Google ADS

Si do të jetë bota pas koronavirusit?

01:07 | 23 Mars 2020
Trina Galanxhi

Njerëzimi tani po përballet me një krizë globale. Ndoshta kriza më e madhe e gjeneratës sonë. Vendimet që do të marrin njerëzit dhe qeveritë brenda javëve të ardhshme, me siguri do ta formësojnë botën për vitet në vazhdim. Ato do të formësojnë jo vetëm sistemet tona të kujdesit shëndetësor, por edhe ekonominë, politikën dhe kulturën. Ne duhet të veprojmë shpejt dhe me vendosmëri. Ne gjithashtu duhet të marrim parasysh pasojat afatgjata të veprimeve tona. Kur zgjedhim midis alternativave, duhet të pyesim veten jo vetëm se si ta kapërcejmë kërcënimin e menjëhershëm, por edhe se në çfarë lloj bote do të banojmë pasi të kalojë furtuna. Po, furtuna do të kalojë, njerëzimi do të mbijetojë, shumica prej nesh do të jetë ende gjallë – por do të banojmë në një botë tjetër.

Shumë masa afatshkurtra të emergjencës do të bëhen pjesë e jetës. Kjo është natyra e emergjencave. Ato i çojnë përpara proceset historike. Vendimet që në kohë normale mund të kërkojnë vite të tëra debatesh, miratohen brenda disa orësh. Teknologjitë e parakohshme dhe madje të rrezikshme vihen me shpejtësi në shërbim, sepse rreziqet kur nuk bën asgjë, janë më të mëdha. Vendet e tëra shërbejnë si kavie në eksperimente sociale në shkallë të gjerë. Çfarë ndodh kur të gjithë punojnë nga shtëpia dhe komunikojnë vetëm në distancë? Çfarë ndodh kur të gjithë shkollat dhe universitetet kalojnë në internet? Në kohë normale, qeveritë, bizneset dhe bordet arsimore nuk do të pranonin kurrë të kryenin eksperimente të tilla. Por këto nuk janë kohë normale.

Në këtë kohë krize, ne përballemi me dy zgjedhje veçanërisht të rëndësishme. E para është midis mbikëqyrjes totalitare dhe fuqizimit të qytetarëve. E dyta është midis izolimit nacionalist dhe solidaritetit global.

Survejimi nën lëkurë

Për të ndaluar epideminë, e tërë popullata duhet të zbatojë udhëzime të caktuara. Ekzistojnë dy mënyra kryesore për ta arritur këtë. Një metodë është që qeveria të monitorojë njerëzit dhe të ndëshkojë ata që shkelin rregullat. Sot, për herë të parë në historinë njerëzore, teknologjia bën të mundur monitorimin e të gjithëve, gjatë gjithë kohës. Pesëdhjetë vjet më parë, KGB nuk mund të ndiqte 240 milion qytetarë sovjetikë 24 orë në ditë, dhe KGB as nuk mund të shpresonte të përpunonte në mënyrë efektive të gjitha informacionet e mbledhura. KGB mbështetej në agjentë dhe analistë njerëzorë, dhe thjesht nuk mund të vendoste një agjent njerëzor për të ndjekur çdo qytetar. Por tani qeveritë mund të mbështeten në sensorë të kudondodhur dhe algoritme të fuqishme, në vend të spiunëve prej mishi dhe gjaku.

Në betejën e tyre kundër epidemisë së koronavirusit, disa qeveri kanë vënë në punë tashmë mjetet e reja të mbikëqyrjes. Rasti më i qartë është Kina. Duke monitoruar nga afër telefonat inteligjentë të njerëzve, duke përdorur qindra-miliona kamera që njohin fytyrën dhe duke i detyruar njerëzit të kontrollojnë dhe raportojnë temperaturën e trupit dhe gjendjen e tyre mjekësore, autoritetet kineze jo vetëm që mund të identifikojnë shpejt transportuesit e dyshuar të koronavirusit, por edhe të gjurmojnë lëvizjet e tyre dhe të identifikoni këdo, me të cilin kanë rënë në kontakt. Një gamë e tërë aplikacionesh në celularë paralajmërojnë qytetarët për afërsinë e tyre me pacientët e infektuar.

