Konfuzioni, manipulimi i opinionit dhe kapja e shtetit.
1.
Ndarje e Kosovës, këmbim territoresh, korrigjim kufijsh, askush nuk e di tamam se çfarë po ndodh. Presidenti i vendit një ditë del e thotë se me Serbinë do të bëjë marrëveshje historike, se ajo do të jetë e dhimbshme për Kosovën, ditën tjetër e mohon, sekush e konteston të drejtën e tij për të bërë marrëveshje të tilla, por më pas këtu përfundon çdo gjë. Kosova është përfshirë në një konfuzion të paparë. Korit të kundërshtimeve i bashkohet edhe kryeministri, ani që ai është në koalicion me partinë e presidentit. Opozita sillet e mbështillet dhe nuk di të thotë asgjë të qartë: një pjesë e saj sot del dhe e mbështet presidentin që t’i udhëheqë bisedimet me Serbinë, por nuk e mbështet platformën e tij. Pjesa tjetër e opozitës sheh çudira me sy hapur: pandeh se ndryshimi i kufijve mund t’ua sjellë si dhuratë nga qielli bashkimin kombëtar. Në të vërtetë, as nuk ka dhe as nuk do të ketë platformë, por edhe nëse ka, ajo do të manipulohet deri në zhvlerësim. As nuk ka dhe as nuk do të ketë konsensus politik për bisedime me Serbinë, sepse Serbia, pikërisht Serbia, është kthyer në argumentin kryesor të mbajtjes së pushtetit dhe të manipulimit politik të opinionit në Kosovë. Marrëveshjet dhe bisedimet bëhen në formën e pazareve, prapaskenat politike janë vënë në lëvizje dhe vetë Kosova është vënë në shërbim të kryedjallit: ia konteston vetes pavarësinë, sovranitetin, kufijtë, tërësinë territoriale, njohjet ndërkombëtare; dëshiron më shumë, por rrezikon të humbë edhe atë që ka; shet dokrra patriotike, por çdo ditë mbahet me patericat e tradhtisë historike: kërkon Luginën e Preshevës, por në agjendë politike është humbja e Trepçës dhe e Ujmanit. Në të vërtetë askujt nuk i bëhet vonë çfarë humb dhe çfarë fiton Kosova, por në prapaskenë pazaret zhvillohen në një drejtim tjetër: a duhet të mbetet kjo klasë politike në pushtet, apo ka ardhur koha që ajo të shkojë përfundimisht dhe, duke shkuar ajo, duhet të marrë pas vetes një strukturë të tërë të degraduar institucionale, një mentalitet abuzues, një praktikë qeverisëse që mund ta çojë vendin buzë greminës. Por duket se kjo klasë politike është e vendosur të qëndrojnë deri në shkatërrimin e shtetit.
Vjen këtu, natyrshëm, një pyetje që i shqetëson dhe i mundon të gjithë njerëzit normal të këtij vendi: A ndryshoi vërtet politika ndërkombëtare ndaj Kosovës, veçmas e SHBA-së? Nuk ka asnjë dyshim se një pjesë e mirë e bashkësisë ndërkombëtare, përfshirë edhe miqtë tanë historikë, janë zhgënjyer me atë se çfarë kemi bërë ne me lirinë tonë dhe me shtetin që ata na ndihmuan ta bënim. Më anë tjetër, politikat shtetërore të vendeve të ndryshme iu përshtatën prioriteteve dhe agjendave më bashkëkohore, prandaj është krejt e mundur që ato të ndryshojnë me një dinamikë më të madhe se zakonisht, duke marrë parasysh kohën që po jetojmë. Por çudia e çudirave ndodh kur ne vetë jemi të interesuar që këto politika të ndryshojnë, madje lobojmë që ato të duken më ndryshe, blejmë analistë, njerëz me ndikim në segmente të caktuara të shtetit, lidhemi me vetë djallin, vetëm e vetëm që Kosova as të mos jetë prioritet, as të mos mbetet në vëmendjen e këtyre shteteve. Sepse, duke qenë prioritet dhe duke marrë në shqyrtim qeverisjen e tyre të