Nga: Fadil Lepaja
Analisti James Hooper, ish-zyrtar i Departamentit të Shtetit, shprehu këto ditë zhgënjimin e tij të thellë me mënyrën se si po zhvillohet politika në Kosovë. Qysh po e shihni edhe vet, në Amerikë procesi shkon në anën e kundërt nga ajo që jemi mësuar të shohim ne në Kosovë. Pra, analist bëhesh pasi ke dalë nga politika, pasi I ke njohur mirë proceset, vendet, faktorët dhe personalitetet e politikës madje. Te ne, shoqëria civile, apo pavarësia analitike, janë veç rrugë e pashmangshme drejt politikës.
Ish-zyrtari i shtetit mik, ishte i zhgënjyer me të gjithë përveç me presidentin aktual të Kosovës të cilin ai, me gjasë, e kishte njohur në role tjera politike. Zhgënjimin pra e kishte me klasën e vendimmarrësve kosovarë në përgjithësi.
Për të zbërthyer këtë deklaratë, në dukje kontradiktore, plot zhgënjim për qytetarët të cilët nuk po e kuptojnë presidentin e tyre me të cilën do të njiheni më poshtë, po e fusim në lojën e argumenteve edhe një biznesmen të fuqishëm, i cili dikur pat ngritur shumë pluhur kur ishte bërë pjesëtar i partisë në pushtet, partisë së dyshuar publikisht se drejtonte krejt proceset korruptive e edhe kriminale në vend. Politika nuk bën të përzihet në biznese, ishte slogani i tyre, por biznesmenët në politikë ishin të domosdoshëm për të legjitimuar shtetin si biznesmenin kryesor në vend dhe partinë si pronare të tij. Biznesmenët kryesorë u rehatuan aty dhe më nuk kishte luftëra për buxhet.
Nejse, ky biznesmeni e mori këto ditë, krejtësisht vullnetarisht, e për dikë mbase edhe arbitrarisht, rolin e faktorit të unitetit të popullit, përkatësisht të presidentit të vendit, për të ndërmjetësuar në çështjen e cila po e mban peng procesin e liberalizimit të vizave, i cili për qytetarët e këtij vendi ka rëndësi të madhe për të mbijetuar. Politika asnjëherë nuk kishte problem me vizat, edhe pse gjithnjë ishte e dyshuar , sidomos për korrupsion. Disa zyrtarë lokalë madje me dënime serioze për korrupsion, ikën me letra në rregull dhe presin pa e prishur terezinë nëpër vende demokratike, që lënda e tyre të vjetrohet.
Edhe vet i përfolur për shumëçka, përpara, gjatë dhe pas lufte, biznesmeni pasi e reklamoi vilën e tij luksoze dhe pasi ekspozoi fuqinë e tij ekonomike, pretendoi të merrte rolin e një personi (tjetër) formal, i cili përpos të jetë faktorë uniteti, do të duhej të përfaqësonte edhe vullnetin e popullit. Së paku kështu e kërkon Kushtetuta që të jetë presidenti i Kosovës, roli i të cilit është që të krijojë unitet për çështje të cilat rrezikojnë t’i dëmtojnë interesat e vendit apo ta destabilizojnë atë. Por, presidentin nuk e qasë askush. Ai nuk mund të pajtojë tashmë as fraksionet e deputetëve në ish partinë e tij. Edhe ata i rehatoi, pra i futi në luftë në mes vete. Ky është mekanizmi vetëshkatërrues të cilin ai e montoi gjithkund ku aderoi.
Sidoqoftë, për dikë ai ende mbetet model i politikanit të mire, si për shembull për analistin amerikan, i cili e lavdëroi atë dhe në fund me keqardhje u pajtua se modelin e tij nuk e donte shumica e popullit.
Kështu tash, ndër ne, pas gati një shekulli flitet për mbretin Zog i cili shahej nga populli, por e donin të gjithë të huajt, miq apo armiq. Me miqtë dredhte duhan, e me armiqtë bënte marrëveshje të fshehta, u dhuronte territore dhe pastaj e tradhtonte edhe atë pasi dashurohej në armikun e radhës. Në fund të lojës ikte nga vendi dhe linte popullin në mëshirën e armiqve.
Ai ishte bindur se ndër shqiptarët demokracia vështirë funksionon, prandaj u shpall mbret. Ky i yni, idhulli i analistit tashmë të pavarur amerikan, nuk mund të shpallet mbret, por mundet ta bëjë Kosovën presidenciale. Kështu, disa pazare i ka bërë, e disa pritet t’i bëjë dhe askush nuk i kryen këto pa fjalë dhe pa telash sikur ai. Është fleksibël dhe konstruktiv, sidomos për rajonin, shprehet Hooper.