Kjo lloj teknologjie nuk është e kufizuar në Azinë Lindore. Kryeministri Benjamin Netanyahu i Izraelit, kohët e fundit autorizoi Agjencinë e Sigurisë së Izraelit të vërë në përdorim teknologjinë e mbikëqyrjes, zakonisht e rezervuar kundër terroristëve, për të ndjekur pacientët me koronavius. Kur nënkomisioni parlamentar përkatës refuzoi të autorizojë këtë masë, Netanyahu e vuri në zbatim atë me një “dekret emergjence”. Ju mund të argumentoni se nuk ka asgjë të re në gjithë këtë. Vitet e fundit, si qeveritë, edhe korporatat kanë përdorur teknologji gjithnjë e më të sofistikuara për të gjurmuar, monitoruar dhe manipuluar njerëzit. Megjithatë, nëse nuk jemi të kujdesshëm, epidemia mund të shënojë njëçast vendimtar në historinë e mbikëqyrjes. Jo vetëm sepse mund të normalizojë vendosjen e mjeteve të mbikëqyrjes masive në vendet që deri më tani i kanë refuzuar, por më shumë sepse kjo nënkupton një tranzicion dramatik nga mbikëqyrja “mbi lëkurë”, në mbikëqyrjen “nën lëkurë” .

Deri më tani, kur gishti juaj prekte ekranin e smartphone-it tuaj dhe klikonit një link, qeveria dëshironte të dinte se çfarë saktësisht po klikonte gishti juaj. Por me koronavirusin, fokusi i interesit zhvendoset. Tani qeveria dëshiron të njohë temperaturën e gishtit tuaj dhe presionin e gjakut nën lëkurën e tij.

Emergjenca e pudingut

Një nga problemet me të cilat përballemi duke punuar atje ku ne jemi në mbikëqyrje, është se askush nga ne nuk e di saktësisht se si po vëzhgohemi dhe çfarë mund të sjellin vitet e ardhshme. Teknologjia e mbikëqyrjes po zhvillohet me shpejtësi të jashtëzakonshme, dhe ajo që dukej fanta-shkencë 10 vjet më parë, sot është një lajm i vjetër. Sa për një eksperiment mendimi, konsideroni një qeveri hipotetike e cila kërkon që çdo qytetar të veshë një byzylyk biometrik, që monitoron temperaturën e trupit dhe rrahjet e zemrës 24 orë në ditë.

Të dhënat që rezultojnë grumbullohen dhe analizohen nga algoritmet qeveritare. Algoritmet do të dinë që ju jeni sëmurë edhe para se ta dini ju vetë, dhe ata gjithashtu do të dinë se ku keni qenë, dhe kë keni takuar. Zinxhirët e infeksionit mund të shkurtohen në mënyrë drastike, dhe madje edhe të zhduken krejt. Një sistem i tillë mund të ndalojë epideminë brenda disa ditësh. Tingëllon e mrekullueshme, apo jo?

Ana tjetër është, natyrisht, që kjo do t’i jepte legjitimitet një sistemi të ri mbikëqyrës. Nëse e dini, për shembull, që unë klikoj në një link të Fox Neës dhe jo në një link të CNN, kjo mund t’ju mësojë diçka në lidhje me pikëpamjet e mia politike dhe ndoshta edhe personalitetin tim. Por nëse mund të monitoroni se çfarë ndodh me temperaturën e trupit tim, tensionin e gjakut dhe rrahjet e zemrës ndërsa shikoj videoklipin, mund të mësoni se çfarë më bën të qesh, çfarë më bën të qaj dhe çfarë më bën mua vërtet, vërtet të inatosur.

