Nga: Bernard-Henri Lévy
Irani nuk është njëfarë modeli i demokracisë. Dhe kur udhëheqësit e tij i kallëzojnë “veprat kriminale” të regjimit të “pështirë” Saudit dhe lidhjet e tij me terrorizmin , atëherë tenxherja e bardhë quhet kazan i zi.
Tashti, ajo që ndodhi fund-javën e kaluar në Arabinë saudite na bën për tu brengosur për disa arsye. Ekzekutimi i 47 njerëzve brenda një dite, para së gjithash, është një mënyrë e çuditshme për ta nisur vitin. Përveç nëse qëllimi ka qenë që të thyhet rekordi i mbretërisë prej 153 ekzekutimeve të vitit 2015 (dhe 87 një vit më parë), me këtë rast kanë bërë një nismë të mirë.
Dhe kur ata që janë ekzekutuar me shpatë ose armë automatike i janë shtuar listës së femohuesve që u është prerë koka, bllogerëve që janë torturuar ose të atyre që presin rend për vdekjen e vrazhdë, dhe një hajdut i kartës ATM i cili është ekzekutuar në veri të shtetit, është me vend që të pajtohemi me Mbretin Sallman, si edhe me paraardhësit e tij dhe me ata që aspirojnë ta zëvendësojnë atë (asnjëri nga të cilët nuk ka treguar edhe një shenjë sado të vogël për ta protestuar ose se u ka ardhur keq), për një titull makabër por që u shkon si kampionë botërorë në kategorinë e krimit të shtetit.
Por për ta kurorëzuar të gjithë këtë, përveç mospërfilljes së parimeve bazike të dinjitetit human, këtu ekzistojnë sinjale tjera shqetësuese.
Kjo vënie makabre dhe e pazakonshme në skenë të këtyre vrasjeve – të gjitha janë kryer në të njëjtën ditë dhe në të gjitha qytetet anekënd vendit – e dëshmon qëllimin që të mos fshihet lënda, por të shfaqet në atë mënyrë që, si populli Saudit dhe diplomatët e shteteve mike ose armike duhet ta vërejnë.
Me fjalë tjera, atë që e pamë ishte shfaqja e forcës së një regjimi, i cili ka qenë në pushtet më shumë se një shekull, por që të gjithë vëzhguesit pajtohen se është i lodhur, duke e humbur shpejtësinë dhe gjithë e më shumë i paaftë që ta sigurojë mbijetesën e vet. Ky lloj i veprimit të dëshpëruar nga një shtet, i cili është lojtari kryesorë në çdo çështje madhore gjeopolitike të ditës, kurrë nuk ka qenë një ogur i mirë.
Megjithatë, akti i vënies në të njëjtin nivel dhe në të njëjtën karrocë, të ithtarëve të mundshëm të Al-Kaedës dhe të ISIS-it (të cilët i sajuan vet këta që u ekzekutuan të Dielën) dhe të katër kundërshtarëve Shiitë, duke përfshirë edhe Sheikun Nimër al-Nimërin shumë harizmatik, krimi i vetëm i të cilit ka qenë se e ka mbrojtur një vizion të Islamit që është ndryshe nga Sunnizmi, dhe më posaçërisht nga Vahabizmi, e hap rrugën për një cikël të hakmarrjeve që tashmë ia ka vënë flakën kësaj pjese të botës: Jemenit, Bahreinit dhe natyrisht edhe fuqisë tjetër të madhe rajonale, Iranit, i cili është kryekëput Shiit.
Nën këto ndërgjegje dhe zemra përvëluese madje mund të gjendet një element të llogaritur mirë, i cili, sado qoftë i rrezikshëm dhe i kotë zor se do të na befasojë, pasi që vjen nga një regjim i cili me rënien e ngadalshme të çmimit të naftës në botë, nëse vazhdon kështu do të fundoset. Kur je prodhuesi më i madh i botës i naftës së papërpunuar dhe kur 80 për qind të burimeve financiare varen nga ajo, dhe ti e kthen veten në epiqendrën e zonës së stuhisë, përnjëherë duke e bërë ardhmërinë të pasigurt dhe duke e kërcënuar veten me trazira të paparashikueshme, mund të shihet haptazi si një mënyrë për t’i ngritur çmimet e naftës, të paktën për një kohë të shkurtë.
Dhe më në fund vjen koalicioni kundër-ISIS-it, një koalicion në të cilin duket se Arabia Saudite do që ta luaj rolin udhëheqës, sepse vetëm dy javë më parë Zëvendësi i Kurorës Princi Muhamed bin Sallman lëshoi në qarkullim idenë e mbretërisë për një forcë Myslimane anti-Shiite , e cila do të mblidhte nën një flamur të vetëm 34 shtete të përziera si edhe Indonezinë, Malajzinë, Jordaninë dhe Libanin. Me ripërtëritjen e luftës deri në vdekje midis Sunnive dhe Shiitëve që është shumë më e rënduar seç ka qenë deri më tani; me rindezjen e grindjeve të vjetra midis perandorive Arabe dhe Persiane dhe me narativet e tyre kundërthënëse deri në dëmtimin e mobilizimit kundër armikut të përbashkët; me erën e zemërimit dhe të hakmarrjes që fryn përmes Bagdadit dhe duke e shtyrë qeverinë pro-Iraniane të Hajdar al-Abadit që të ndërpres lidhjet me vëllain tashmë të kthyer në armik Arabinë Saudite, është tepër vështirë të shihet formimi i një koalicioni të tillë.
Dhe përballë kësaj katastrofe, bashkësia ndërkombëtare nuk bën asgjë.
Demokracitë, si zakonisht me delikatesë e shpërfillin. Për shembull askush nuk e kujton se përfaqësuesi i këtij shteti e çmendi një panel të Këshillit për të Drejtat Humane të KB. Çfarë ironie të vrazhdë!
Askush nuk e ka fuqinë që t’ia ndryshojë natyrën e regjimit Saudit.
Por, nuk duhet ta kenë vështirë partnerët e këtij shteti, të cilët i shesin aviona luftarake dhe ia blejnë arin e zi, që t’ia tkurrin entuziazmin njeri vrasës, duke i thënë se përveç se është duke e shtypur popullin e vet, është duke e kanosur paqen në rajon dhe në botë.
“Bëhet fjalë për naftën, o i marrë!” – ishte ky slogani kryesor gjatë kampanjës së Bill Kllintonit kundër Bushit Plak në vitin 1992 – e cila funksionon në të dy drejtimet.
Marrë nga “Huffington Post”. (Përktheu: Sh. I.)
Kurti pret në takim ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregti...
Katër vjet nga publikimi i aktakuzës ndaj ish-krerëve të UÇK...
SHBA: Rusia dhe Irani po intensifikojnë fushatat dezinformue...
Aksident mes dy veturave në Prishtinë, lëndohen gjashtë pers...
Amerika zgjedh sot presidentin, 7 shtetet që mund të caktojn...
Rama priti në takim drejtorin për siguri të OSBE-së në Kosov...