Opinon nga Shpëtim Nazarko
Dihet se dy nga paraardhësit tanë të mëdhenj, Konstandini i madhi i Ilirisë dhe Mehmet Aliu, kanë ndërtuar dy nga pikat më të rëndësishme lidhëse të botës, të cilat qëndrojnë të tilla edhe sot e kësaj dite. I pari themeloi Konstandinopojën dhe i dyti ndërtoi Suezin.
Në fantazinë po të doni merreni dhe të një nacionalisti të sëmurë, do të kisha pasur gjthnjë dëshirë që statuja e Konstandinit të madh të ishte aty në Durrës, apo në Vlorë…Nuk është dëshirë e lidhur vetëm me historinë, por së pari si një kujtesë se kjo rrugë, përkundër mendimit të zakonshëm, duhej të ishte prapë, e jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për të tjerët, një nga më të rëndësishmet.
Në ndryshim nga ne, rëndësinë e saj e kuptuan të parët grekët, të cilët e zëvëndësuan Egnatian e madhe të Konstandinit me Egnatian e re, e cila kësaj radhe nuk fillon nga portet e Shqipërisë, Vlorë dhe Durrës, por nga Igumenica.
Problemi mund të quhej i mbyllur dhe në rastin e zakonshëm duhej ta lidhje mosvëmendjen tonë me gjendjen e vështirë që kaloi vendi në periudhën e tranzicionit, apo me lobet e fuqishme të fqinjëve, që ndryshe nga ne, i shfrytëzuan shanset e tyre më mirë.
Po a është vërtet një problem i mbyllur dhe ne mund të themi se e humbëm përfundimisht trenin që na fuste akoma më shpejt në Evropë nëpërmjet këtij instrumenti të rëndësishëm?
Besoj se jemi ende në kohë, nisur thjesht nga portet tona, veçanërisht ai i Vlorës, që në potencialin e tij është jo vetëm shumë herë më i rëndësishëm sesa i Igumencicës si kapacitet, por edhe se shumë nga portet e rëndësishme të Evropës apo më tej.
Vepra e Konstandinit të madh e shndërroi faktikisht rrugën midis dy Romave për shumë kohë edhe rrugën më të rëndësishme të botës së lashtë.
Në Shqipëri, kjo rrugë, me dy degëzime dhe e quajtur Egnatia, vinte nga Vlora dhe Durrësi, kryëzohej diku të themi midis Rrogozhinës dhe Elbasanit për të shkuar drejt Konstandinopojës apo Stambollit të sotëm.
Gjithnjë kur kaloj afër Rrogozhinës, ku vetëm disa kohë më parë, ndoshta një vit, ka një rrethrrotullim që mezi u bë pas dhjetë vjet përpjekjesh, buzëqesh me hidhërim. Dikur, në kohërat e para pas luftës së dytë dhe deri nga vitet ’70, Rrogozhina ishte një tip dispeçerie nga ku mund të shkoje drejt Jugut. Gradualisht ajo e humbi rëndësinë.
Megjithatë është kurioze se me gjithë politikën e dështuar ekonomike, Hoxha,e pa pak më tej se ajo Elbasanin si një pikë centrale apo dispecerie nga mund të krijoje një farë baraslargësie me gjithë pikat e tjera të vendit. Ai ndërtoi aty Metalurgjikun dhe po aty ishin edhe rezervat shtetërore.
Po le të kthehemi në temë.
Rruga Egnatia e shndërroi vendin tonë për shumë kohë si një vend tranzit. Besoj se kjo karakteristikë pati dhe anën e saj negative. Nuk e lejoi vendin asnjëherë të ndërtonte shtet të rregulllt, apo të themi me termat e sotme, administratë reale shtetërore.
Kjo karakteristikë vazhdoi edhe pas rënies së Romës katolike. Prej brigjeve tona shpesh shkohej drejt Romës së Konstandinit, qoftë edhe për ta pushtuar apo plaçkitur atë.
Pushtimi turk e humbi këtë karakteristikë për 500 vjet rresht dhe e shndërroi Shqipërinë një zonë thjesht kufitare të perandorisë. Arsyeja duket elementare.
Nga të gjitha perandoritë e fuqishme që kanë ekzistuar në kohëra, Turqia ishte më e dobëta si fuqi detare. Në këtë sens ajo e shihte të paleverdishme zhvillimin e dy qyteteve, Durrës dhe Vlorë. Mund ta shohësh këtë edhe në tablo të të huajve që të tregojnë se Durrësi i viteve 1500 ishte shumë më I zhvilluar se ai që erdhi më vonë. E kjo për arsyen e treguar më sipër.
Po nisur nga kjo pikëpamje, besoj se për ta ishte më i rëndësishëm kalimi nëpër Evropë nëpërmjet rrugëve tokësore. Arsye po e mjaftueshme kjo për të kuptuar pse Beogradi nuk e humbi rëndësinë e tij për një periudhë të madhe të ekzistencës së perandorisë turke.
Periudha turke bëri që Shqipëria ta humbte rëndësinë e saj në të gjithë planet. Ekzistonte vetëm një interes i Austrisë që, me dobësimin e Perandorisë turke, mundohej të pengonte me çdo mënyrë penetrimin e Rusisë nëpërmjet rrugëve tokësore drejt Konstandinopojës apo Stambollit të sotëm. Historianët tanë nuk e kanë paraqitur hollësisht këtë specifikë gjatë periudhës së Hoxhës për shkak të marrëdhënieve që kishte ky i fundit me Rusinë. Në vend të një studimi të hollë të çështjes, për shkak të këtyre marrëdhënieve, hidhej gjithnjë për konsum vetëm fakti se Lenini kishte denoncuar vendime të Traktatit të Londrës për copëtimin e Shqipërisë.
Periudha e pavarësisë apo e ajo e Zogut zhvilloi dalëngadalë disa rrugë të tjera, si Durrës-Bari, Korçë –Follorinë, Gjirokastër-Janinë, apo Shkodër –Mali i Zi.
Periudha e Hoxhës, që shpuri në izolimin e vendit, megjithatë kishte një specifikë interesante. Pavarësisht armiqësive të tij me Jugosllavinë, ai ishte detyruar të shfrytëzonte këtë të fundit, ku kalonte pas Luftës së ftohtë edhe një nga korridoret më të rëndësishme që lidhte Lindjen me Perëndimin, apo ndryshe, Korridorin 10. Ky I fundit që niste nga Evropa qëndrore, shkonte në Budapest-Beograd, Shkup-Selanik dhe së fundmi Stamboll.
Shanset tona për të rivitalizuar pozicionin tranzit që mishërohen te ai që e quajmë Korridori i 8-të vijnë dhe forcohen pak përpara luftës në ish-Jugosllavi, e cila veç të tjerash, pezulloi për njëfarë kohe edhe Korridorin 10.
Po a e shfrytëzuam këtë dhe cili ishte pozicioni real I fqinjëve?
Italia e shihte Durrësin, apo Vlorën më pak, si zgjatim i porteve të Italisë së jugut, për të hyrë në zemrën e Ballkanit. Italianët kishin më përzemër Durrësin. Edhe deri para pak kohësh mund të shihje në Bari tabela të mëdha që flisnin për rëndësinë e Korridorit të 8-të, por që në thelbin e tij si pikëhyrje në Shqipëri portin e Durrësit… por jo Vlorën.
Natyrisht, Vlora dhe porti i saj nuk mund t’u leverdisë shumë si Italisë dhe Greqisë. Kjo e fundit, siç u theksua më parë, e zëvëndësoi Koridorin 8 nëpërmjet portit të Igumenicës dhe Egnatias së re.
Korridori 8-të avash-avash kaloi në “kalendat greke” dhe asnjë politikan i Shqipërisë nuk flet për të, prej një kohe të gjatë.
Në një vështrim minimalist të problemit, Korridori 8 është domosdoshmëri nëse sheh hartën e Shqipërisë. Duke ndjekur gjurmën e tij, nisur ashtu si në kohën e Konstandinit të madh, e kupton se ajo është distancë më e shkurtër, që të lejon të hysh e të dalësh prej vendit. Duke mos e ndërtuar atë është njëlloj si ta lësh një njeri pa “rripin e pantallonave”.
Ky rrip është domosdoshmëri edhe për arsye më të mëdha. Nëse Shqipëria do të ndërtonte Portin e Vlorës, ajo besoj do t’i jepte Kooridorit 8 lavdinë që i dha dikur Konstandini.
Potenciali i madh i tij, (llogaritet se ka një thellësi më të madhe dhe basen shfrytëzues natyror disa herë më të madh se ai i Roterdamit) lejon që Korridorin 8 ta ndërtosh me lekët e të tjerëve. Kjo në kuptimin e rentabilitetetit që atij i sigurohet nga ky port.
Potencaili i madh i Vlorës lejon jo vetëm Shqipërinë, por dhe fqinjët e saj ta shfrytëzojnë atë dhe Korridorin 8. I shtyrë më tej drejt Shkupit, ku kryqëzohet me Korridorin 10, ai e shumëfishon epërsinë e tij.
Po le ta zëmë se jemi brenda atyre fantazive që në fund të fundit nuk dëmtojnë njeri. Dhe le ta pozojmë problemin thjesht. A i lejohet një vendi që ka një shtrirje të tillë në hartë të mos lidhë dy pikat më të shkurtra të tij hyrëse dhe dalëse? Është si thashë më parë, në një krahasim që dikujt mund t’i duket vulgar, të lësh një njeri pa rrip pantallonash.
Unë besoj që nëse Shqipëria nuk do ta vendosë këtë “rrip pantallonash” duke shfrytëzuar pozicionin e saj gjeografik, pavarësisht dëshirës apo mosdëshirës së fqinjëve, bën një nga ato gabimet që do ta mbajnë në një varfëri edhe për shumë kohë.
Vuçiq: Kosovën do ta çnjohin edhe shtete tjera
Putin thotë se bisedimet e mundshme me Ukrainën mund të mbah...
Liverpooli fiton ndaj Leicesterit dhe shkëputet në tabelë
Abdixhiku thotë se 40 mijë mërgimtarë e mbështesin LDK-në: S...
Sara në darkën e të nominuarve: Driloni është personi më i b...
Sulm me thikë në Mbretërinë e Bashkuar, dy të vdekur e dy të...