Eshtë thelbësore të mbani mend se zemërimi, gëzimi, mërzitja dhe dashuria janë fenomene biologjike, ashtu si ethet dhe kolla. E njëjta teknologji që identifikon kollën mund të identifikojë edhe të qeshurat. Nëse korporatat dhe qeveritë fillojnë të përdorin masivisht të dhënat tona biometrike, ato mund të na njohin shumë më mirë sesa njohim ne veten, dhe atëherë jo vetëm që mund të parashikojnë ndjenjat tona, por edhe të manipulojnë ndjenjat tona dhe të na shesin çdo gjë që duan – qoftë produkte apo politikanë. Monitorimi biometrik do ta bënte taktikën e vjedhjes së të dhënave nga Cambridge Analytica, të dukej si diçka nga Epoka e Gurit. Imagjinoni Korenë e Veriut në vitin 2030, kur çdo qytetar duhet të mbajë një byzylyk biometrik 24 orë në ditë. Nëse dëgjoni një fjalim nga Udhëheqësi i Madh dhe byzylyku mbledh shenjat e treguesve të zemërimit, ke marrë fund.

Ju mund të kundërshtoni, natyrisht, duke thënë se mbikëqyrjA biometrike është një masë e përkohshme, e marrë gjatë një gjendje të jashtëzakonshme. Do të hiqet pasi të mbarojë emergjenca. Por masat e përkohshme kanë një zakon të keq që zgjasin përtej emergjencave të mëdha, veçanërisht pasi që gjithmonë ekziston një emergjencë e re në pritje në horizont. Vendi im Izraeli, për shembull, shpalli një gjendje të jashtëzakonshme gjatë Luftës së Pavarësisë në vitin 1948, e cila justifikoi një sërë masash të përkohshme, që nga censura e shtypit dhe konfiskimi i tokës, deri tek rregulloret speciale për bërjen e pudingut (Nuk po bëj shaka). Lufta e Pavarësisë është fituar prej kohësh, por Izraeli kurrë nuk e shpalli fundin e emergjencës dhe nuk ka arritur të shfuqizojë shumë prej masave “të përkohshme” të vitit 1948 (dekreti i pudingut u shfuqizua në vitin 2011).

Edhe kur infeksionet nga koronaviusi të bien në zero, disa qeveri të uritura për të dhëna mund të argumentojnë se kishin nevojë për të mbajtur sistemet e mbikëqyrjes biometrike, sepse kanë frikë nga një valë e dytë e koronavirusit, ose sepse ekziston një lloj i ri i Ebolas që evoluon në Afrikën qendrore, ose sepse. . . zgjidheni vetë. Një betejë e madhe është zhvilluar vitet e fundit mbi privatësinë tonë. Kriza e koronavirusit mund të jetë kulmi i betejës. Sepse kur njerëzve u jepet një zgjedhje midis privatësisë dhe shëndetit, ata zakonisht do të zgjedhin shëndetin.

Policia e sapunit

T’u kërkosh njerëzve që të zgjedhin midis privatësisë dhe shëndetit është, në të vërtetë, thelbi i problemit. Sepse kjo është një zgjedhje e rremë. Ne mund dhe duhet të gëzojmë si privatësinë, ashtu edhe shëndetin. Ne mund të zgjedhim të mbrojmë shëndetin tonë dhe të ndalojmë epideminë e koronavirusit, jo duke krijuar regjime mbikëqyrjeje totale, por më tepër duke fuqizuar qytetarët. Javët e fundit, disa nga përpjekjet më të suksesshme për të frenuar epideminë e koronavirusit u orkestruan nga Koreja e Jugut, Tajvani dhe Singapori. Ndërsa këto vende kanë përdorur disa aplikacione gjurmimi, ata janë mbështetur shumë më tepër në testime të gjera, në raportime të ndershme dhe në bashkëpunimin e gatshëm të një publiku të informuar mirë.

Monitorimi i centralizuar dhe dënimet e ashpra nuk janë mënyra e vetme për t’i bërë njerëzit të respektojnë udhëzimet e dobishme. Kur njerëzve u thuhen faktet shkencore dhe kur njerëzit u besojnë autoriteteve publike që t’ua përcjellin këto fakte, qytetarët mund të bëjnë gjënë e duhur edhe pa një Big Brother që shikon mbi supet e tyre. Një popullatë e vetë-motivuar dhe e informuar mirë është zakonisht shumë më e fuqishme dhe e efektshme sesa një popullatë injorante, e policuar.

Konsideroni, për shembull, larjen e duarve me sapun. Ky ka qenë një nga përparimet më të mëdha që kanë ndodhur ndonjëherë në higjenën njerëzore. Ky veprim i thjeshtë shpëton miliona jetë çdo vit. Ndërsa e konsiderojmë si të mirëqenë, vetëm në shekullin e 19-të shkencëtarët zbuluan rëndësinë e larjes së duarve me sapun. Më parë, mjekët dhe infermierët vazhdonin madje nga një operacion në tjetrin, pa larë duart. Sot miliarda njerëz çdo ditë i lajnë duart, jo sepse kanë frikë nga policia e sapunit, por përkundrazi sepse i kuptojnë faktet. Unë i laj duart me sapun sepse kam dëgjuar për viruse dhe baktere, e kuptoj që këta organizma të vegjël shkaktojnë sëmundje, dhe e di që sapuni mund t’i eleminojë ato.

Por për të arritur një nivel të tillë pajtueshmërie dhe bashkëpunimi, ke nevojë për besim. Njerëzit duhet të besojnë në shkencë, të besojnë autoritetet publike dhe të besojnë në media. Gjatë viteve të fundit, politikanët e papërgjegjshëm kanë minuar qëllimisht besimin në shkencë, në autoritetet publike dhe në media. Tani të njëjtët politikanë të papërgjegjshëm mund të joshen të marrin rrugën drejt autoritarizmit, duke argumentuar se thjesht nuk mund t’i besosh publikut që do të bëjë gjënë e duhur.

Normalisht, besimi që është gërryer për vite me radhë nuk mund të rindërtohet brenda natës. Por këto nuk janë kohë normale. Në një moment krize, edhe mendjet mund të ndryshojnë shpejt. Ju mund të keni debate të hidhura me motrat dhe vëllezërit për vite me radhë, por kur ndodh ndonjë emergjencë, papritmas zbuloni një rezervuar të fshehur besimi dhe miqësie, dhe nxitoni të ndihmoni njëri-tjetrin. Në vend që të ndërtohet një regjim mbikëqyrjeje, nuk është vonë që të rindërtohet besimi i njerëzve në shkencë, në autoritetet publike dhe në media. Ne gjithashtu duhet të përdorim edhe teknologjitë e reja, por këto teknologji duhet t’i fuqizojnë qytetarët. Unë jam tërësisht në favor të monitorimit të temperaturës sime të trupit dhe tensionit të gjakut, por ato të dhëna nuk duhet të përdoren për të krijuar një qeveri të fuqishme.

Përkundrazi, këto të dhëna duhet të më lejojnë të bëj zgjedhje personale më të informuara, dhe gjithashtu të mbahet përgjegjësi nga qeveria për vendimet e saj. Nëse mund ta kontrolloja gjendjen time mjekësore 24 orë në ditë, do të mësoja jo vetëm nëse jam bërë rrezik për shëndetin e njerëzve të tjerë, por edhe cilat zakonet kontribuojnë në shëndetin tim. Dhe nëse do të kisha qasje dhe do të analizoja statistika të besueshme për përhapjen e koronavirusit, do të isha në gjendje të gjykoja nëse qeveria po më thotë të vërtetën, dhe nëse po miraton politikat e duhura për të luftuar epideminë. Kurdoherë që flitet për mbikëqyrje, mbani mend se e njëjta teknologji e mbikëqyrjes zakonisht mund të përdoret jo vetëm nga qeveritë për të monitoruar individët – por edhe nga individët për të monitoruar qeveritë.

