrastruktura në teren, pastaj një fushatë e mjaftueshme informuese dhe pastaj vendosja e afateve të rrepta për implementim. Nëse një infrastrukturë e tillë mungon, përgjegjësia e BQK për këtë “kaos” do të ishte e padiskutueshëm, sepse “debati” shkoj deri në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Nëse infrastruktura për implementim është e gatshme në teren, atëherë të gjitha debatet “për nguti” janë të tepërta, jo profesionale, madje do të thosha edhe të dëmshme për funksionimin normal të sistemit të pagesave, por edhe për proceset e përgjithshme politike përmes të cilave po kalon Kosova. Sepse, në kohën kur në pjesën më të madhe të botës, shumica e transaksioneve të pagesave kryhen përmes parasë elektronike, pa u pa dhe pa u prek paraja fizike fare me dorë, kur vetëm përmes një klikimi të një “butoni” kompjuterik, apo përmes një pajisje “të mençur” nga një skaj i botës në tjetrin bëhen pagesa në vlera monetare të pakufizuara, ne harxhomë kohë dhe energji duke debatuar se a duhet dhe a është dashur apo jo, që të lejohen që të hyjnë kamiona me thasë me “dinar” serb, madje edhe pa u specifikua adresa e pranuesit (institucionit bankar). Është e natyrshme që miqtë ndërkombëtar nuk e kontestojnë legalitetin e rregullores, sepse ata e kuptojnë se transaksionet e parave me thasë, jashtë sistemit bankar, ndodhin vetëm aty dhe atje ku ka krim të organizuar dhe ku ka ekonomi të “zezë”, dhe se nuk ka një vend në botë ku ka dy valuta paralele që janë në qarkullimin legal si mjete të pagesave.
Në realitet për momentin në El Salvador (Amerika Qendrore) është bërë një eksperiment ku janë në përdorim paralel të dy valutave, dollarit amerikan që është valutë zyrtare në qarkullim, dhe që nga viti 2021, paraja dixhitale e që është kriptovaluta e “bitcoin-it”, një valute private. Një eksperiment i dështuar akoma pa filluar mirë, por edhe në këtë rast nuk kemi të bëjmë me përdorimin e parasë fizike “me thasë”, por kemi të bëjmë me përdorimin paralel të një “paraje” që realisht “edhe me dashtë nuk mund të futet në thes” dhe të cilën as nuk mundesh me pa as me prek, pra të një paraje virtuale. Madje, aktualisht bankat qendrore të rreth 100 shtete janë duke diskutuar mundësin e futjes në përdorim të valutës zyrtare digjitale (shtetërore).
Ajo që dua të them është se transporti i parasë letër nga një vend në tjetrin dhe rreziqet që lidhen me dëmtimi, vjedhjen, keqpërdorimin, etj., ka bërë që sistemi i pagesave të avancohet deri në këtë nivel ku jemi tani kur paraja elektronike gati se është dominuese në pagesat e përditshme të qytetarëve të rëndomtë dhe të bizneseve (p.sh., Suedia konsiderohet se po i ofrohet 100% të pagesave). Në shekullin e 19 një njeri i mençur (shkencëtar) Suedez i quajtur Knut Ëicksell, kishte deklaruar se paraja në formën e saj fizike është e panevojshme sikur të ekzistonte një bankë qendrore që do të regjistronte “numrat” lidhur me transaksionet e të hyrave dhe shpenzimeve, duke parashikuar një të ardhme atëherë të paimagjinueshme për një shoqëri pa para në dorë, atë që e kemi sot aktualisht e që është paraja elektronike dhe ajo në proces të krijimit e që është paraja digjitale. E ne në fund të çerekut të parë të shekullit të 21, debatojmë se a duhet dhe a jemi ngutur me rregulloren që rregullon përdorimin e parave të gatshme, e në këtë rast edhe të bartjes me thasë të dinarit të Serbisë.
Krejt në fund vetëm sa për të përkujtuar, sot në Kosovë janë dhjetëra subjekte juridike (nuk e di a janë të regjistruara në ARBK por që funksionojnë me përfaqësi publike), që merren me shitjen, blerjen dhe konvertimin e valutave dixhitale (krypto valutave), e Institucionet kompetente të Republikës së Kosovës qëndrojnë vetëm si vëzhgues pasiv, ndonëse shumë vende të botës kanë nxjerr ligje që rregullojnë tregtimin dhe trajtimin e tyre të paktën për nevoja tatimore.
Autori është Profesor në Universitetin e Prishtinës, “Hasan Prishtina”
Superliga rikthehet sot me dy superduele
Poker dhe baste sportive online, 29 të arrestuar në Tiranë
A do të arrestohej Benjamin Netanyahu në Gjermani?
Aksident me fatalitet në Suharekë, vdes një person e lëndohe...
Vidhet një pistoletë me 40 fishekë në Prizren
Policia jep detaje rreth protestës së kompanisë “Pastrimi” p...