Shkruan: Prof. Dr. Sejdi Rexhepi
Ekonomia botërore qe nga Depresioni I Madh i shekullit të kaluar (1929-1933), nuk është përballur asnjëherë me parashikime më pesimiste për rënie e aktivitetit ekonomik dhe të punësimit, të përmasave me të cilat po përballet që nga shfaqja e pandemisë së virusit Covid 19. Parashikimet për pasojat për ekonominë janë të ndryshme prej vendit në vend, por ajo që është e sigurtë, rënia e Produktit të Përgjithshëm dhe punësimit është e paevitueshme, si rezultat i kufizimeve që solli pandemia në lëvizjen e lirë në radhë të parë të njerëzve por edhe të mallrave dhe shërbimeve brenda vendeve, por edhe në nivel ndërkombëtar.
Vlerësime pesimiste për ecuritë e Produktit të Përgjithshëm Bruto janë bërë edhe për ekonominë e Kosovës, të cilat parashohin një rënie nga 4% deri 10%. Sido që të jetë, kjo do të përcillet me rënien e punësimit dhe së bashku me te edhe uljen e mirëqenies së qytetarëve. Andaj, është e natyrshme që ekonomistet dhe politikë-bërsit të dalin me propozime dhe ide të ndryshme për minimizimin e pasojave të pandemisë, sikurse edhe për ngjalljen e aktivitetit ekonomik.
Pati propozime e ide më së të ndryshme, madje shumë prej tyre ishin “të pamatura dhe të papeshuara”, të cilat më shumë futen panik për gjoja “skamjen e mjerimin” me të cilin po ballafaqohej popullsia dhe vendi, se sa ishin në funksion real të ndonjë zgjidhje konkrete. Këto ide “për shpëtim” më shumë i ngjanin një “fontane dëshirash” dhe një gare për promovim se kush po e lufton më shumë qeverinë, se sa ishin ide të matura dhe në funksion të mbrojtjes së jetës dhe të standardit të qytetarëve dhe të nivelit të aktivitetit ekonomik.
Për të “shpëtuar” popullin nga “mjerimi”, përfaqësues të partive politike, përfaqësues të lartë të shoqatave të bizneseve (duke përfshi edhe Odën Ekonomike), pronar dhe përfaqësues të bizneseve, e shumë analist të gjithë-dijshëm “bombarduan” opinionin publik dhe qeverinë me ide e propozime më së të ndryshme, shpesh të pakuptimta, dhe në shumicën e rasteve të parealizueshme
Një propozim ishte, që qeveria duhet urgjentisht të ndaj nga 350 € për çdo punëtor që në kohën e pandemisë kanë humbur vendin e punës, ose bizneset e tyre nuk janë (ishin) duke punuar. Si ide dhe propozim populsitë ishte shumë i qëlluar, por është habitëse fakti se si përfaqësuesit e organizatave biznesore dhe pronarët e bizneseve, kishin të drejtë “me plotë gojë” të bëjnë një kërkesë për një shumë të tillë, kur dihet publikisht se për vite të tëra sindikatat kanë kërkuar që paga minimale e punëtorëve të rritet nga 170€ sa është për momentin në 250€, dhe mu të njëjtit përfaqësues e kishin kundërshtuar në mënyrë të vazhdueshme, me arsyetimi se bizneset nuk mund të përballojnë një rritje të tillë dhe se kjo “do të shpie në largimin e punëtorëve nga puna, me pasoja për biznesi por edhe për ekonominë në tërësi”. Për të qenë ironia më e madhe, përfaqësues të bizneseve por edhe të shoqatave të tyre (u përkrahen edhe nga disa parti politike), kërkuan që të paguhen edhe punëtorët të cilët kanë qenë të punësuar “në të zezë”, duke pranuar publikisht se ata kanë shkel ligjet duke angazhuar punëtor pa kontrata dhe duke i ikur obligimeve ligjore. Shtrohej pyetja se a ishin të vetëdijshëm disa prej tyre, që përmes mediave “me vetëdije të plotë” pranonin se kanë shkel ligjet, duke i “ik” pagesës së tatimeve dhe kontributeve për punëtorët e tyre (t‘ punësuar në t ‘zezë), dhe se në një situatë normale dhe në një shtet normal dikush duhet t’i merrte në pyetje për pranimin e fajësisë publike. Shumë prej tyre, madje kanë aplikuar për të përfituar kompensim nga Pakoja Emergjente Fiskale (një program emergjent shumë mirë i dizajnuar), për punëtorët deri atëherë të “punësuar në të zezë”, me kushtet e nënshkrimit të kontratave legale për punësim së paku për një periudhë prej një viti. Kështu, me qindra biznese nënshkruan kontrata pune përherë të parë me mijëra punëtorë, duke shpërfaq një paradoks të paparë, kur në njërën anë, në nivel vendi një pjesë e madhe e bizneseve nuk punonin fare ose e kishin zvogëluar aktivitetin ekonomik, kurse në anën tjetër, të dhënat zyrtare tregonin rritje të numrit të punësuarve. Ky paradoks i llojit të vetë ishte i vërtetë, ndonëse në opinion pati polemika jo të sinqerta.
Për të ngjallur aktivitetin ekonomik si dhe për të zbutur problemet sociale, pati ekspert të partive politike që i propozuan qeverisë, që të ndaj një ndihma prej 100€ për çdo qytetar. Madje kishte deklarime se në qeverinë e ardhshme (qeverinë Hoti) do të insistohet që në programin e përbashkët qeverisës do të përfshihet kjo kërkesë. Ndonëse një “ndihmë” të tillë, qeveria paraprake nuk e përmbushi, kjo mbetet të shihet se a do të zbatohet nga qeveria e tanishme. Vet ideja e shpërndarjes nga ana e shtetit e 100€ për çdo qytetar është populiste dhe e pakuptim. Sipas kësaj, këtë ndihmë shtetërore për të nxitur kërkesën “Kejnsiane” duhet dhënë edhe magnatëve biznesor, milionerëve por edhe të papunëve dhe atyre që jetojnë në varfëri të skajshme. Në këtë formë do të ri-shpërndaheshin mbi 170 milion €, në vend që të njëjtat me një planë t’mirë do të mund të orientoheshin në uljen e varfërisë dhe të papunësisë. Propozime majtiste nga partitë e djathta për barazi në shpërndarje të t’ ardhurave për të nxitur kërkesën dhe aktivitetin ekonomik! A nuk është ironike?
Një ide “gjeniale” ishte ajo që, bashkësia ndërkombëtare (BE-ja) e ka momentin ideal që të hartoj një “Mini-Plan Marshal” për Kosovën për të përkrah në përballjen me krizën ekonomike dhe për të tejkalua pasojat e pandemisë. Propozuesit sigurisht ose kishin harruar (për mos me thënë nuk e kishin njohur) kontekstin e rrethanave ekonomik e veçanërisht politike pas Luftës së Dytë Botërore, nga të cilat lindi dhe u realizua “Plani Marshal” dhe që ju dedikua të gjitha vendeve të dala nga lufta, e që kishin pranuar tri parime elementare, respektimin e të drejtave të njeriut, sistemin shumë partiak, dhe parimet e ekonomisë së tregut. Me problemet e Pandemisë Covid 19 po përballet e tërë bota. Vetëm të rikujtojmë diskutimet tepër të vështira në kuadër të BE-së për përkrahje financiare të Italisë dhe Spanjës në kuadër të pakos gjithëpërfshirëse në luftë kundër pandemisë dhe për ngjallje të aktivitetit ekonomik. Një “Mini Plan Marshal” mund të ndodh si rezultat i bisedimeve dhe integrimeve rajonale, le të supozojmë si rezultati i përmbylljes së asaj që është e njohur si Procesit i Berlinit, apo ndoshta edhe si rezultat i një marrëveshje finale Kosovë-Serbi.
