Shkruan: Artan Fuga
Këto ditë dhjetori sigurisht është e ligjshme që të përkujtohen ato ditë dhjetori 30 vjet më parë kur pas studentëve populli i kryeqytetit doli në rrugë, sikurse edhe në Kavajë, Shkodër më parë, pastaj në të gjithë qytetet e mëdha pothuajse për të kërkuar rrëzimin e pushtetit totalitar dhe hapjen e udhës për demokraci dhe integrim europian.
Në televizione apo edhe në shtypin e shkruar dalin individë të ndryshëm, krejtësisht në të drejtën e tyre, dhe rrëfejnë kujtimet e atyre ditëve apo edhe të ditëve më vonë, të muajve që pasuan. Eshtë e natyrshme që kur bëhet historia e së kaluarës sigurisht edhe kujtimet subjektive të aktorëve, dëshmitarëve, pjesëmarrësve sigurisht merren shumë parasysh.
Mirëpo vë re raste kur gazetarët që moderojnë emisionet në televizion ose bëjnë intervista në shtypin e shkruar janë të papërgatitur ta përballojnë këtë gjini televizive kaq delikate dhe që kërkon kaq shumë profesionalizëm sa edhe narracioni historik në televizion. Ka mjaft raste që në vend të rindërtohet historia në televizion, gjejmë individë që të zhytur në kujtimet e tyre fare anësore me ngjarjet e mëdha të dhjetorit 1990 dhe të muajve më pas, e kthejnë historinë në folklor, duket sikur janë kthyer partizanët e shkretë të plakur të viteve ’80 që rrëfenin me kujtesë krejt të lodhur, të manipuluar dhe të zbukuruar nga kalimi i viteve për historitë e Luftës së Dytë botërore.
Ndërkohë që personazhe kyçe të asaj kohe që mund të tregonin gjëra thelbësore ose kanë ikur nga kjo jetë, ose heshtin për arësye që lidhen sa me dinjitetin e tyre, sa me ndofta mendimin se koha ende nuk është për të rrëfyer ngjarje dhe veprime, të cilat shoqëria e sotme ende si gëlltit dot, ca për dinjitet, ca për të mos u trazuar me fokloristët që historinë e kujtojnë se është ajo që ata kanë parë me sy ose në ëndërra që askush nuk ka provën nëse janë të njejta apo të ndryshme.
Sigurisht në televizione ka njerëz që mbajnë qendrim serioz ndaj së kaluarës dhe dinë t’i përqasen asaj për të mos ngatërruar përjetimin psiqik në vite të ngjarjeve të dhjetorit me faktet reale të asaj kohe.
Cfarë ve re?
E para, shoh që në raste të ndryshme ftohen për të rindërtuar ngjarjet e dhjetorit jo ata që ishin vërtet në vorbullën e tyre, por individë që pasi kanë marrë pjesë në mënyrë dytësore ose anësore në ato ngjarje, në vite kanë bërë emër, parà, kanë zenë një vend në administratë duke shërbyer në lloj – lloj marifetesh pushteteve të ndryshme, që kanë një status social dhe administrativ sot, që ndofta janë pranë pushteteve të sotme, ose politikanëve të sotëm, dhe duke përfituar që andej zënë në mënyrë monopolistike karriget në studio, duke uzurpuar jo vetëm të sotmen, por edhe të kaluarën. Administratori i nginjur dhe i mbufatur i sotëm imponohet që edhe të kaluarën ta rrëfejë ai, dhe gazetarët bien në këtë lloj servilizimi duke përjashtuar nga studiot të gjithë ata individë të ndershëm, të punës, idealistë, që dinë shumë për të kaluarën, por askush nuk ua mbledh kujtimet.
Po përsëritet historia që të kaluarën e rrëfenin jo komunistët e thjeshtë që jeta nuk i kishte përkëdhelur, jo komandantët e Luftës që ishin përzënë nga jeta publike, por e rrëfenin ata individë që në vitet ’40 luanin ndonjë rol korrieri, apo burizani, apo debatikasi, dhe që me postet e mëvonëshme merrnin të drejtën që të ishin ata që rrëfenin kujtime, duke i shitur se aty ishte e vërteta historike.
Prandaj kemi ngelur një popull me memorie kolektive të çartur, përjetojmë një amnezi kolektive, dhe kështu vazhdon edhe sot mekanizmi i uzurpimit të historisë të kaluar nga individë që sot kanë zë publik dhe jo nga ata që sot të heshtur, atëhere ishin aktorë politikë shumë të rëndësishëm.
E dyta, shihet që këta individë manipulues të historisë lejohen të rrëfejnë kujtime për ngjarje që janë jo vetëm pa pikë interesi, por edhe të pavërtetueshme me asnjë provë. Gazetarët e papërgatitur kujtojnë se roli i tyre është të bëjnë ca pyetje të përgjithshme, ndërkohë që babloku i nginjur duke gromësitur rrëfen përrallën mitologjike si “ka vrarë ariun” një natë dimri. As kërkon prova, as dokumenta, as foto, ndonëse edhe këto jashtë kontekstit të kohës, sikur edhe xhirime seancash mbledhjesh të ishin nuk kanë vlerë në vetvete jashtë interpretimeve të aktorëve kryesorë të ngjarje dhe historianëve që dinë t’u japin kuptimin atyre.
Më shkriu gazit njeri prej këtyre kur rrëfente se kishte bërë një trimëri dhe kishte dhënë një kontribut të madh në lëvizjet demokratizuese të lidhura me dhjetorin 1990, sepse një natë kishte ngel pa hotel në Sarandë a në Tepelenë dhe kështu kishte rrezikuar të linçohej nga forcat komuniste në atë qytet!!! Askush nuk e di a ka qenë apo jo, dhe a e dinte ndonjë komunist tepelenas a sarandiot se atë natë birbua ishte pa hotel. Pastaj trimërinë e tregonte si vazhdim sepse kishte fjetur te ca kazerma pa ushtarë ku një xhaxhai i tij kishte qenë polic!!!
Këto janë turpe folklorike që i serviren kombit shqiptar si historia e së kaluarës, çka në fakt janë bombardim i audiencave me rrëfime krejt pa vlerë, krejt pa vërtetim, krejt pa kuptim, që veterani i sotëm i rilindur të ngrohë edhe më shumë kolltukun e tij për të vazhduar t’i vejë shkelmin të sotmes.
E treta, sikurse flitet për “autoromorfizëm” në kritikën e historisë dogmatike, këta bardë të rinj të një eposi personal të gënjeshtër, këta heronj të rremë, gënjejnë brezat e rinj që nuk e kanë përjetuar historinë e kohës, dhe meqë kanë fuqi administrative, imponohen edhe për të bërë tekste shkolle. Nesër dhe për nja një shekull, vocërrakët shqiptarë do ta mësojnë gënjeshtrën e rrëfyer nga veteranët me kujtesë të manipuluar si e vërteta e historisë. Nxënësi më i mirë do të jetë ai që do ta thotë më mirë gënjeshtrën e lexuar në libër para zyshës të historisë.
Ecin me mendimin se ngjarja që kanë parë ata në ndonjë cep trotuari, apo në në ndonjë kazermë ushtarësh, është pikërisht jo një copëz e historisë, parë nga larg, pa ditur detajet e fshehta, por është vetë historia. Ajo që kalon para hundës sime – thotë dëshmitari manipulues – ishte vetë historia, aty u luajt ngjarja historike duke harruar se ai nuk është veçse një vrojtues i thjeshtë i një detaji ndoshta pa asnjë rëndësi.
Dhe “automorfizmi” vazhdon duke treguar ato kujtime që në qendër kanë pikërisht nënkuptimin se ne bëmë atë që duhet, se unë gjithmonë kam pasur të drejtë, se vija e jetës sime ka qenë gjithmonë në anën e së mirës, duke glorifikuar veten, duke i ngritur monument vetes.
Nëse brezi ynë nuk ka edhe gabuar atëhere përse jemi këtu ku jemi? Pa gjykata, pa integrim europian, pa teknologji, me qytetar që ikën nga sytë këmbët rrugëve të botës?
Veterani i vetëshpallur sot, si i dikurshmi ka hallin të marrë pesë mollët dhe tre arrat, ndonjë koqeve për 5 majin, prandaj ulëret me kujtime, duke rrahur gjoksin me grushta, i sotmi do tendera, poste, pozitën, vlerësim publik, dëshiron të lajë me ujë historie maskarallëqet e sotme që e fundosin dhe i kanë vendosur shkelmin demokracisë dhe idealeve të një dhjetori që janë zhdukur në mjergullën e historisë.
Dhe e gjitha kjo me bashkëpunimin e gazetarëve që nuk e dinë profesionin e tyre në rrafshin e zotërimit të kujtimeve për të kaluarën në media.
Studimi: Qëndrimi ulur për orë të gjata mund të dëmtojë shën...
Edi për Xhenetën, nuk e mohon se mund të ketë diçka
Gjashtë lëndë ushqyese që ndihmojnë në ndërtimin e muskujve ...
Harta e akneve në fytyrë, mesazhet e fshehura të shëndetit
Bitcoin nuk di të ndalet, i afrohet nivelit të 100 mijë doll...
Katër shenjat e horoskopit janë të motivuara veçanërisht për...