keqe, shtetet e rëndësishme, që kanë investuar në pavarësinë e Kosovës nuk e lënë klasën tonë politike të sillen si prijës fisesh në ndonjë cep të Afrikës. Por ka edhe më keq se kaq: heqja e Kosovës nga agjenda e shteteve mike i ndihmon klasës sonë politike jo vetëm të bëjnë pazare me Serbinë, të fuqizohet politikisht dhe të vazhdojë qeverisjen rrënuese, por edhe të shpëtojnë edhe nga ndonjë përfshirje eventuale në Gjykatën Speciale. Të gjithë ata që duan ta dinë mund ta dinë, se kjo klasë politike e solli Gjykatën Speciale në derën e Kosovës, jo për shkak të krimeve të vërteta që mund t’i ketë bërë UÇK-ja, por thjeshtë për shkak të kapjes së shtetit prej tyre dhe pamundësisë së Kosovës për të shpëtuar nga uzurpimi që i bënë ata. Tani, në gjendjen që është Kosova, pasi nuk arriti të zhbënte Gjykatën Speciale, klasa aktuale politike është rrezik të futet në kompromiset më fatale, nëse kërcënohet ose mos e dhëntë Zoti t’i bëhet ndonjë shantazh nga kjo gjykatë. Vetëm se, pikërisht vetëm se, është vështirë t’i gjendet një alternativë spekulative pohimit të ambasadorit të ri të sapoemëruar amerikan, i cili e tha qartë dhe zëshëm: Gjykata Speciale do të jetë prioritet i mandatit të tij të ardhshëm katërvjeçar në Kosovë.
Dihet se pushtetarët tanë nuk i mban në skenë dija politike, as vota e ndershme e qytetarit, por demokracia e manipuluar, makiavelizmi dhe instinkti për pushtet. Atëherë, pse u dashka ndarja e Kosovës, ose këmbimi i territoreve me Serbinë? Pse e nxitëm vetë një pjesë të bashkësisë ndërkombëtare që ta mbështesë këtë ide? Për patriotizëm jo që jo, as pse na dhemb zemra për Luginën e Preshevës apo për ndonjë fshat të saj. Atëherë, e di kush pse po e rrezikojmë qenien e shtetit të Kosovës? Kush po na detyron me e ba? Pyeteni Hashim Thaçin, mbase ai ua zbulon këtë fshehtësi të përbindshme.
(Pa shih tani! Edhe Rugova paska folur/nuk paska folur për ndarjen e Kosovës; e paska miratuar/nuk e paska miratuar ndarjen e Kosovës. Po kujt i plasi! Ai ishte shkrimtar dhe dija e tij politike ishte zero. Të gjithë e dimë, për Kosovën u bë një luftë e madhe, të cilën Rugova nuk e deshi.)
2.
Manipulimi i opinionit, sikundër është e ditur, del të jetë një armë e fortë e luftës për pushtet, respektivisht e marrjes dhe mbajtjes së pushtetit. Në këtë pikë e japin ndihmën kryesore mediet dhe atyre iu atribuohet dështimi kryesor në krijimin dhe funksionimin e vetëdijes politike, përfshirë edhe të një mase kritike, e cila në një çast të përshtatshëm mund të vihet në veprim për të përmbysur një pushtet. Mbi manipulimin e opinionit e kanë vendosur fuqinë e tyre sunduese shumë pushtetarë gjatë historisë, përfshirë edhe diktatorët më të mëdhenj. Në demokraci ka rregulla, të cilat krijimin e opinionit e diferencojnë nga manipulimi i tij. Te ne këto rregulla nuk ekzistojnë. Ashtu sikundër ka dalë nga matjet ndërkombëtare, mediet e Kosovës nuk janë të lira ose janë pjesërisht të lira. Më anë tjetër, klasa jonë e përbindshme politike, që synon ta manipulojë dhe ta keqpërdorë edhe nënën e vet, nuk ka asnjë kufizim moral që të kursehet nga keqpërdorimi i medies dhe i lirisë së saj. Kjo klasë politike është e gatshme të shkatërrojë të gjitha parimet mbi të cilat është i ndërtuar sistemi demokratik, përfshirë edhe lirinë e medies.