Pati dhe vazhdon që të ketë ide të ndryshme, por ditëve të fundit me ardhjen e Qeverisë Hoti, ka dal edhe një propozim i cili po debatohet në nivele institucionale dhe ka gjasë që të jetë pjesë e programit qeverisë të “rimëkëmbjes ekonomike”. Ky propozim ka të bëjë me mundësi që qytetarëve që kanë kontribuar në Trustin e Pensioneve të ju mundësohet që të tërheqin 10% të shumës së mjeteve të grumbulluara deri me tani. Kjo ide gjithashtu po përkrahet edhe nga shoqatat afariste por edhe nga Oda Ekonomike e Kosovës. Një kërkesë e tillë po arsyetohet me argumentin “Kejnsian” të nxitjes së kërkesës agregate, ose thënë më thjesht me qëllim të rritjes së konsumit qytetar i cili në mënyrë indirekte do të rriste kërkesën për prodhim e bashk me te edhe punësimin.
Shtrohet pyetja, a është menduar më shumë se cilat do të jenë efektet reale të “derdhjes së parakohshme” në ekonomi të 10% të trustit të kursimeve? A është bërë ndonjë kalkulim matematikorë i probabilitetit se sa nga këto mjete do të shkojnë më pastaj për konsum të menjëhershëm brenda vendit (që natyrisht ndikojnë në rritjen e kërkesës), apo sa nga to do të derdhën jashtë vendit (p.sh., për pushime) dhe sa nga këto mjete do të shkojnë në blerjen e produkteve të jashtme (që natyrisht nuk do të ketë kurrfarë efekti multiplikues për ekonominë e Kosovës).
Ky kalkulim edhe nuk është qëllimi i këtij shkrimi. Qëllimi I këtij shkrimi në realitet është, që të ngritë publikisht një dyshim lidhur me keqpërdorimin e parave të grumbulluara për vite të tëra në Trustin e Pensioneve. Jo për keqpërdorimin në kuptimin klasik të vjedhjes, por në kuptim të politkë-bërjes qeveritare. Përmes një precedenti të hapur në emër të krizës ekonomike të shkaktuar nga pandemia e virusit Covit 19 do të hapet dera që këto fonde të abuzohen në të ardhmen edhe për qëllime tjera. Kush do të mund të garantoj tani që në të ardhmen, një qeveri tjetër nuk do të jetë në gjendje që të siguroj shumicën në parlament që të votoj për “çlirimin” edhe të 20% apo 30% të fondeve të grumbulluara në Trust, për të krijuar një mirëqenie të përkohshme dhe një kërkesë shtesë në ekonomi. Shumica parlamentare nuk është argument i mjaftueshëm për vendime të cilat mund të kenë pasoja negative në t’ ardhmen. Kjo për faktin se ata që kanë nevojë për ti tërhequr 10% të parave të grumbulluara në Trustin e Pensioneve, sigurisht se nuk kanë fonde të konsiderueshme të grumbulluara, dhe se tërheqja e parave tani do të përkeqësojë (zvogëloj) konsumin e tyre në të ardhmen, atëherë kur do të kenë më së shumti nevojë për to, pra në moshën e pleqërisë. Nëse supozojmë se qeveria do të rimburosjë të gjithë ata që në trustin e pensioneve kanë të grumbulluara në momentin aktual më pak se 10,000€ (ashtu siç janë disa deklarime publike) ose cila do shumë tjetër e caktuar në mënyrë arbitrare, atëherë kjo do të hapte mundësinë për shumë manipulime administrative në të ardhmen, në radhë të parë për të përcaktuar kriteret në bazë të t’ cilit do të duhej që individëve të caktuar t’iu rimbursohen dikur në të ardhmen, shuma e mjeteve e cila është tërheq në periudhën e tanishme.
Po kështu një fakt është i pamohueshëm se, ata që kanë nevojë që të tërheqin para nga Trusti, janë të papunët dhe familjet të cilat jetojnë në varfëri të skajshme, të cilët nuk kanë fonde të grumbulluara në Trust. Në rëndin e dytë janë ata të cilët kanë punuar “në të zezë” e të cilët gjithashtu nuk kanë fonde në trustin e pensioneve, sepse ato paraprakisht akoma pa i deponua “ju janë tërhequr” për mos me thënë ua kanë “vjedh” punëdhënësit. Në rend të tretë janë ata që kanë paga të ulta. Kjo pjesë e popullsisë mund të tërheqin fonde nga Trusti, po shuma e këtyre mjeteve është e vogël dhe efekti mund të jetë shumë i shkurtë për mirëqenien e tyre, kurse në aspektin e nxitjes së kërkesës për konsum edhe nuk do të luaj ndonjë rol të veçantë. Le të supozojmë se kemi të bëjmë me një individ që deri tani në Trustin e Pensioneve ka të grumbulluar 6,800€ (aq sa mund të ketë të grumbulluara një punëtorë me pagë mesatare). Sipas propozimit aktual ai ka mundësi që të tërheq 680€ të cilat le të supozojmë se do ti harxhoj për 4 muaj nga 170€ aq sa është aktualisht paga minimale. Le të supozojmë se në nivel të vendi do të jenë 100,000 qytetar që do të tërheqin në mesatare 680€ që i bie që për 4 muaj nëse të gjitha paratë do të harxhoheshin në vend dhe për produkte vendore (gjë që edhe mund të mos ndodh), atëherë në ekonomi do të “derdhen” në formë të konsumit diku rreth 68,000,000€ ose 17,000,000€ në muaj për 4 muaj rresht, gjë që nuk paraqet ndonjë shumë të konsiderueshme si “infuzion” për ekonomi. Grupi i fundit, është i atyre që kanë paga më të larta e të cilët kanë fonde të konsiderueshme në Trustin e Pensioneve. Ata nuk kanë nevojë që të tërheqin para nga fondi ashtu që kjo ide për ta është e pa dobishme dhe e panevojshme.
Pra, nga ajo që theksuam më lartë, mund të konstatoj se ideja e tërheqjes së 10% të kursimeve nga Trustin Pensional është një ide jo e mirë, zbatimi i të cilës në praktikë, as nuk do zbusë varfërinë dhe gjendjen e vështirë sociale, por as nuk do të ndikoj konsiderueshëm në rritjen e kërkesë dhe nxitjen e aktivitetit ekonomik. Ndryshimi i dispozitave ligjore është i lehtë kur ekziston vullneti i shumicës parlamentare, por deputetet e kanë për detyrë që të mendojnë për zhvillim dhe mirëqenie të qëndrueshme e jo për improvizime afatshkurtra me pasoja negative afatgjata. Në vend që në mënyrë individuale të tërhiqen parakohe 10% të parave të grumbulluara në Trustin e Pensioneve, qeveria përmes hyrjes borxh, duhet të gjejë zgjidhje shumë më kreative, duke i përdor të njëjtat në programe të ndryshme të shpenzimeve për kujdesinë social por edhe të nxitjes dhe përkrahjes së bizneseve, efektet e të cilave do të ishin shumë më të shpejta edhe për zhvillimin ekonomik.
Autori është Profesor në Universitetin e Prishtinës, “Hasan Prishtina”.
LDK-ja mban sot konferencë për shtyp
Shpenzimet e shqiptarëve për lodrat e fëmijëve, importohet 1...
Man United ia cakton çmimin Rashfordit, i përballueshëm poth...
Erdogan paralajmëron kurdët/ Presidenti turk: Lini armët, os...
Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, sot prezanton raportin ...
Sot dita e fundit për regjistrim të votuesve nga diaspora