Ndërsa kishim filluar të krijonim rankimet e para të atyre që kishin bërë më shumë vite burgje në vitin 1991, Adem Demaçi u shfaq papritur në krye të listës së bashku me Pjetër Arbnorin. Të dyve u llogariteshin rreth 28 vite burg, me nga tre dënime në kohë të ndryshme. Dhe portretet e tyre filluam ti formatojmë njësoj në kokën tonë, si “luftarë të lirisë”. Por iluzioni i lirisë për ta ishte e ndryshëm. Në Kosovë liria ëndrrohej duke ëndërruar shtetin e Enver Hoxhës në Shqipëri duke ëndërruar rrëzimin e tij.
Adem Demaçi hyri në Shqipëri nga Qafë Thana në pranverë të vitit 1991 dhe ata pak reporterë që e prisnin aty nga media zyrtare e Tiranës, ngelën pak të hutuar kur ai lavdëroi Enver Hoxhën. E vlerësonte Enver Hoxhën si njeri që kishte ndjekur një strategji të fortë kombëtare dhe kishte zhvilluar Shqipërinë.
Më pas kishte vazhduar rrugën e lodhëshme në kthesat e Librazhdit dhe Elbasan. Ishte ndalur diku në Qafë Thanë, nga ku dukej Elbasani i mjeruar i vitit 1991. Shfryu pak me vete. Një vit më parë, disa muaj para se të dilte nga burgu, kishte thënë një intervistë për “Vecernji list”, në të cilën kishte theksuar se “unë e respektoj atë si birin më të madh të popullit shqiptar dhe si një udhëheqës gjenial që, natyrisht i ka pasur edhe gabimet e veta, por asnjë gabim strategjik.”
Kishte justifikuar dhe spastrimet si luftë për një cilësi më të mirë të burokratëve. Por dukej se po lëkundej.
Pak ditë më vonë pas qëndrimit në Shqipëri duhet ta ketë pasur shumë të vështirë që ndryshoi mendim. Jeta e tij në burgjet e ish Jugosllavisë, ishte e frymëzuar nga ideali për lirinë e Kosovës dhe nga shpresa se shteti shqiptar është i fort.
Patriotizmi i tij ishte njëlloj nacionalkomunizmi, çka ishte në të vërtet identiteti i vërtet i lëvizjes nacionaliste në Kosovë. Ata që kishin vuajtur në burgjet shqiptare nga komunizmi, ishin dënuar kryesisht si kundërshtarë të Enver Hoxhës, ndësa ata që vuanin në Kosovë, ishin trimëruar për lirinë e Kosovës kryesisht në saj të dashurisë për Enver Hoxhës. Ky ishte keqkuptimi më i madh që nuk mund ta sqaroje aq lehtë në vitin 1991 në Tiranë, kur plagët e komunizmit ende rridhnin, ndërsa liria e Kosovës kish pasur në identitetin e saj frymëzimin prej butaforisë së komunizimit tonë.
Adem Demaçi duhet të jetë ndarë me shumë dhimbje nga sqarimi i këtij keqkuptimi historik, por sakrificat e tij për lirinë e Kosovës nuk prekeshin aspak nga kjo gjë. Ai ishte burgosur fillimisht si një nacionalist që kundështonte dërgimin e shqiptarëve të Kosovës në Turqi, pastaj si nacionalist kundër regjimit jugosllav dy herë të tjera.
Ëndrra e tij për një Kosovë të lirë nga Serbia, natyrisht nuk ishte e shoqëruar me ndonjë ëndërr për demokraci evropiane, por në vitin 1991, kur mori çmimin “Saharov”, ai tentoi ta modifikonte ëndrrën e tij. Jo vetëm Kosovën por Ballakanin ai filloi ta ëndërronte si një federatë popujsh miqësorë, bash në prag të luftrave më të përgjakshme të Ballkanit.
Ai ishte i bindur se Ballkani nuk ja dilte dot e ndarë dhe Kosova do ta kishte të pamundur pavarësinë, nëse nuk federalizohej Ballkani, një ëndërr e cila do të dojë ende shumë kohë të fillojë të besohet. Por ai e besonte në vitin 1991.
Viti 1991 ishte viti kur Demaçi ballafaqoi të shkuarën e tij me realitetin e hidhur në Shqipëri dhe Kosovë dhe u përpoq të ulej me këmbë në tokë.
Ai kish themeluar ndërkohë Këshillin e Të Drejtave të Njeriut dhe po bëhej dokumentuesi i rrënimit të lirive njerëzore dhe kombëtare në Kosovë.
E kemi pritur në redaksinë e “Rilindjes” në Tiranë në vitin 1994, pasi i kishte dhënë fund grevës 11 ditore kundër mbylljes së gazetave shqip në Prishtinë. Gazeta “Rilindja” kishte filluar botohej në Tiranë dhe ai mbriti në redaksinë e saj, në atë kohë ende në godinën e ATSH, i bindur se greva ja kishte arritur qëllimit. “Rilindja” ribotohej në Kosovë me emrin “Bujku” dhe ishte e vetmja gazetë ditore e Kosovës që botohej tashmë në Zvicer dhe Tiranë.
Demaçi ishte heroi i asaj greve që nuk mundi të ndalë gjithçka, por i dha dritë shprese regjistrimit privat të gazetave të reja shqip.
Më është dashur ta takoj përsëri në vitin 1996 ndërsa punoja tek “Zëri i Amerikës” . Demaçi ishte ftuar në Tiranë nga Sali Berisha për ti dhënë një dorë luftës së ftohtë që Berisha kishte nisur kundër Ibrahim Rugovës, i cili nuk pranonte që krizën që kish nisur në Shqipëri, Berisha ta zhvendoste drejt Kosovës.
Adem Demaçi dukej se e kishte pranuar me qejf ftesën për arsyet e veta, por ishte i pasigurt për atë që po bënte. Intervista me të ishte një kalvar i vërtet për ta takuar. Njerëzit që e rrethonin ma ndërruan tre herë vendodhjen dhe vetëm në fund e kuptova, se ndërsa unë rrija kot në hollin e Hotel “Vjosës” në Tiranë, Ademi ishte vetëm një kat sipër meje. Frustracionet nga përndjekjet jeta ilegale dhe klima e pasigurt e Shqipërisë e kishin bërë të vetën. Intervista ishte e shkurtër, aq sa u duhej të gjithëve. Ai foli për nevojën e radikalizimit të rezistencës në Kosovë, siç e mendonte ai, por jo pse kjo i interesonte Berishës. Berisha e përgëzoi dhe e priti në mbrëmje në Presidencë me nderime për atë që i interesonte atij, ndërsa në Kosovë krahu i LDK filloi ta ironizonte.
Jehona e atij qëndrimi u ngulit gjatë në historinë politike të Berishës, raporteve të tij me Rugovën edhe pse Demaçi e kishte bërë atë për hesap të vet. Ai thjesht kishte arritur në fazën që e donte luftën në Kosovë. Kishin ikur prej tij tashmë, gjithë mitet e federalizmit, bashkjetesës me serbët, enverizmit dhe iluzioneve të tjera që kishin mbushur vizionin e tij si ëndërrimtar romantik i një Shqipërie që nuk egzistonte.
Pastaj erdhi viti 1999. Në një nga ditët e Konferencës së Rambujes, ndërsa ishim në qytezën e vogël franceze, dhe delegacioni, edhe ashtu i ndarë i Kosovës, me LDK dhe UÇK, ishte duke u unfikuar nën trysninë amerikane, në ekranet e TV shfaqën Adem Demaçi me një djalë flokgjatë që quhej Albin Kurti dhe që u shfaqën si zëdhënës politik të UÇK, të cilët bënin thirrje të mos nënshkruhej Marrëveshja. Madlen Ollbrajt e cila nxitoi ti telefonoje atij në Lubjanë, për të mos shkatërruar gjithçka një ditë më vonë, kishte ngelur e shastisur nga biseda. E shastisur nga gjithçka por sidomos nga distanca që ai kishte me zhvillimet e ditës dhe qasjen e tij afatgjatë për Kosovën. Është ndoshta takimi më i gabuar i historisë së tij, pasi ka takuar shpëtimtarin e ëndrrave të tij, në ditën më të keqe dhe e ka zhgënjyer atë dhe veten.
Njeriu që kish ngritur kultin e shqiptarizmit në Kosovë për të gjithë ata që nuk e njihnin nga larg, vazhdonte t’i dëshpëronte ata që e takonin.
Dhe fill pas kësaj kur nisën bombardimet, ai ndryshe nga të tjerët qëndroi në Prishtinë. CNN shfaqte skenën e pabesueshme se si ai zihej me ushtarë serb para një dyqani në Prishtinë, dhe më pas rrëfimi i tij, kur e marrin në postën e policisë . Ishte aq i qetë dhe i pafrikësuar nga ajo që ndodhte, sa dukej si ata njerëzit që mezi presin stuhinë të dalin të lagen dhe ndoshta të mbyten prej saj. Një “zgalem” që nuk dinte ç’të bënte më veç të ëndërronte ta vrisnin serbët.
Së fundmi e kam takuar në Sarandë disa vite më parë rreth vitit 2010. Kryetari i Bashkisë më tha se ishte regjistruar si banor i saj dhe kishte marrë diku një shtëpi në rrugën drejt Butrintit. Po ecte në këmbë drejt shtëpisë së tij dhe kërkesa ime për të hipur në makinë e shqetësoi. Nuk më njohu dhe u gëzova. E shoqërova në distancë me frikën se mos kish humbur rrugën, por fqinji i tij ku banonte, më tha se ishte i sigurt aty dhe ndjehej mirë që nuk e njihnin njerëzit.
-Po ti e njeh i thashë?
-E di, e di më tha. Bujar Demaçi më duket…
Nuk e korigjova. Së paku mbiemrin e kishte në rregull. Ai ishte ngulur në mendje të shumë njerëzve si dikush që luftoi për Kosovën. Dhe tani mund të iki i qetë. Si dikush që i tradhëtoi dhjetra herë iluzionet e veta për mënyrën se si do bëhej Kosova e lirë, por kurrë nuk e tradhëtoi Kosovën për iluzionet e tij. /Tema
Refuzohet kërkesa e Shalës për mosparaqitje ose shtyrje të s...
Reshjet e borës, zv.ministri Durmishi: Ekipet e mirëmbajtjes...
Koreja e Jugut: Rusia furnizoi me sisteme të mbrojtjes Koren...
“Euro Natur”, shqetësimin se zona Vjosë- Nartë kërcënohet ng...
Ruben Amorim tregon mesazhin që i dha Mourinho pasi mori dre...
Zelensky: Po punojmë në zhvillimin e sistemeve të reja të mb...