Shikoni mediet dhe shikoni skenën tonë politike. Të gjithë, si liderët, si opinioni, si mediet vegjetojnë në një konfuzion të paparë. Të gjithë janë përfshirë në një diskutim të paparimtë, njëri qit, tjetri prit, njëri i bie thumbit, tjetri patkoit. Vetëm se të gjithë kanë një qëllim: të thuhet çdo gjë për bisedimet me Serbinë, sikur vetëm atje na rri mendja, sepse për këtë temë mund të thuash çfarë të duash, edhe bashkëpunëtori i deridjeshëm i Serbisë mund të bëhet patriot, vetëm mos e përmend qeverisjen, shkatërrimin institucional dhe keqpërdorimin e pushtetit. Mundësisht mos e thuaj askund se shkalla e keqpërdorimit të tenderëve ka arritur shifrën fantastike 20%. Mos e thuaj askund se performansa e ministrave të dikastereve të veçantë nuk matet me arritje të tjera, përveç se me dobinë që sjellin ata për partinë, për liderin ose klanin partiak. Mos i thuaj Universitetit sa studentë i ke regjistruar dhe do t’i regjistrosh me ndërhyrjen e personave të pushtetshëm, të veteranëve dhe të pushtave të tjerë. Mos i thuaj Auditorit të Përgjithshëm dhe Agjencisë Kundër Korrupsionit kur e kanë braktisur këtë vend dhe ku gjenden tani me shtëpi. Mos i thuaj gjyqësorit sa dosje hetimesh për krim ekonomik ka manipuluar ose i ka mënjanuar, në mënyrë që mijëra vepra penale të parashkruhen. Mos thuaj, aman, se kush janë ata që i morën paratë, me të cilat u ble statusi i veteranit nga 40 mijë veta. Këtë media jonë e lirë dhe e pavarur nuk duhet ta thotë. Prandaj është medie “pjesërisht e lirë dhe e pavarur”, sepse ndryshe nuk do ta linin të ishte fare!
Po çfarë bën kjo medie për të manipuluar këtë opinion? Thjeshtë tërheq vëmendjen te gjërat periferike, që nuk prekin esencën e shkatërrimit të këtij shteti. Dhe nuk ka sesi të ndodhë ndryshe, përderisa prapa secilës medie në Kosovë qëndron ose një forcë politike, ose një forcë ekonomike, e cila sërish merr fuqi nga ndonjëri prej zotave të politikës. Ndërkohë, gazetarët, të lodhur nga gjendja e keqe sociale, nga dështimet profesionale, nga refuzimi i opinionit, struken brenda mjerimit të vet dhe mallkojnë veten pse e zgjodhën këtë profesion. Shumica syresh, sapo i bëjnë dyzet vjet, bëhen analistë që nuk thonë asgjë esenciale dhe, sapo bëhen “të mençur” duke bërë tregti me parimet e veta, përgatiten t’ia mësyjnë pushtetit dhe të bëhen vetë shkatërruesit e ardhshëm të lirisë së medies.
(Kosova ka një histori të hershme të manipulimit të opinionit. Konferencat për shtyp të LDK-së në vitet ’90 ishin uvertura e manipulimit kapital të opinionit publik, e cila më vonë u perfeksionua dhe mori atributet e një çmendurie mediale. Tani media e Kosovës duhet të mësojë një gjë të saktë për veten e saj: është shndërruar në palaço budalla, me të cilin argëtohet tërë mëhalla!)
3.
Së fundi drejtësia. Të gjithë e dinë se ajo që ndodhi me veteranët e luftës është vetëm maja e ajsbergut, sepse shteti i Kosovës është i kapur në të gjithë segmentet e tij, prandaj edhe në drejtësi. Së pari, ne kemi vështirësi ta perceptojmë drejtësinë si vlerë morale, sepse në memorien tonë është i ngulitur përfytyrimi i deformuar i drejtësisë, me të gjitha atributet dhe prerogativat e saj, si kundërpeshë e lirisë, një drejtësi e përdorur për të nënshtruar dhe për të kufizuar të drejtat dhe liritë qytetare e kombëtare. Kjo ishte drejtësia në Kosovë deri në vitin 1999. Së dyti, drejtësia selektive e përdorur dhe e manipuluar politikisht e periudhës së socializmit jugosllav ka lënë gjurmë të pashlyera në konceptin e së drejtës, por edhe në mënyrën e zbatimit praktik të këtij institucioni. Sistemi i drejtësisë në Kosovë, përveç që ka trashëguar perceptim të gabuar, ka pësuar edhe goditje të njëpasnjëshme profesionale, morale, politike, përfshirë këtu edhe goditjet më të mëdha që i ka marrë nga bashkësia ndërkombëtare, pavarësisht në ishte drejtësi e UNMIK-ut apo e EULEX-it. Kot tani kërkojmë që një kryeprokuror i shtetit të jetë ndryshe nga ky sistem i drejtësisë, i keqpërdorur politikisht dhe i dështuar profesionalisht, sepse ai kryeprokuror i shtetit, përveç që bart me vete dyshimin historik në drejtësi, qëndron në krye të një bande prokurorësh, të cilët atë që dikur e bënin prokurorët e socializmit, duke ngritur akuza me urdhër politik, tani po me këtë urdhër politik fshehin dosje dhe pezullojnë akuza të bazuara. Prandaj sistemi ynë i drejtësisë është i kapur dhe i shkërdhyer në krejt segmentet e tij, sepse në Kosovë nuk ka më qoftë edhe një politikan, një lider politik, një deputet, një kryetar komune, një gjyqtar, një prokuror, një drejtor institucioni që nuk i ka nga disa dosje të korrupsionit, shpesh edhe të krimit të organizuar, në një kohë që janë po këta njerëz që vendosin se kush do të jetë prokuror dhe gjykatës në krejt sistemin tonë të drejtësisë. Atëherë, si mund të dilet nga kjo situatë? Asnjë veting nuk ndihmon këtu, sepse edhe ata që do të mund të zhvillonin procesin e vetingut është e domosdoshme t’i nënshtrohen po këtij vetingu. Nga ky rreth i mbyllur nuk mund të dilet pa vullnetin politik të të gjithë atyre që janë të përfshirë në bërjen e shtetit
Më anë tjetër, drejtësia është e lidhur edhe me moralin dhe me vlerat e tjera njerëzore. Nuk është dëm aq i madh, ta zëmë, që 30-40 mijë veteranë të rrejshëm do t’i kushtojnë buxhetit të Kosovës 50-60 milionë euro në vit, në një kohë që përfitimet e paligjshme nga tenderët e shtetit kapin shumën marramendëse të mbi 200 milionë euro në vit. Problemi është se 30-40 mijë gënjeshtarë, të shndërruar në militantë partish, i kemi të përfshirë në jetën shoqërore dhe institucionale të këtij shteti, gënjeshtarë të dëshmuar të krejt spektrit politik të Kosovës, të cilët, duke qenë me një cen të këtillë moral, shkatërrojnë çdo institucion, përfshirë edhe krejt shoqërinë. Këta 40 mijë gënjeshtarë janë në veprim në çdo situatë: për të blerë dhe për të shitur vota; për të vendosur rendin dhe për të prishur rendin; për t’i vënë vetulla secilit dhe për t’ia nxjerrë sytë kujtdo që ua turbullon ujin. Dhe gënjeshtra e tyre nuk është çfarëdo, është gënjeshtër “çlirimtare”, që qëndron në themelet e lirisë së Kosovës, në luftën e saj për t’u bërë shtet. Cili prokuror mund t’i hetojë këta? Asnjëri, sepse ata, gënjeshtarët dhe zhvatësit janë vetë shteti, janë vetë institucionet kryesore të vendit.
4.
Pa, hë, më thoni tani, kur do të dalin njëqind mijë burra e gra në rrugët e Prishtinës, për ta shpëtuar këtë shtet nga rënia përfundimtare? Deri atëherë, deri në këtë pikë kritike, të gjithë do të tallemi me Kosovën dhe do të shohim ëndrra me sy hapur./Gazeta Express/
Momentet më pikante mes Sarës dhe Drilonit, çfarë po ndodh m...
Rusia mbyll muzeun e njohur që dokumenton mizoritë e Gulagut
Edi – Gjestit: S’ki nevojë me u tut se dola unë tash!
Krasniqi: Që të rinjtë të qëndrojnë në Kosovë, atyre u duhet...
Pamje nga veriu, pas shpërthimit në kanalin e ujit në Zubin ...
Rusia thotë se ka bombarduar forcat antiqeveritare në Siri