Nga Azem Parllaku
Nëse pandemia e koronavirusit na ka mësuar ndonjë gjë, përtej domosdoshmërisë së kujdesit maksimal ndaj higjenës vetjake, ajo është se viktima e parë e kësaj pandemie paska qenë udhëheqja e një vendi. Në asnjë moment përgjatë viteve tona, bota nuk ka pasur më shumë nevojë për një moment të “e vetmja gjë nga e cila duhet të kemi frikë, është vetë frika”. Dhe në asnjë moment, liderët globalë nuk kanë qenë kaq të paaftë për të reaguar.
Tani, qeveritë po u luten qytetarëve që të ndryshojnë sjelljen e tyre, duke qëndruar në shtëpi. “Mos u frikëso” është mesazhi për krizën e Covid-19. Për të frenuar pandeminë, njerëzit duhet të panikosen dhe ata duhet të ndryshojnë në mënyrë drastike mënyrën e të jetuarit.
Njerëzit mbështeten tek qeveria për të organizuar një mbrojtje kolektive kundër pandemisë, dhe ata mbështeten tek qeveria për të shpëtuar një ekonomi që po fundoset. Efektiviteti i qeverive tani ka nisur të matet nga aftësia e tyre për të ndryshuar sjelljen e përditshme të njerëzve. Për të mbijetuar, qeveritë po u luten qytetarëve të ngrenë mure jo vetëm midis shteteve, por midis individëve, pasi rreziku i infektimit vjen nga njerëzit që takohen më shpesh. Nuk është i huaji por ata më pranë jush, që paraqesin rrezikun më të madh. Nga Pekini në Bruksel, nga Roma në Uashington, Londër e më gjerë, politikanët jo vetëm që nuk u qasën në lartësinë e situatës, por u angazhuan në një lojë të rrezikshme të mohimit të realitetit, apo minimizimit të krizës, gjë që ka kushtuar deri tani mijëra jetë njerëzish, dhe ka vonuar një përgjigje të përbashkët.
Ndonëse virologët kishin paralajmëruar prej javësh mbi shpërthimin kudo të kësaj epidemie, udhëheqësit politikë, sidomos në Perëndim, bënë shumë pak për të ndaluar përhapjen e tij. Krizat shpesh i “farkëtojnë”udhëheqësit. Krizat e rënda mund të ndryshojnë vetë natyrën e qeverisjes.
Në mënyrë eksplicite apo jo, Europa është në qendër të vëmendjes, për mënyrën se si qeveritë e saj po transmetojnë reagimin e tyre për krizën e koronavirusit. Ka ardhur momenti kur disa evropianë tashmë po ngrenë dyshimet, nëse integrimi kishte shkuar shumë larg dhe nëse shteti-komb duhet të ‘rimarrë kontrollin”. Gjatë dy javëve të fundit, Bashkimi Europian ka qenë subjekt i akuzave për dështimin e tij në ngritjen në lartësinë e kësaj sfide. Roma tashmë ka arsye të dyshojë në solidaritetin europian. Udhëheqësit politikë të Europës, e kanë kuptuar se, ata jo vetëm nuk reaguan ndaj krizës së koronavirusit, por gjithashtu janë të vetmit përgjegjë në formësimin e të ardhmes së Europës. Reagimi ndaj virusit do të ketë një efekt të menjëhershëm dhe ndoshta drastik në jetën e europianëve, si pak çështje në të kaluarën. Ata nuk do t’a harrojnë shpejt, se cilët liderë kanë shkëlqyer dhe cilët institucione bënë detyrën, përderisa kapitulli i fundit i kësaj sage nuk është shkruar ende. Sot solidariteti ndërqeveritar është në minumet historike. Matësi i vetëm për Bashkimin Europian është fakti se Brukseli ka pushtet pothuajse inekzistent në fushën shëndetësore. Ama një provë si kjo mund të jetë fatale, duke parë që përballë rrezikut secili mbyllet prapa kufijve kombëtarë dhe një vend fqinj shndërrohet në një armik potencial nga i cilit duhet të mbrohesh. Pas disa muajsh, njerëzit do të arrijnë në përfundimin se kriza ka nxjerrë zbuluar faktin që ka patur shumë pak Europë, ose tepër Europë.
Ata mund të dëshirojnë më shumë Europë për t’i mbrojtur nga pandemitë e ardhshme, ose mund ta refuzojnë atë. Për momentin nuk ka aspak siguri se në cilin drejtim do të shkohet. Covid-19, sëmundja infektive që po thuhet se përhapet kryesisht për shkak të ndërlidhjeve të mëdha njerëzore, po e përshpejton në mënyrë dramatike procesin, me pasoja të thella në të tashmen dhe të ardhmen. Luftimi i virusit përfshin mbajtjen e njerëzve larg njëri-tjetrit, e kundërta e asaj që kemi përjetuar në dekadat e fundit dhe jo vetëm. Kufijtë në tokë, në det dhe në ajër po rikthehen, ndonjëherë edhe në mënyrë të njëanshme. Migrantët dhe kufijtë e hapur mund të jenë viktimat e para të debatit mbi Europën, të dominuar nga virusi.
Tani që disa shtete anëtare kanë rikthyer përkohësisht kufijtë, liderët dhe votuesit mundet që, pasi e keqja të ketë kaluar, të konkludojnë se nuk ka kuptim t’i rihapin ato plotësisht. Për më tepër, disa udhëheqës politikë tashmë po e lidhin përhapjen e virusit me çështjen e refugjatëve. Epidemia ka forcuar kauzën e atyre që kanë kundërshtuar prej kohësh refugjatët dhe kanë ngritur zërin për kontrolle më të rrepta kufitare. Tradicionalisht, ne kërkojmë ngushëllim tek feja, sporti, argëtimi dhe në premtimin se shkenca dhe shoqëritë moderne, ofrojnë të gjitha mjetet e nevojshme për të zgjidhur çdo problem.
Por koronavirusi momentalisht “ka hedhur në erë” idetë tona më themelore për komunitetin. Narrativat nacionaliste po rikthehen me forcë të përtërirë, pikërisht në një moment kur është i domosdoshëm bashkëpunimi ndërkombëtar. Në fund të fundit, koronavirusi do të vërë në dyshim disa nga supozimet themelore mbi të cilat është themeluar Bashkimi Europian, i cili kur të kapërcehet pandemia, do të rifillojë, por më pak intensiv dhe i ndryshëm nga ai që kemi njohur deri më tani. Kjo ndalesë do të ketë pasoja afatgjata dhe jo domosdoshmërisht pozitive. Infeksioni Corona nuk është apokalipsi, ashtu sikurse po stilizohet, thjeshtë ai është një rrezik më shumë.
Thirrjet anti-Kosovë, kapiteni Rrahmani drejton bashkëlojtar...
I pandalshëm Ronaldo, 39-vjeçari realizon tjetër gol me Port...
Biden takon liderët e Koresë së Jugut dhe Japonisë
Kurti në 25-vjetorin e BQK-së: Duke kujtuar të kaluarën, men...
Abdixhiku në Podujevë: Bashkë me ju, ne do ta sjellim ndrysh...
Autoritetet zvicerane iu dalin “hak” huliganëve ...