Epidemia e koronavirusit është pra një provë e madhe e qytetarisë. Në ditët në vazhdim, secili prej nesh duhet të zgjedhë t’u besojë të dhënave shkencore dhe ekspertëve të kujdesit shëndetësor, dhe jo teorive të pabazuara të komplotit dhe politikanëve që i shërbejnë veç vetes së tyre. Nëse nuk arrijmë të bëjmë zgjedhjen e duhur, mund ta gjejmë veten duke firmosur për heqjen e lirive tona më të çmuara, duke menduar se kjo është mënyra e vetme për të mbrojtur shëndetin tonë.

Ne kemi nevojë për një plan global

Zgjedhja e dytë e rëndësishme që kemi përballë është midis izolimit nacionalist dhe solidaritetit global. Edhe vetë epidemia dhe kriza ekonomike që rezulton janë probleme globale. Ato mund të zgjidhen në mënyrë efektive vetëm me bashkëpunimin global.

Së pari dhe më e rëndësishmja, për të mposhtur virusin duhet të ndajmë informacionet globalisht. Ky është avantazhi i madh i njerëzve ndaj viruseve. Një koronavirus në Kinë dhe një koronavirus në SHBA nuk mund të shkëmbejnë sugjerime, se si të infektojnë njerëzit. Por Kina mund t’i japë SHBA shumë mësime të vlefshme për koronavirusin dhe mënyrën e trajtimit të tij. Ajo që një mjek italian zbulon në Milano në mëngjes herët, mund të shpëtojë jetë në Teheran deri në mbrëmje. Kur qeveria e Mbretërisë së Bashkuar është e mëdyshur midis disa politikave, ajo mund të marrë këshilla nga koreanët, të cilët tashmë ishin përballur me një dilemë të ngjashme një muaj më parë.

Por që kjo të ndodhë, ne kemi nevojë për një frymë të bashkëveprimit dhe besimit global. Vendet duhet të jenë të gatshme të ndajnë informacionin hapur dhe me përulësi të kërkojnë këshilla, dhe duhet të jenë në gjendje t’i besojnë të dhënave që marrin. Ne gjithashtu kemi nevojë për një përpjekje globale për të prodhuar dhe shpërndarë pajisje mjekësore, veçanërisht kite testimesh dhe makina respiratore. Në vend që secili vend të përpiqet ta bëjë atë vetë dhe të mbajë çfarëdo pajisje që mund të marrë, një përpjekje e koordinuar globale mund të përshpejtojë shumë prodhimin, si dhe të sigurohet që pajisjet e shpëtimit të jetës të shpërndahen në mënyrën më të drejtë. Ashtu si vendet shtetëzojnë industritë kryesore gjatë një lufte, lufta njerëzore kundër koronavirusit mund të na kërkojë të “humanizojmë” linjat thelbësore të prodhimit. Një vend i pasur me pak raste të koronavirusit, duhet të jetë i gatshëm të dërgojë pajisje të nevojshme, tek një vend më i varfër me shumë raste, duke besuar se nëse dhe kur më pas të ketë nevojë për ndihmë, vendet e tjera do t’i vijnë në ndihmë.

Ne mund të konsiderojmë një përpjekje të ngjashme globale për të grumbulluar personelin mjekësor. Vendet që aktualisht janë më pak të prekur mund të dërgojnë staf mjekësor në rajonet më të goditura të botës, me qëllim që edhe t’i ndihmojnë ata në orën e tyre të nevojës, por edhe që të fitojnë përvojë të vlefshme. Nëse më vonë fokusi i epidemisë zhvendoset, ndihma mund të fillojë të rrjedhë në drejtim të kundërt.

Bashkëpunimi global është po kaq i nevojshëm edhe në frontin ekonomik. Duke pasur parasysh natyrën globale të ekonomisë dhe zinxhirët e furnizimit, nëse secila qeveri bën gjërat e veta në mosrespektim të plotë të të tjerëve, rezultati do të jetë kaos dhe një krizë që sa vjen e thellohet. Ne kemi nevojë për një plan global veprimi, dhe kemi nevojë ta bëjmë shpejt.

