Ne nuk mund ta parandalojmë plotësisht kërcënimin nga pandemitë. Por ne mund të punojmë bashkë, për të siguruar që ato të mos shkaktojnë kurrë më dëme të tilla. Ne duhet të tregojmë përulësi dhe të përgatitemi. Forcimi i kujdesit shëndetësor dhe i sistemeve të shëndetit publik, dhe pasja e një sistemi të mbikëqyrjes së klasit botëror janë thelbësore në këtë aspekt
Nga Patrick Vallance
Shpikja e një vaksine të sigurt dhe efektive nuk është një punë e lehtë dhe asnjëherë e garantuar. Zhvillimi i një vaksine kundër sëmundjes së malaries zgjati për dekada, dhe pavarësisht përpjekjeve të mëdha, nuk ka ende një vaksinë kundër HIV.
Por përkundër të gjitha parashikimeve dhe në një kohë rekord, ne kemi tashmë në dispozicion një sërë vaksinash për t’u mbrojtur kundër Covid-19.Kjo ka qenë një nga arritjet më të mëdha shkencore në historinë e kohëve të fundit.
Si rezultat i kësaj arritjeje, Britania e Madhe dhe vendet e tjera kanë ecur goxha mirë me programet e tyre të vaksinimit dhe gradualisht po zbehet kontrolli që ka pasur prej muajsh Covid-19 mbi jetët tona. Po si qe e mundur që përparuam kaq shpejt?
Një përgjigje është se terreni ishte tashmë gati. Dekada hulumtimesh mbi teknologjitë e vaksinave, përvoja e testeve klinike, dhe përpjekjet për të prodhuar vaksina ndaj infeksioneve nga koronaviruset e tjera,na dha jo pak avantazh. Në të kundërt, ndërsa testet e shpejta u shfaqën që gjatë muajve të parë, është dashur shumë kohë për të zbuluar se cilat funksiononin më mirë dhe kur t’i përdornim ato.
Por përkundër këtyre përparimeve, shumë vende nuk kanë ende qasje tek vaksinat, dhe shumë prej tyre vazhdojnë të përballen me nivele shumë të larta të infeksioneve. Tani ata nuk janë të sigurt, dhe derisa të jemi të sigurt që të gjithë, asnjë nga ne nuk mund ta konsiderojë veten të sigurt.
Është kjo arsyeja se përse bashkësia ndërkombëtare duhet të veprojë pikërisht tani për të trajtuar Covid-19 në të gjithë botën,duke i shpërndarë vaksinat kudo që ka nevojë. Gjithashtu ne duhet të jemi të përgatitur për pandemitë e ardhshme. Ne duhet të zvogëlojmë mundësinë e kërcënimeve infektive emergjente, duke i zbuluar ato më shpejt, dhe duke ndërmarrë veprime vendimtare për t’i frenuar ato.
Këto janë parakushtet më themelore. Por ndërkohë ne duhet të kemi gati arsenalin tonë, dhe të jemi të gatshëm të reagojmë. Imagjinojeni pak sikur të kishim në dispozicion vaksinat, terapitë dhe diagnostikimet e sigurta efektive dhe me cilësi të lartë brenda 100 ditëve nga shpallja e kësaj pandemie.
Bota tashmë mund të ishte kthyer në normalitet. Ky duhet të jetë synimi ynë për të ardhmen.
Në përgatitje të samitit të ardhshëm të G7, kryeministri Boris Xhonson më kërkoi të mbledh ekspertë nga industria, bota akademike, qeveritë dhe organizatat si OBSH dhe “Wellcome Trust”, për të diskutuar se si mund të përshpejtojmë zbulimin, zhvillimin dhe shpërndarjen e vaksinave, trajtimet terapeutike dhe diagnostike.
Ky partneritet do të rekomandojë hapa praktikë që mund të ndërmarrë bashkësia ndërkombëtare, për të bërë të mundur përmbushjen e ambicies 100-ditore. Në secilën fushë ka nevoja specifike. Rregullorja për testet e shpejta diagnostike, kërkon një rregullim të fokusuar tek cilësia dhe përdorimi.
Duhet të ndërtohet në të gjithë globin infrastruktura e testeve klinike. Gjithashtu,kërkohet një rrjet prodhimi i shpërndarë që të ketë një transferim më të lehtë të teknologjisë. Po ashtu kemi nevojë të prodhojmë vaksina dhe ilaçe prototip për patogjenët kryesorë që renditen në listën e OBSH-së, për të pasur sërish një avantazh në rastin e një reagimi.
Investimet në teknologji të ndryshme,dhanë frytet e tyre me zhvillimin e vaksinave të mARN. Teknologjitë dhe mënyrat e reja të punës, do të duhet të përfshijnë aktivitetet e përditshme, në mënyrë që kur të kërkojmë një reagim të shpejtë gjatë emergjencave, e veçanta të jetë tashmë pjesë e rutinës.
Ne do të duhet të përcaktojmë që tani mënyrën e veprimit, në mënyrë që të mos humbasim kohë gjatë epidemive ose pandemive mbi gjetjen e dakordësisë për protokollet e ndarjes së të dhënave, lëvizjet e zinxhirëve të furnizimit, proceset e financimit për zhvillimin e vaksinave apo rregullimet ligjore për transferimin e teknologjisë.
Ne nuk mund ta parandalojmë plotësisht kërcënimin nga pandemitë. Por ne mund të punojmë bashkë, për të siguruar që ato të mos shkaktojnë kurrë më dëme të tilla. Ne duhet të tregojmë përulësi dhe të përgatitemi. Forcimi i kujdesit shëndetësor dhe i sistemeve të shëndetit publik, dhe pasja e një sistemi të mbikëqyrjes së klasit botëror janë thelbësore në këtë aspekt.
Një objektiv 100-ditor për diagnostikimin, trajtimet terapeutike dhe vaksinat efektive, të sigurta dhe me cilësi të lartë të prodhuara në shkallë dhe shpërndarje globale, është shumë ambicioz. Por ky është një qëllim të cilin bota mundet dhe duhet ta tentojë ta arrijë.
Shënim: Patrick Vallance, është këshilltari kryesor shkencor i qeverisë britanike. / “Financial Times” – Bota.al/
Bernabeu iu përul legjendës: Një lamtumirë madhështore për d...
Meksikë, rrëzohet avioni “Cessna 207”, raportohet për 7 vikt...
LDK shënon 35-vjetorin e themelimit
Horoskopi, zbuloni parashikimin e yjeve për shenjën tuaj
“Shkodra Elektronike” me “Zjerm” për...
Kurti e Nagavci sot lansojnë pilotimin e Programit të Kuponë...