Një shtëpi letre. Një grup gënjeshtrash që ne i kemi pranuar në mënyrë të pavetëdijshme. Kështu duken siguritë tona gjatë krizave të thella. Episode të tilla na trondisin kur kuptojmë se sa të pasigurta janë supozimet tona. Kjo është arsyeja pse ky vit i ngjan një batice që tërhiqet shpejt, duke na detyruar të përballemi me të vërtetat e zhytura.
Dikur mendonim se globalizimi kishte dëmtuar qeveritë nacionale. Presidentët strukeshin para tregjeve të bonove. Kryeministrat shpërfillnin të varfit e vendeve të tyre, por kurrë Standard & Poor’s. Ministrat e financave silleshin si kopukët e Goldman Sachs dhe satrapët e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Manjatët e medias, njerëzit e naftës dhe financuesit, jo më pak se kritikët e majtë të kapitalizmit të globalizuar, ranë dakord që qeveritë nuk ishin më nën kontrollin e tyre.
Pastaj goditi pandemia. Brenda natës, qeveritë nxorën thonjtë dhe mprehën dhëmbët. Ata mbyllën kufijtë dhe ulën avionët, vendosën orare të rrepta shtetrrethimi në qytetet tona, mbyllën teatrot dhe muzetë dhe na ndaluan të qëndronim pranë prindërve tanë në çastet e tyre të fundit të jetës. Ata madje bënë atë që askush nuk e mendonte të mundur para Apokalipsit: anuluan eventet sportive.
Kështu u zbulua sekreti i parë: Qeveritë ruajnë pushtet të patjetërsueshëm. Ajo që zbuluam në vitin 2020 është se qeveritë kishin zgjedhur të mos ushtronin kompetencat e tyre të mëdha në mënyrë që ata që ishin pasuruar për shkak të globalizimit të mund të ushtronin të tyret.
E vërteta e dytë është ajo që shumë njerëz e dyshonin, por ishin shumë të ndrojtur për ta thënë me z të lartë: pema e parave është e vërtetë. Qeveritë që shfaqnin pandjeshmërinë e tyre sa herë u kërkohej të paguanin për një spital këtu ose një shkollë atje, zbuluan papritur sasi të mëdha parash për të paguar paga lufte, për të shtetëzuar hekurudhat, për të marrë përsipër linjat ajrore, për të mbështetur prodhuesit e makinave, dhe madje edhe për të ndihmuar palestrat dhe parukeritë.
Ata që normalisht protestojnë se paratë nuk i gjejmë në pemë, e mbajtën gojën. Tregjet financiare festuan, në vend që të kritikonin shpenzimet e shtetit.
Greqia është një rast studimi i përsosur i së vërtetës së tretë të zbuluar këtë vit: Aftësia për të paguar është një vendim politik, të paktën në Perëndimin e pasur. Në vitin 2015, borxhi publik i Greqisë prej 320 miliardë eurosh (392 miliardë dollarë) tejkalonte të ardhurat kombëtare prej vetëm 176 miliardë eurosh. Problemet e vendit ishin në faqet e para të gazetave në mbarë botën dhe liderët e Europës ankoheshin për pamundësinë tonë për të paguar.
Sot, në mes të një pandemie që e ka përkeqësuar edhe më shumë një ekonomi të keqe, Greqia nuk është një problem, edhe pse borxhi ynë publik është 33 miliardë euro më i lartë dhe të ardhurat tona 13 miliardë euro më të ulëta sesa në vitin 2015. Fuqitë e Europës vendosën se mjaftonte një dekadë për ta trajtuar falimentimin e Greqisë, kështu që ata zgjodhën ta shpallnin Greqinë një çështje të zgjidhur. Për sa kohë që grekët zgjedhin qeveri që ia transferojnë vazhdimisht oligarkëve çfarëdo pasurie (publike ose private) të mbetet, Banka Qendrore Europiane do të bëjë gjithçka që është e nevojshme – të blejë sa më shumë bono të qeverisë greke – për ta mbajtur larg vëmendjes paaftësinë e vendit për të paguar.
Sekreti i katërt që nxori në dritë viti 2020 ishte se sasitë e mëdha të pasurisë që ne vëzhgojmë kanë të bëjnë shumë pak me sipërmarrjen. Unë nuk kam asnjë dyshim se Jeff Bezos, Elon Musk, apo Warren Buffett kanë një aftësi për të bërë para dhe për të zënë ngushtë tregjet. Por vetëm një përqindje e vogël e parave që ata kanë akumuluar është rezultat i krijimit të vlerës.
