Nga: Mero Baze
Kualifikimi i Shqipërisë për në Kampionatin Evropian, përveç një kulmi historik, është dhe një leksion mbresëlënës se çfarë e favorizoi dhe çfarë e rrezikoi këtë ekip në ambicien e tij më të madhe historike. Në këtë rrugëtim, duhet thënë se ekipin e favorizoi fakti që ka një trajner italian, tërësisht profesionist, i qartë për projektin e tij për një ekip të së ardhmes dhe i pandikuar shumë nga pazarllëqet shqiptare.
Ekipi i De Biazit arriti të kthehej nga një grup lojtarësh të talentuar, në një ekip të vërtetë, që ia shtonin vlerat njëri-tjetrit. Përzgjedhjet e tij kanë qenë të guximshme dhe profesionale.
Ekipi ka qenë në tërësi i motivuar nga ideja që duhet të shkonte në Francë dhe guxoi ta mbante ndezur këtë ëndërr nga fillimi deri në fund.
Një tjetër detaj që i dha shumë emocion kësaj beteje, ka qenë fakti që ne na duhej të luanim me Serbinë. Kjo përballje në futboll u ngarkua aq shumë me histori, tension dhe dhunë, sa u dominua nga politika dhe jo nga futbollistët apo drejtuesit e tyre. Politika në Beograd dhe Tiranë e vodhi ndeshjen e futbollit mes Serbisë e Shqipërisë dhe e ktheu në lojë të tyre. Në Beograd iu hap rruga huliganizmit dhe barbarisë ndaj ekipit dhe tifozëve shqiptarë, ndërsa në Tiranë, po në mënyrë të kontrolluar, iu hap rruga qetësisë së diktuar dhe shmangies së incidenteve, po për arsye politike, duke i nxjerrë nga loja tifozët dhe lojtarët.
Ekipi shqiptar i stërngarkuar me histori dhe emocione, dështoi në fushën e lojës, duke pësuar një humbje që do t’i dhemb shumë gjithë shqiptarëve, edhe pse po të jenë njerëz të çliruar, nuk ka pse ndodh kështu. Serbia ka një ekip me histori të madhe futbolli, ndërsa ne po e prekim për herë të parë Evropianin.
Por, aty nuk luante ekipi ynë me Serbinë, por përballeshin mentalitetet e dy vendeve ballkanike, që nëse ua gërvisht lëkurën e paqes që kanë veshur, u dalin poshtë plagët e luftës që kanë bërë.
Pra, ekipi kombëtar i Shqipërisë u rrezikua t’i largohej Evropës kur nuk sillej si ekip futbolli, por si kompani lufte. Ndaj, humbja me serbët ishte një leksion i mirë dhe i hidhur sesi duhet mbajtur larg futbolli nga historia.
Një tjetër fenomen që tentoi ta dëmtojë ekipin kombëtar është dhe përpjekja e atyre që nuk pranojnë dot të ketë një sukses në këtë vend dhe kanë një kohë të gjatë që flasin vetëm për shitje dhe blerje ndeshjesh. Më të hidhur këta zëra u bënë pas humbjes dramatike me Serbinë, ku debati rreth kësaj shpikjeje të ligë, ishte sa banal, aq dhe dëshpërues. Në këtë betejë u përfshinë krerë të opozitës politike, duke bërë pis gjithë mjedisin politik me akuza banale, por dhe opinionistë kontrovers që duan vetëm të dëgjohen që flasin, jo çfarë flasin.
Akuzat politike të bëra pas ndeshjes me Serbinë nga opozita ishin të drejtuara të gjitha tek Edi Rama, i cili në të vërtetë e teproi duke u mburrur aq shumë me trepikëshin që i dha vetes, por tentimin për ta bërë ndeshjen me Serbinë beteje historike dhe patriotike, e bëri më shumë opozita. Ishte Berisha ai që ulëriti i pari për arrestimin e Ballist Morinës dhe grupe politike të opozitës që nxitën folklorizmin dhe debatin idiot rreth përballjes historike me serbët. Dhe, në finale Rama, Berisha e Basha që janë politikanë, vetëm sa i prenë gjunjët dhe duart, Ramës, Berishës dhe Bashës që luajtën në fushën e futbollit dhe humbën përballë serbëve.
Sot ekipi ynë kombëtar ia doli. Atë nuk e penguan dot as ata që deshën t’u heqin kostumet sportive dhe t’u veshin uniformën e UÇK-së, as ata që i shikonin si fletë skedinash. Ata ia dolën sidomos në ndeshjen e fundit, me Armeninë, ku u sollën si futbollistë fitues dhe si një ekip i madh, që e meriton të luajë në Francë 2016.
Beteja e tyre e fundit do mbahet mend gjatë, jo vetëm se fshiu kujtesën e hidhur të minutave të fundit që na bëjnë gjëmën, por se që në minutat e para shikoje një ekip të qartë, që donte fitore dhe e arriti. Ata u sollën 90 minuta si futbollistë dhe ia dolën të bëhen futbollistë evropianë. Fati i Shqipërisë është i tillë, që ajo është një vend i vogël në Ballkan dhe me askënd nuk ia ka dalë dot sa herë është ndeshur si ballkanase.
S’ia ka dalë dot me serbët, as në histori, as në futboll, s’ia ka dalë dot as me grekët, e me turqit. Sa herë që janë sjellë si perëndimorë të vërtetë në futboll, siç e dëshmuan në Armeni, ose sa herë kanë qenë në aleancë me Perëndimin në politikë, ia kanë dalë. Sa herë kemi prodhuar folklor dhe histori në vend të vlerave, kemi humbur. Djemtë e kombëtares ia dolën se prodhuan një standard të ri vlerash perëndimore në futbollin shqiptar. Ia dolën se janë futbollistë perëndimor dhe kjo na bën fitues si shqiptarë.
Përfundon regjistrimi i votuesve nga jashtë, Elezi nga KQZ t...
Aeroporti i Prishtinës feston arritjen e katër milionë udhët...
Laporta mund t’i befasojë të gjithë me transferimin e parë t...
Provat sugjerojnë se kundërajrorët rusë e goditën avionin e ...
Parashikimi i motit për sot në Shqipëri
Sot mblidhet Qeveria e Kosovës