Google ADS

Shqiptarët të bashkuar mund të bëjnë mrekulli!

13:32 | 29 Qershor 2020
Arbresh.info

Shkruan: Ramiz Lladrovci

Deri sot, deri në këto zgjedhje demokratike për Parlament, nga viti 2001 e këndej, politika dhe partitë politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, ishin me oferta afatshkurtra, politikë gati-gati si për mbijetesë. Makinën elektorale dhe platformën zgjedhore, e mbushnin me karburant deri në pikën tjetër të karburantit. Kjo metodë, me këto zgjedhje, mori fund.

Ndodhi mrekullia. Vizionari Ali Ahmeti, vuri një gurë të fortë themeli, me diçka që më nuk do të hiqet nga politika shqiptare, subjektiviteti nacional në garën politike. Ai vuri në sprovë shqiptarët, për t’u bashkuar, për ta zgjedhur edhe kryeministrin e parë shqiptar.

Kjo ide, sa e çuditshme, për shumë kë edhe e pabesueshme, ngërthen në vete sfidën nacionale, sfidën shqiptare, të zërë vendin e vet, në hapësirën ku jetojnë brez pas brezi, në shtetin që po e ndërtojnë, nga koha kur as si term gjeografik e politik nuk ekzistonte, në pajtim me vlerat euro-atlantike.

Me këto zgjedhje, shqiptarët ecin të sigurt, sepse është rasti më i mirë se kurrë të jenë të bashkuar dhe me tërë kapacitetin e vet, mund ta kenë edhe kryeministrin shqiptar. Parakusht, për këtë fitore do të jetë bashkimi i brendshëm nacional.

Vota e bashkuar shqiptare, nxjerr më shumë qytetarë te kutitë e votimit, sjell më shumë pjesëtarë të diasporës që ta kryejnë detyrën e vet qytetare e kushtetuese, njëherësh ngrit solidaritetin brenda nacional, unitetin dhe tërë kapacitetin e fjetur nacional. Momenti, do të pajtonte edhe çfarëdo mosmarrëveshje, te qytetarët, familjet dhe grupet e interesit.

Kështu, BDI dhe Ali Ahmeti, nxorën një emër jopartiak, të gatshëm për t’i pri qeverisë së ardhshme. Kjo do përshëndetur, do përkrahur nga çdo shqiptar, nga çdo subjekt, për ta zënë shqiptarët vendin e vet meritor. Nuk është më e mjaftueshme që shqiptarët t’i prijnë vetëm Parlamentit.

Ata munden edhe t’i prijnë Qeverisë.
Asnjë nga dyshuesit e kësaj ideje të mos hamenden. Shqiptarët me kryeministra i kanë pri edhe shteteve shumë më të fuqishme, shumë herë me më shumë banorë se Maqedonia e Veriut. Kujto këtu kryeministrat shqiptar në Turqi, Egjipt, Itali, Greqi.

Koha po punon për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, koha po punon për bashkim. Koha po punon për fuqizimin e faktorit shqiptar. Bashkimi i partive politike dëshmoi sukses në Tuz, në Malësi të madhe ku vetëm bashkimi ia mundësonte subjekteve shqiptare të qeverisnin me Tuzin.

Bashkimi i shqiptarëve për një listë, dha rezultate edhe në Luginën e Preshevës. Shqiptarët e bashkuar, mund të bëjnë mrekulli, kjo është dëshmuar tashmë.

Këtë bashkim, përtej subjekteve, qytetarët e kanë fjalë vendimtare në demokraci. Te kutia e votimit, është fitorja. Andaj, vota e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, është shumë legjitime për Kryeministrin shqiptar, për kandidatin e parë të proklamuar nga shqiptarët, për shqiptarët.

Dihet, shqiptarët nuk kanë nevojë të jenë as inferiorë as qiraxhinj, në shtëpinë dhe vendin e vet!

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme