Shkruan: Veton Zejnullahi
Politikisht, preokupimi i serbëve dhe Serbisë me çështjen e Kosovës është po aq i vjetër sa edhe koha e pushtimit të saj nga Serbia.
E mbushur qëllimisht me kisha ortodokse nga periudha të ndryshme kohore duke tentuar që artificialisht të dëshmojnë për hershmërinë e tyre në këto troje, si dhe duke u bazuar në një betejë të zhvilluar në Kosovë kundër perandorisë osmane në vitin 1389 të cilën serbët e përvetësuan si të tyren, edhe pse realisht ajo ishte një betejë mes krishterimit në njërën anë dhe perandorisë osmane në anën tjetër, serbët këtë vend e shpallën si djepi i kulturës së tyre dhe shkruan me qindra libra duke dashur të bindin fillimisht veten e pastaj edhe të tjerët që kjo me të vërtetë është tokë serbe.
Pse po e shkruaj këtë dhe pse po hy në histori, arsyet janë të shumta por po e përmendi kryesoren. Është e ditur që serbët edhe sllavët e tjerë sipas historianëve kanë filluar të vijnë në rajonin tonë diku ka shekulli i shtatë dhe tetë, ndërsa dyndjet më masive kanë qenë në shekullin e nëntë, kjo ka rëndësi të ceket sepse ata kur erdhën këtu e gjetën popullatën autoktone, pra shqiptarët, dhe kështu bie në ujë ky “argument” i tyre sa i përket faktit se e kujt është toka e Kosovës.
E përmenda faktorin historik dhe kishat, sepse pikërisht mbi këto fakte serbët e kanë ndërtuar doktrinën e tyre në Kosovë dhe kinse për mbrojtjen e tokave të tyre ‘të shenjta’.
Pas humbjes në luftën e vitit 1999 dhe largimit nga Kosova, serbët dhe Serbia ndryshuan mënyrën e të vepruarit, duke ju kthyer formave të vjetra dhe duke paraqitur veten si viktima të shqiptarëve dhe pikërisht zgjodhën që përmes kishës të koordinonin veprimet e tyre.
Fillimisht kisha ishte ajo që vendosi kontaktet me bashkësinë ndërkombëtare duke u bërë partner në bisedime dhe faktori kryesor me të cilin kontaktonte bashkësia ndërkombëtare.
E tërë kjo strategji u përpunua në Beograd nga koka e Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve Dobrica Qosiq në bashkëpunim të plotë me Kryeministrin e vrarë serb Zoran Gjingjiq e shpalosur gjerë e gjatë në librin e akademikut serb njëkohësisht ditar i tij politik me titullin “KOSOVO” ku parashihej tekstualisht një Asociacion i komunave serbe si dhe eks-territorialiteti i kishave dhe manastireve ortodokse. Duhet theksuar se këto dy personalitete kishin hartuar edhe një letër të cilën e dërguan te udhëheqësit e atëhershëm të qendrave kryesore të vendosjes në botë nën firmën e kryeministrit serb Zoran Gjingjiq.
Gjithashtu, Presidenti i mëvonshëm serb Boris Tadiq në një deklarim u prononcua se “ nuk munden shqiptarët të fitojnë gjithçka ndërsa ne të humbim të gjithat”.
Edhe bashkësia ndërkombëtare me apo pa qëllim ra në këtë grackë duke insistuar në dialogun Kosovë-Serbi çka indirekt bënte barazimin e viktimës dhe kriminelit dhe në vend se të ndiqte shembullin kroat dhe të detyronte Serbinë për njohjen pa kushte të pavarësisë së Kosovës ata filluan presionet drejtuar politikanëve kosovar për arritjen e një marrëveshjeje në fund të së cilës Serbia përfitoi gjithçka në procesin e integrimeve evropiane, ndërsa Kosova asgjë- bile as liberalizimin e premtuar të vizave.
Asociacioni e komunave serbe apo ZAJEDNICA e famshme që pritet të realizohet në Kosovë si rezultat i bisedimeve Kosovë-Serbi edhe pse nuk parashihet nga Paketa e Presidentit Ahtisaari duket se shpejt do të bëhet fakt i kryer edhe si pasojë e presionit ndërkombëtarë duke përfshirë këtu vendimet e BE-së që si kusht për liberalizimin e vizave përveç ratifikimit të demarkacionit të vijës kufitare me Malin e Zi e ka vendosur edhe krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe.
Është interesant fakti se Bashkësia Ndërkombëtare kërkon me ngulm që Kosova të jetë shtet multietnik ndërsa fuqishëm përkrah formimin e Asociacionit monoetnik të komunave me akronimin serb. Edhe pse nga pushtetarët tanë po relativizohet roli i tij si diçka e pa vlerë bile bile edhe një OJQ pa asnjë kompetencë, faktet flasin ndryshe sepse ky asociacion do të ketë edhe kompetenca ekzekutive duke përfshirë edhe buxhetin e vet si dhe akte të ndryshme juridike, duke e shndërruar këtë asociacion në një trup të huaj në shërbim të copëtimit territorial të Kosovës
Pa dashur të hyjmë në kompetencat e saj, përndryshe të elaboruara shumë nga ekspertët e fushës ku mes të tjerash parashihen edhe buxheti dhe përfaqësimi ndërkombëtar kemi zgjedhur si objekt të shtjellimit idenë e këtij asociacioni si dhe shtrirjen e tij e cila qëllimisht po fshihet nga qytetarët e Kosovës.