Një kërkesë tjetër është arritja e një marrëveshje globale mbi udhëtimin. Pezullimi i të gjithë udhëtimeve ndërkombëtare për muaj do të shkaktojë vështirësi të jashtëzakonshme dhe vështirësojë luftën kundër koronavirusit. Vendet duhet të bashkëpunojnë në mënyrë që të lejojnë të paktën një sasi esenciale udhëtarësh që të vazhdojnë të përshkojnë kufijtë: shkencëtarë, mjekë, gazetarë, politikanë, biznese. Kjo mund të bëhet duke arritur një marrëveshje globale mbi kontrollin e udhëtarëve nga vendi i tyre i origjinës. Nëse e dini që vetëm udhëtarët e kontrolluar me kujdes për shëndetin lejohen në një avion, atëherë do të ishit më të gatshëm t’i pranonit ata në vendin tuaj.

Fatkeqësisht, në këto momente vendet nuk po bëjnë aspak nga këto gjëra. Një paralizë kolektive e ka kapluar komunitetin ndërkombëtar. Duket se “nuk ka të rritur në dhomë”. Normalisht duhej të pritej që prej disa javësh, një takim urgjent i liderëve globalë për të dalë me një plan të përbashkët veprimi. Drejtuesit e G7 arritën të organizojnë një videokonferencë vetëm këtë javë, dhe nuk rezultoi në ndonjë plan të tillë.

Në krizat e mëparshme globale – siç është kriza financiare e vitit 2008 dhe epidemia e Ebolës 2014 – SHBA morën rolin e udhëheqësit global. Por administrata aktuale SHBA ka hequr dorë nga puna e udhëheqësit. Ajo e ka bërë shumë të qartë se kujdeset për madhështinë e Amerikës, shumë më tepër sesa për të ardhmen e njerëzimit.

Kjo administratë ka braktisur edhe aleatët e saj më të afërt. Kur ndaloi të gjitha udhëtimet nga BE, as nuk e mori mundimin të njoftonte Bashkimin Evropian paraprakisht – e lëre më të konsultohej me BE për atë masë drastike. Ajo ka skandalizuar Gjermaninë duke i ofruar 1 miliard dollarë një kompanie farmaceutike gjermane, për të blerë monopolin e të drejtave të një vaksine të re për Covid-19. Edhe nëse administrata e tanishme ndryshon përfundimisht dhe vë në punë një plan global veprimi, pak kush do i shkonte pas një udhëheqësi që nuk merr kurrë përgjegjësi, i cili nuk pranon kurrë gabime, dhe i cili merr vazhdimisht të gjitha meritat për vete, ndërsa fajet ua lë gjithmonë të tjerëve.

Nëse boshllëku e lënë nga SHBA nuk plotësohet nga vendet e tjera, jo vetëm që do të jetë shumë më e vështirë për të ndaluar epideminë aktuale, por trashëgimia e saj do të vazhdojë të helmojë marrëdhëniet ndëkombëtare për vitet e ardhshme. Megjithatë, çdo krizë është gjithashtu një mundësi. Duhet të shpresojmë që epidemia e tanishme do të ndihmojë njerëzimin të kuptojë rrezikun akut, që paraqet përçarja globale.

Njerëzimi duhet të bëjë një zgjedhje. A do të udhëtojmë nëpër rrugën e pabarazisë, apo do të marrim rrugën e solidaritetit global? Nëse zgjedhim përçarjen, kjo jo vetëm që do të zgjasë krizën, por me siguri do të rezultojë në katastrofa edhe më të këqija në të ardhmen. Nëse zgjedhim solidaritetin global, do të jetë një fitore jo vetëm kundër koronavirusit, por kundër të gjitha epidemive dhe krizave të ardhshme që mund të sulmojnë njerëzimin në shekullin XXI. / “FT Weekend” – Bota.al

Youval Noah Harari është autor i librave: “Sapiens”, “Homo Deus” dhe “21 mësime për shekullin 21”.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme