Shkruan: Xhavit Beqiri
Në kulmin e luftërave ndëretnike në ish-Jugosllavi, kur Serbia po i terrorizonte “bashkatdhetarët” e vet të deridjeshëm, fillimisht sllovenët, pastaj kroatët e veçmas boshnjakët, dhe po e gatiste synimin e kamotshëm për zhbërjen e Kosovës, Presidenti amerikan George Bush, në fund të vitit 1992, doli me qëndrimin e prerë, të njohur si “Kërcënimi i Kërshëndellave”, me të cilin ia bënte të qartë Millosheviqit se asnjë agresion serb në Kosovë nuk do të tolerohej. Ky kërcënim u ritheksua edhe nga administrata e re, porsa e mori mandatin Presidenti Bill Clinton, i cili në zgjedhjet presidenciale kishte fituar pikërisht ndaj ish-Presidentit Bush.
Në vitet 1998-1999, kur gjenocidi serb ndaj shqiptarëve të Kosovës po realizohej praktikisht, Presidenti Clinton i priu ndërhyrjes ushtarake të NATO-s kundër forcave serbe. Të gjitha vendet e Aleancës Veriatlantike patën rolin e tyre në fushatën 78-ditë-she për shpëtimin e Kosovës dhe të popullit të saj, mirëpo rolin kryesor, rolin vendimtar e patën Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ndihma e ShBA-ve, po ashtu, ishte shumë e rëndësishme për ndërtimin e institucioneve demokratike të Kosovës gjatë dhe pas kohës së UNMIK-ut.
Megjithatë, për sentimentin tonë, pikë kulmore mbetet deklarata e Presidentit George W. Bush, i cili, më 10 qershor 2007, gjatë një vizite në Shqipëri, tha shkurt: “Mjaft është mjaft, Kosova duhet të jetë e pavarur!”
Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin ndër vendet e para që e njohën pavarësinë e Republikës së Kosovës, të shpallur më 17 shkurt 2008. Ato e ndihmuan Kosovën për konsolidimin e shtetësisë, si dhe për afirmimin në arenën ndërkombëtare.
Ndërkohë, gjatë gjithë këtyre viteve, mbështetja amerikane për Kosovën ka qenë konstante.
Roli i administratës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës ishte vendimtar edhe në vendimin për transformimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës. Shumica e liderëve të vendeve të NATO-s, duke e përfshirë edhe vetë Sekretarin e Përgjithshëm Jens Stoltenberg, hezitonin ta përkrahnin vendimin e Qeverisë së Kosovës më 2018 për shndërrimin e FSK-së në ushtri, por ishte ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, ai që e tha qartë dhe pa ekuivokë: “Transformimi i FSK-së në ushtri, hap pozitiv dhe i natyrshëm”.
Vitet e gjata të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, nuk dhanë rezultatet e pritura. Madje, BE-ja nuk e mbajti as premtimin për heqjen e vizave, ndonëse institucionet e Kosovës i plotësuan të gjitha kushtet dhe kriteret e shtruara nga Brukseli zyrtar. Ky fakt vazhdon ta acarojë popullin e Kosovës, i cili tashmë beson se pa praninë amerikane nuk mund të arrihet asnjë marrëveshje në relacionin Kosovë-Serbi.
Angazhimi amerikan në procesin e dialogut në mes dy vendeve është i domosdoshëm. Kudo në Kosovë, paralajmërimi i sotëm i ambasadorit Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i Presidentit Trump për bisedimet Kosovë-Serbi, se më 2 shtator, në Uashington, do të takohen delegacionet e Kosovës dhe Serbisë është pritur si një ogur i mirë, që ngre shpresën se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta rimarrin rolin që u takon në këtë proces, rolin prijatar, pa e nënçmuar kurrsesi ndihmesën e partnerëve evropianë.
Kosova, si përherë, është e përkushtuar të punojë me miqtë e saj për të ardhmen euroatlantike të rajonit.
Le të shpresojmë se edhe vendet e tjera tashmë e kanë kuptuar se vetëm paqja, bashkëpunimi dhe njohja e ndërsjellë mundësojnë të ardhme të qëndrueshme për këtë pjesë të Evropës Juglindore.
Pra, të gjithë në fqinjësi të mirë, por secili zot në shtëpinë e vet!
Kosova është e bekuar që ka miq të mirë si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndaj, pa hezitim, do ta vazhdojë rrugën e Presidentit historik Ibrahim Rugova, i cili përherë thoshte: “Kosova e pavarur, e lirë dhe demokratike, e anëtarësuar në NATO dhe në Bashkimin Evropian dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
Në fakt, kjo është esenca!
Përfshirja e Uashingtonit në këtë proces mund të jetë sinjal për fillimin e fundit të dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë, sinjal për domosdonë e një marrëveshjeje finale dhe ligjërisht të obligueshme, e cila do të sjellë njohjen reciproke, paqen dhe perspektivën euroatlantike të të dyja vendeve dhe të mbarë rajonit.
(Autori është Këshilltar Politik i Kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti. Qëndrimet e shprehura në këtë tekst paraqesin pikëpamjet e tij personale).
Siri, 9 të vrarë në operacionin për arrestimin e një ish zyr...
Rodrygo ka refuzuar mega ofertën e gjigantit evropian
Sipas Romanos, Rashfordi e sheh Barcelonën destinacionit e t...
Krasniqi mbështet Ramën për kritikat ndaj punës së Kuvendit ...
Maqedonci: Me raketat Javelin mbrojmë çdo cep të territorit
Salah “vazhdon traditën” poston foton para pemës...