Së pari: Asociacioni i Komunave Serbe nuk i përfshin vetëm komunat serbe në veri të Kosovës por të gjitha komunat serbe në Kosovë, duke përfshirë edhe ato që janë si pilot-projekt
Së dyti: Ideja e krijimit të këtij asociacioni si dhe të eks-territorialitetit për kishat dhe manastiret serbe është në fakt krijimi i një identiteti territorial serb në Kosovë duke e pasur edhe emrin zyrtar ashtu siç e ka në Bosnje Republika Srpska.
Së treti: Kjo ide nuk ka të bëjë vetëm me komunat serbe por edhe me ato komuna me shumicë p.sh. gorane siç është rasti i Gorës dhe Reçanit afër Prizrenit të banuar me popullatë boshnjake. Tendenca është e qartë që këto dy komuna të lidhen me komunën kufitare Shtërpcën të banuar me serbë dhe kështu të formojnë një trekëndësh ku qeveria e Kosovës nuk do të kishte qasje
Së katërti: komunat në pjesën lindore të Kosovës pikërisht në Anamoravë, pra në Viti, Kamenicë dhe Gjilan që kufizohen me Bujanocin dhe Preshevën duke krijuar kështu një territor kompakt brenda për brenda Kosovës dhe duke u kufizuar me Serbinë në të gjitha anët dhe me Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë si shtet aleat i serbëve
Së pesti : me krijimin e këtij asociacioni shumë pasuri nëntokësore si xehet dhe xeheroret apo pasuritë mbitokësore si banjat e ndryshme dhe bjeshkët e Brezovicës dhe ato në Prevallë do të ishin pjesë e Asociacionit, por edhe liqeni i Ujmanit (Gazivodës) që është me rëndësi strategjike për zhvillimin ekonomik të vendit, duke ndikuar kështu drejtpërsëdrejti në zvogëlimin e fuqisë ekonomike të Kosovës
Së gjashti: Me krijimin e këtij organizmi Serbia i arrin disa qëllime
Vazhdimi i presionit mbi Qeverinë e Kosovës
Mbajtja peng e proceseve integruese si pasojë e kërkesave të vazhdueshme serbe
Dobësimi ekonomik si pasojë e mos kontrollit të pikave kufitare në territorin e Asociacionit si dhe ndarja e një buxheti vetëm për këtë organizim serb
Në mungesë të organeve shtetërore shndërrohet në një oazë ku do të lulëzojë krimi i organizuar duke përfshirë pastrimin e pareve nga aktivitete të ndryshme kriminale
Përvetësimi i kishave dhe manastireve ortodokse si trashëgimi kulturore serbe edhe pse ato janë pjesë e trashëgimisë kulturore të Kosovës dhe qytetarëve të saj
Shkëputja e lidhjeve tokësore e Kosovës me Luginën e Preshevës në Preshevë dhe Bujanoc sepse me Medvegjën edhe ashtu ka përfunduar për faktin se atje tash jetojnë diku 400 shqiptarë në të shumtën rasteve njerëz të moshuar
Shkëputja territoriale përmes veriut të vendit me Sanxhakun të banuar me shumicë boshnjake të cilët pretendojnë se kanë origjinë ilire dhe janë shprehur për lidhje shumë të ngushta me Kosovën dhe shqiptarët
Krijimi i një asociacioni krejtësisht monoetnik sikur ai në Bosnje me Republikën Serbe i cili për efekte propagandistike mund të rritet me ndonjë komunë p.sh. nga pakica gorane përndryshe shumë lojale ndaj Serbisë apo edhe ndonjë komunë tjetër nga pakicat.
Pra siç po shihet kjo është një politikë tepër e hollë e ndjekur nga Beogradi përmes serbëve lokal në Kosovë dhe duke vënë në jetë planin e akademikut serb Qosiq për nja status të veçantë të serbëve në Kosovë dhe që këto pjesë të gjitha komunikojnë me territoret serbe duke përfshirë edhe Kumanovën në FYROM të cilën serbët e konsiderojnë si territor serb duke ngjallur idenë e kanalit të Moravës për një lidhje me Greqinë, ndërsa përmes veriut të Kosovës lidhet me Republikën Serbe në Bosnje në perëndim.
Të përkujtojmë që ky akademik edhe gjatë viteve 70, 80 dhe 90 të shekullit të kaluar është angazhuar për këtë ndarje duke insistuar që pjesa e mbetur shqiptare në Kosovë të bashkohet me Shqipërinë e jo të mbetet shtet i pavarur.
Ukraina thotë se ka goditur një depo nafte dhe një stacion r...
Grafiti në “Car Lazar”, suspendohen gjashtë policisë për mos...
Aksidenti me fatalitet në Kaçanik, Policia jep detaje – ka r...
Kampusi i Kolegjit të Europës, Rama inspekton punimet
PDK dënon sulmin në Zveçan: Përpjekje e qartë për të frikësu...
Jep dorëheqje ministrja britanike e Transportit, kishte mash...