Merrni në konsideratë rritjen e jashtëzakonshme që nga mesi i marsit në pasurinë e 614 miliarderëve të Amerikës. 931 miliardë dollarë shtesë që ata grumbulluan nuk ishin rezultat i ndonjë risie apo zgjuarsie që gjeneroi fitime shtesë. Ata u pasuruan duke fjetur, pasi bankat qendrore e përmbytën sistemin financiar me para të prodhuara që shkaktuan rritjen e çmimeve të aseteve, dhe kështu pasurinë e miliarderëve.
Me zhvillimin, testimin, miratimin dhe përdorimin e shpejtë të vaksinave COVID-19, u zbulua një sekret i pestë: shkenca varet nga ndihma shtetërore dhe efikasiteti i saj është i pavëmendshëm për pozitën e saj publike. Shumë komentues kanë folur gjatë në lidhje me kapacitetin e tregjeve për t’iu përgjigjur shpejt nevojave të njerëzimit. Por askush nuk duhet të lërë pa vënë re ironinë: administrata e presidentit më anti-shkencë që SHBA-ja ka pasur ndonjëherë – një president që shpërfilli, kanosi dhe u tall me ekspertët edhe gjatë pandemisë më të keqe në një shekull – ndau 10 miliardë dollarë për t’u siguruar që shkencëtarët kishin burimet që u duheshin.
Por ekziston një sekret më i gjerë: Ndërsa viti 2020 ishte një vit i rëndësishëm për kapitalistët, kapitalizmi nuk është më i tillë. Si është e mundur? Si mund të lulëzojnë kapitalistët ndërsa kapitalizmi evoluon në diçka tjetër?
Shumë e lehtë. Apostujt më të mëdhenj të kapitalizmit, si Adam Smith, kane theksuar pasojat e tij të padëshiruara: pikërisht sepse individët që kërkojnë fitim nuk kanë kujdes për askënd tjetër, ata përfundojnë duke i shërbyer shoqërisë. Çelësi për të shndërruar vesin privat në virtyt publik është konkurrenca, e cila i shtyn kapitalistët të ndjekin veprimtari që maksimizojnë fitimet e tyre. Në një treg konkurrues, kjo i shërben të mirës së përbashkët duke rritur gamën dhe cilësinë e mallrave dhe shërbimeve në dispozicion ndërsa ul vazhdimisht çmimet.
Nuk është e vështirë të shohësh se kapitalistët mund të jenë shumë më mirë me më pak konkurrencë. Ky është sekreti i gjashtë që nxori në dritë viti 2020. Të çliruar nga konkurrenca, kompanitë e platformave kolosale si Amazon dolën mahnitshëm mirë nga shkatërrimi i kapitalizmit dhe zëvendësimi i tij nga diçka që i ngjan tekno-feudalizmit.
Por sekreti i shtatë që zbuloi ky vit përfaqëson një optimizëm. Ndërkohë që ndryshimet rrënjësore nuk janë kurrë të lehta, tani është mëse e qartë se gjithçka mund të jetë ndryshe. Nuk ka më asnjë arsye pse duhet t’i pranojmë gjërat ashtu siç janë. Përkundrazi, e vërteta më e rëndësishme e vitit 2020 kapet në aforizmin elegant të Bertolt Brecht: “Për shkak se gjërat janë ashtu siç janë, gjërat nuk do të mbesin ashtu si janë.”
Nuk më vjen ndërmend ndonjë burim më i madh shprese sesa kjo zbulesë, e përcjellë në një vit që shumica e njerëzve do të preferonin ta harronin.
Yanis Varoufakis, ish minister i financave i qeverise se Syrizas mandatin e parë/ Gazeta Liberale
Paralajmërimi i Kurtit pas shpërthimit në Ibër Lepenc: Një p...
Shpërthimi në Ibër Lepenc, Kurti do të mbajë mbledhje të Kës...
Kurti: Besojmë se sulmi terrorist në Ibër Lepenc vjen nga fq...
KOSTT: Shpërthimi në Ibër Lepenc nuk ndërlidhet me ndërprerj...
Kryeministri Kurti thërret sonte konferencë për media
Osmani për shpërthimin në Zubin Potok: Bandat kriminale serb...