Shkruan Blerim Shala: Strategjia e Presidentit të Serbisë

19:16 | 25 Tetor 2020
Arbresh.info

Shkruan Blerim Shala: Strategjia e Presidentit të Serbisë

Presidenti serb Vučić ka Plan të qartë çka të bëjë në Serbi dhe në dialogun me Kosovën në dy vitet vijuese. Plane të tilla nuk ka në Kosovë, kur njësia matëse kohore e politikës, në rastin më të mirë është java, e në rastin më të keq, një ditë e vetme.

Shkruan: Blerim Shala

Në ditën (me 20 tetor) kur e bëri me dije që Ana Brnabić do të vazhdojë të jetë Kryeministre e Qeverisë së Serbisë, Aleksandar Vučić, Presidenti i Serbisë, në një akt të paprecedent politik jo vetëm në këtë shtet por edhe më gjerë, shpalli zgjedhjet e reja parlamentare në Serbi, të cilat do të mbahen jo më vonë se me 3 prill të vitit 2022, së bashku me zgjedhjet presidenciale.

Dihet që në atë kohë do t’i skadojë mandati i parë presidencial liderit të Serbisë, i cili në vitin 2022, do të shënojë një decenie të plotë të pushtetit të tij të pakontestueshëm në këtë shtet.

Sipas të gjitha gjasave, Vučić ka arsye të bollshme të brendshme dhe të jashtme (ndërkombëtare), për t’ia shkurtuar kështu, në mënyrën më brutale të mundshme, mandatin Kuvendit dhe Qeverisë së re, ku nuk ka opozitë parlamentare fare, për herë të parë që prej se në vitin 1990 u mbajtën zgjedhjet shumëpartiake në këtë shtet.

Zatën, bojkoti i asaj opozite të mirëfilltë në Serbi i zgjedhjeve të fundit, mund të jetë argumenti i parë i Vučićit, me të cilin ai do të përfitojë gjithsesi disa pikë shtesë në kryeqendrat perëndimore (ku është në rritje e sipër pakënaqësia me nivelin e demokracisë në Serbi), për t’i bërë zgjedhjet e reja në pranverën e vitit 2022.

Megjithatë, argumenti kryesor ka të bëjë me insistimin e tij që zgjedhjet e reja parlamentare në Serbi të përputhen me ditën kur do të bëhet votimi për Presidentin e Serbisë, i cili ka pesë vjet mandat, që zgjedhet në mënyrë të drejtpërdrejtë, por i cili ka më pak komptenca se sa Presidenti i Kosovës, i cili zgjedhet apo caktohet përmes votës së deputetëve në Kuvendin e Kosovës.

Vučić, i cili është, nëse mund të thuhet ashtu, ’Lider gjithpërfshirës’ i Serbisë, e di mirë që prej tij varet suksesi i partisë së tij populliste (SNS-it), prandaj, votimi i njëkohshëm për deputetët e Kuvendit të Serbisë dhe për Presidentin i këtij shteti, i shkon për shtati shumë synimit të tij që ta ruajë monopolin politik në Serbi, me ri-zgjedhjen e tij si President, dhe me sigurimin e një shumice absolute parlamentare dhe qeverisëse.

Shkurtimi i mandatit të Qeverisë dhe të Kuvendit aktual, është në interes të tij edhe për shkak të bindjes së Vučićit që opozita aktuale në Serbi, e cila bëhet bashkë vetëm në kundërshtim të liderit të Serbisë, teksa nuk ka të thuash asnjë vlerë përbashkuese politike, nuk do të mund dot të organizohet si duhet për të bërë garë të mirëfilltë me te dhe partitë që do të jenë në pushtet për diku një vit e gjysmë.prej tash e deri në pranverën e vitit 2022.

Më në fund, Vučić, nëse ka ruajtur sadopak arsyen politike (një tipar tepër i rrallë tek liderët e këtij lloji), e di që në aspektin afatgjatë politik, koha nuk është në anën e tij, që përmasat e problemeve reale politike dhe ekonomike të Serbisë nuk do të zbuten ndjeshëm në vitet e ardhshme, prandaj, me atë parimin e njohur të demokracisë italiane (të Partisë Demokristiane, e cila nuk ekziston më), zgjedhjet e shpeshta janë në favor të partisë në pushtet dhe fushatat thuaja permanente parazgjedhore, bëjnë që përqëndrimi i qyetetarëve të zakonshëm të jenë tek premtimet e një lideri dhe të partisë në pushtet, e jo te rezultatet konkretet të një pushteti, të një Presidenti dhe të një Qeverie.

Pra, objektivisht, zgjedhjet e radhës presidenciale dhe parlamentare në Serbi, në pranverën e vitit 2022-të, sipas të gjitha gjasave, do të jenë të fundit kur Vučić do të mund të fitojë mandatin e ri presidencial qysh në rrethin e parë të zgjedhjeve, dhe partia e tij (SNS), do të mund ta sigurojë shumicën parlamentare.

Vendimi i këtillë i Presidentit të Serbisë, përndryshe, është i motivuar edhe me arsye rajonale dhe ndërkombëtare.

Ajo e para, mbase dhe më kryesorja, sepse prej saj varet në mënyrën e drejtpërdrejtë perspektiva e Serbisë për tu bërë shtet anëtar i Bashkimit Evropian, përkon me Kosovën, apo me konkludimin eventual të dialogut në mes të autoriteteve më të larta të Prishtinës dhe Beogradit me një Marrëveshje Gjithpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Çdo Marrëveshje ligjësisht detyruese midis Kosovës dhe Serbisë, obligon Presidentin Vučić për t’i bërë ndryshimet e Kushtetutës së Serbisë (sepse Kosova është brenda kësaj Kushtetute). Ato, në rastin e Serbisë mund të sendërtohen përmes votimit të dy të tretave të përbërjes së Kuvendit (prej 250 deputetëve), por tej këtij vendimi parlamentar, duhet të organizohet edhe Referendumi, i cili, për të qenë ligjësisht valid, kërkon pjesëmarrjen e së paku gjysmës + një votuesi të qytetarëve me të drejtë vote, teksa shumica prej tyre duhet të jenë në favor të këtij ndryshimi të Kushtetutës.

Me përbërjen aktuale të Kuvendit të Serbisë, Vučić nuk do të ketë kurfarë rezistence për ta Ratifikuar Marrëveshjen eventuale me Kosovën dhe për t’i kaluar ndryshimet kushtetuese.

Në atë variantin ideal të Vučićit, edhe Referendumi për ndryshimin e Kushtetutës do të mund të mbahej po të njejtën ditë me votimin e Presidentit të Serbisë dhe me zgjedhjet e reja parlamentare.

Vučić mund të supozojë që në këtë rast që shumica votuese në favor të tij, në zgjedhjet presidenciale dhe në partisë së tij (SNS-it), do të shfaqej edhe në trajtë të shumicës që mbështetë ndryshimin e Kushtetutës së Serbisë.

Natyrisht, për të ofruar këto Pako ’All Inclusive’ për votuesit e tij, Vučićit do t’i duhet ta bëjë një Marrëveshje me autoritetet e Kosovës e cila prej tij do të prezentohej si një fitore politike, teksa paraardhësit e tij i kishin humbur të gjithat në Kosovë.

Poashtu, Vučić llogaritë që në ndërkohë do të arrijë të sigurojë një mbështetje më të madhe financiare nga BE-ja, dhe për më shumë, do të mund ta afrojë Serbinë fare pranë anëtarësimit në BE, i cili, së paku nga perspektiva e sotme, nuk duket reale para fundit të decenies së ardhshme.

Poqëse në ndërkohë nuk do të ketë lëvizje konkrete nga Parisi dhe Berlini (dy qendrat kryesore vendimmarrëse në BE), kur bëhet fjalë për gjasat që Serbia në një të ardhme afatmesme, të bëhet shtet anëtar i BE-së, atëherë Vučić nuk do të ketë fare motivim që ta bëjë Marrëveshjen me Kosovën për normalizimin e raporteve, apo, këtë detyrë vetes do t’ia bartë për mandatin e tij të dytë presidencial, për Kuvendin dhe Qeverinë e re të Serbisë, pas atyre zgjedhjeve të reja të planifikuara për pranverën e vitit 2022.

Ky duket të jetë Plani strategjik i Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vučić, për dy vitet e ardhshme në Serbi, si brenda këtij shteti, ashtu edhe në raportet e tij me Kosovën dhe me Bashkimit Evropian, i cili përndryshe, do të duhej patjetër të mirrej parasyshë prej politikanëve të Kosovës, në çdo planifikimin eventual Strategjik disavjeçarë të politikës në Kosovë.

Me gjasë, Plane të këtilla Strategjike aktualisht nuk ka në Kosovë, kur njësia matëse kohore e politikës kosovare, në rastin më të mirë është java, e në rastin më të keq, një ditë e vetme.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme