Nga: Rebeca Grynspan
Në çerekshekullin që nga botimi i Raportit të parë për Zhvillimin e Njeriut në 1990, bota ka bërë përparime të mëdha në pakësimin e varfërisë dhe përmirësimin e shëndetit, arsimit dhe kushteve të jetesës të qindra miliona njerëzve. Dhe ende, aq mbresëlënëse sa mund të duken këto përparime, ato nuk janë shpërndarë baras. Si për nga vendet dhe ashtu brenda tyre, pabarazi të thella mbeten në zhvillimin njerëzor.
Merrni parasysh vdekshëmërinë e fëmijëve. Në Islandë, për çdo 1000 lindje, dy fëmijë vdesin përpara se të lindin. Në Mozambik, shifra është 120 vdekje fëmijësh për çdo 1000 lindje. Ngjashmërisht, në Bolivi, bebet e lindura nga gratë pa arsim kanë dyfishin e gjasave të vdesin brenda një viti sesa bebet e lindura nga nëna me të paktën arsim sekondar. Dhe të gjitha këto pabarazi vazhdojnë përgjatë jetës së një personi. Një fëmijë pesë-vjeçar i lindur në një shtëpi me të ardhura të ulëta në Amerikën Qendrore, është, mesatarisht, gjashtë centimetra më i shkurtër sesa një fëmijë i lindur në një shtëpi me të ardhura të larta.
Ndryshime të tilla kanë zënë rrënjë për një shumëllojshmëri arsyesh. Këto përfshijnë “pabarazitë vertikale”, si shpërndarja e të ardhurave, si dhe “pabarazitë horizontale”, si ato që ekzistojnë mes grupeve prej faktorëve si raca, gjinia dhe etnia dhe ata që formohen mes komuniteteve, prej banimit të përbashkët.
Shumë njerëz përballen në mënyrë të ndryshme me format simultane të diskriminimit dhe shkallën e përjashtimit që hasin si rezultat i ndërveprimit mes tyre. Një kombinim i pabarazive vertikale dhe horizontale mund të gjenerojë përjashtim dhe margjinalizim ekstrem, që e kalon pabarazinë dhe varfërinë në breza.
Fatmirësisht, bota është bërë mjaft e ndërgjegjshme për pasojat e këqija të pabarazisë për demokracinë, rritjen ekonomike, paqen, drejtësinë dhe zhvillimin njerëzor. Gjithashtu është bërë më e qartë se pabarazia gërryen kohezionin social dhe rrit rrezikun e dhunës dhe destabilitetit.
Së fundmi, politikat ekonomike dhe sociale janë dy anë të së njëjtës medalje.
Pavarësisht argumentit moral për pakësimin e pabarazisë, ka edhe një argument ekonomik. Nëse pabarazia vazhdon të rritet, zhvillim më i lartë do të nevojitet për të zhdukur varfërinë ekstreme sesa nëse fitimet ekonomike do të shpërndaheshin më me barazi.
Nivele të larta të pabarazisë lidhen gjithashtu me mundësinë e kapjes politike nga elitat që mbrojnë interesat e tyre duke bllokuar reformat egalitare. Problemi me pabarazinë nuk është se pengon arritjen e synimeve të përbashkëta dhe të mirës së përbashkët; por gjithashtu ngre barriera strukturore ndaj zhvillimit, për shembull përmes taksimit të dobët ose regresiv dhe investimit të pakët në arsim, shëndetësi ose infrastrukturë.
Vetëm zhvillimi nuk mund të garantojë akses të barabartë në të mirat publike dhe shërbimet e cilësisë së lartë; duhen politika të paramenduara. Historia e fundit e Amerikës Latine, rajonit më të pabarabartë në botë, ofron një shembull të mirë të asaj që është e mundur kur zbatohen politika të tilla. Rajoni bëri përparime të rëndësishme në gjithëpërfshirjen sociale gjatë dekadës së parë të këtij shekulli, përmes kombinimit të dinamizmit ekonomik dhe zotimit të qëndrueshëm politik për të luftuar varfërinë dhe pabarazinë si probleme të ndërvarura.
Falë këtyre përpjekjeve, Amerika Latine është i vetmi rajon në botë që ia doli të pakësojë varfërinë dhe pabarazinë, ndërsa vazhdoi të rritet ekonomisht. Më shumë se 80 milionë njerëz iu bashkuan klasës së mesme, që për herë të parë kaloi të varfrit si segmenti më i madh i popullatës së rajonit.
Sigurisht, disa kanë argumentuar se kjo u bë e mundur nga kushtet e brendshme të favorshme, përfshirë çmimet e larta të mallrave, që mbështetën zgjerimin ekonomik. Megjithatë, prova nga Laboratori i Barazisë LAC i Bankës Botërore konfirmoi se zhvillimi shpjegon se zgjerimi i rritjes ishte vetëm një pjesë e përfitimeve sociale të Amerikës Latine; pjesa tjetër ishte për shkak të rishpërndarjes së shpenzimeve sociale.
Në fakt, politikat progresive ishin në zemër të zgjerimit ekonomik në vetvete: një brez i punonjësve të mirëarsimuar hyri në forcën e punës, duke fituar rroga më të larta dhe duke korrur dividentët e shpenzimeve sociale. Rritjet më të mëdha të pagave ndodhën te pjesa me të ardhura më të ulëta.
Tani që Amerika Latine ka hyrë në një periudhë të ngadalësimit të rritjes ekonomike, ato arritje po testohen. Qeveritë patën më pak hapësirë fiskale dhe sektori privat pati më pak mundësi të krijojë vende pune. Përpjekjet për të pakësuar varfërinë dhe pabarazinë janë në rrezik të zvarritjes – ose humbjeve të fitimeve të mundimshme. Politikëbërësit në rajon do të duhet të punojnë fort për të ruajtur progresin në zhvillimin afatgjatë njerëzor.
Rëndësia e adresimit të pabarazisë është mishëruar në idealet e Revolucionit Francez, fjalët e Deklaratës së Pavarësisë së SHBA dhe në objektivat e Synimeve të Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB. Përpjekja është në thelb të formësimit të një bote jo vetëm të drejtë, por gjithashtu në paqe, të begatë dhe të qëndrueshme. Nëse, siç e thotë edhe Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut “të gjithë njerëzit lindin të lirë dhe të barabartë për nga dinjiteti dhe të drejtat”, a nuk duhet të vazhdojmë të gjithë të jetojmë kështu? / Project Syndicate/reporter.al/
Hamzën në Hannover dhe Köln: Kosova është shtëpia jonë e për...
Vazhdojnë paraqitjet e mira të Zhegrovës – shpallet lojtari ...
Osmani: Kosova dhe Kanadaja do ta fillojnë Programin e Bashk...
Haradinaj: Kosova direkt në NATO, është kthesa e madhe për K...
Erdogan synon rritjen e tregtisë me Rusinë
Incidentet në takimin e Ramës me shqiptarët e Britanisë, një...