Qytetarët e Kosovës vërtetë nuk janë më të sigurt se a po mendojnë për të njëjtin personalitet të (para)politikës kosovare. Nuk po dinë se a duhet t’i besojnë vetës apo analistit?! Në fakt, pyetja kryesore është: a i duhet legjitimiteti presidentit?
Kosovarët, së paku disa me të cilët më rastisi të flas për këtë, nuk po e kuptojnë se si mund ta quajë dikush model njeriun i cili faktikisht u instalua në krye të shtetit, përkundër vullnetit të shumicës së qytetarëve të Kosovës, në kohën kur politika të cilën e kishte prodhuar pikërisht ai në dy mandate si kryeministër i vendit, rrokullisej shesheve të Prishtinës në mes tymit dhe zjarrit. Nëse analisti i njohur, sugjeron se politikan i mirë mund të jetë veç dikush i cili e mban të izoluar dhe në mjerim popullin e vet, dhe të cilin nuk populli i vet nuk e do, padyshim se është një deklaratë për të u shqetësuar.
Ndoshta me këtë, nga ana e z. Hooper sugjerohet se populli nuk është faktor në politikë? A po defaktorizohet populli duke i vënë dhe duke e mbajtur me çdo kusht në krye një personalitet jopopullor? Vullnetin e kujt e përfaqëson presidenti?
Nëse ai duhet të zgjidhet me votën e deputetëve, si përfaqësues të qytetarëve, të cilët morën mandatin kryesisht duke klithur nëpër mitingje parazgjedhore, kundër politikave dhe interesave të ngushta që i përfaqësonte dhe ende e bënë po ky president, pra kë përfaqëson ai? Çka sugjeron analisti? A mund ta ketë gabim një analist amerikan i cili aq më tepër dikur ishte pjesë e stafit të Departamentit të Shtetit? A kemi obligime morale ndaj çdo individi i cili dikur ishte zyrtar i lartë në shtetet që na përkrahën, edhe pse ata tashmë nuk e përfaqësojnë shtetin po vetëm interesat e veta e shpeshherë edhe të bizneseve të interesuara për rajonin?
Kjo pyetje nuk ka të bëjë vetëm me analistët, por ka të bëjë edhe me biznesmenët e ndryshëm, ish- politikanë, apo ish-ushtarakë të cilët tash vijnë në rolin e anëtarëve të bordeve të kompanive, apo edhe si pronarë të tyre, për të cilët na sugjerohet se përkundër interesave nacionale kemi borxhe morale jo vetëm ndaj shteteve, po edhe ndaj atyre si individë, apo edhe ndaj bizneseve të tyre private. Apo, mos kemi të bëjmë këtu më tepër me fshehjen e oligarkisë kosovare pas ish-emrave të bujshëm të makinerisë politike dhe ushtarake në botë, të cilët ende në veshin tonë tingëllojnë aq besueshëm? Mos kanë marrë rolin e zëdhënësve të politikanëve tone multimilionerë?
Pra, derisa thotë se në Kosovë ka shumë pak udhëheqës me vizion, z. Hooper mendon se z. Thaçi ka treguar se është udhëheqës i mirë dhe e ka treguar se është serioz për të luajtur një rol konstruktiv në rajon. “Ai është shumë elastik dhe konstruktiv”, thotë ai, përkundër faktit se mendon se shumë pak veta e pëlqejnë Thaçin në Kosovë.
Ndërkaq, opozitën e përmend në kontekst të keq, sidomos për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, ku pasi thotë se nuk është ekspert për këtë çështje, shprehet se udhëheqësit kosovarë nuk i kanë trajtuar këto negociata me seriozitetin që ato e kërkonin dhe ndoshta krejt këtë proces e morën pak lehtë, dhe si përfundim ata patën një rezultat që nuk e shisnin dot në Kosovë. Nuk ia hodhën dot popullit, me një fjalë !
Veç modeli, kryen punë pa fjalë…! Pasi u përmend vizioni, ai nuk ka vizion. Nuk i duhet. Ka softuer të integruem! Softuer për të krijuar kriza!
Policia në Zubin Potok gjen uniforma, municion dhe pajisje t...
Shqipëri, shtohen rastet e përdorimit të dhunës mes të mitur...
Xheneta zbeh pëlqimin për Gjestin: Dua një partner që fjala ...
SHBA vendos veto ndaj rezolutës së OKB-së që kërkon armëpush...
Manchester United ëndërron të mposht Real Madridin për të në...
Xheneta: Nuk do t’ia lejoja partnerit tim këngëtar që femrat...