Shkruan: Fitim Salihu
Tragjediani i madh i Greqisë së lashtë, Euripidi i “Medesë” dhe “Trojaneve”, një herë kishte thënë se i ka marrë tri ditë që t’i shkruajë tri vargje. Bashkëbiseduesi i tij i habitur, një poet me talent të mefshtë, iu përgjigj se ai do të mund t’i shkruante njëqind vargje për ato tri ditë. “E besoj,” iu përgjigj Euripidi, “por ato do të jetonin vetëm tri ditë”.
E njëjta logjikë lirisht mund t’i përshkruhet edhe diplomacisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, gjegjësisht konflikteve dhe zgjidhjes së tyre. Një paqe e dobët, e bërë nxitimthi, ka pak shpresë e gjasa që ta ketë jetën e gjatë. Një paqe përnjëmend, e arritur prej së vërteti, i qëndron stoike stuhive të kohës dhe ka jetën e gjatë.
Javëve të fundit u rikthye pas një çerek shekulli në lajmet kryesore të botës një konflikt i harruar. Lufta mes armenëve dhe azerëve për kontrollin e rajonit të kontestuar të Nagorno-Karabahut. Një konflikt që, sikurse vargjet e bashkëbiseduesit pretencioz të Euripidit, “u zgjidh për tri ditë për të jetuar vetëm tri ditë”. Po si një vullkan i fjetur që zgjohet atëherë kur më së paku pritet, derdhet nga krateri, dhe llava e tij përlan gjithçmos përpara, është zgjuar edhe konflikti në ish-republikat sovjetike.
Bashkimi Sovjetik ish krijuar mbi iluzionin e barazisë së kombeve që e përbënin atë, bazuar në “Të drejtën e kombeve për vetëvendosje” të themeluesit të tij, Vladimir Iliç Leninit. Për rrjedhojë, edhe kufijtë mes kombeve sovjetike ishin ravijëzuar mbi iluzionin se Pax Sovietica do t’i jepte fund armiqësive primordiale ndëretnike dhe rrjedhimisht kufijtë e brendshëm të shtetit sovjetik do të ishin fare të parëndësishëm. Kësisoj, harta etnografike e republikave, republikave autonome, krahinave autonome dhe qarqeve autonome të BRSS-së i ngjante një zebreje ku ndërthurreshin vija të ndryshme etnolinguistike. Krejt ky proces, në të gjallë të Leninit, ishte mbikqyrur dhe zbatuar nga Josif Stalini, asokohe Komisar i Kombësive i qeverisë sovjetike.
Por, sikurse gjithsecili iluzion, sikurse gjithsecila fluskë, edhe Pax Sovietica në një moment shpërtheu. Tekqë shteti i parë socialist në botë po jetonte ditët e fundit të tij, në pah dolën ndasitë e thella etnike të cilat koha dhe sistemi nuk i kishte zhdukur, por vetëm i kishte ndrydhur, si një papastërti që nuk fshihet por vetëm e fshehim nën tepih duke e gënjyer veten se si ajo më nuk është mes nesh. E, askurrkund tjetër kjo nuk u manifestua më sheshazi sesa në Kaukaz. Që në shkurt 1988 ndodhën incidentet e para entike mes azerëve dhe armenëve (Pogromi i Sumgajitit) që Bashkimi Sovjetik i lodhur nuk arrinte t’i mbante nën kontroll.
Por, gjithçka u përshkallëzua pas pavarësisë së këtyre dy ish-republikave sovjetike. Sipas kufijve të vjetër sovjetikë, brenda Republikës së Azerbajxhanit ekzistonte edhe Qarku Autonom i Nagorno-Karabahut ku në vitet ’20 ishin armenë 94% e popullsisë së tij. Më 1988, ky rajon e shpalli bashkimin me Armeninë dhe refuzimi i Azerbajxhanit shpini në luftë që vazhdoi gjer më 1994 dhe që, sipas përllogaritjeve të ndryshme, solli në të dy kampet 15 gjer 30 mijë të vdekur, 70 mijë të plagosur, mbi 4 mijë të zhdukur dhe mbi 1 milion refugjatë – 300 mijë syresh armenë dhe 700 mijë syresh azerë.
Gjatë dhe pas konfliktit, armenët, falë edhe ndihmës ruse, ia dolën që ta mbanin në kontroll territorin diskutabil, kurse Azerbajxhani – aleatët e të cilit si Turqia asokohe ishin të dobët për ta ndihmuar – u detyrua ta pranonte kontrollin faktit armen mbi këtë territor, duke u kënaqur me faktin që de jure ky rajon ngelej pjesë e Azerbajxhanit. Por, koha e ka dëshmuar që paqja e vitit 1994 ishte një paqe e brishtë dhe luftimet e fundit atje janë dëshmi që një paqe e bërë shpejtë, shprishet shpejtë. Po ashtu, një faktor tjetër i rigjallërimit të këtij konflikti është ndryshimi i pozitës gjeopolitike të palëve dhe aleatëve të tyre. Posaçërisht Azerbajxhani e ka ndjerë rritjen e peshës së vet gjeopolitike (falë rritjes së të ardhurave nga gazi natyror dhe sidomos nga nafta) dhe të peshës së aleatit të saj kryesor, Turqisë, e cila është fuqizuar dukshëm në dekadën e fundit, duke mos e fshehur nepsin për hegjemoni në fqinjësitë e saj – në Ballkan, Kaukaz dhe Lindje të Mesme.
Pra, një konflikt që vetëm pak muaj më parë dukej i ngrirë, papandehurazi “u shkri” dhe sqota e saj po përmbyt rajonin. Kur këtij konflikti ia shton invazionin rus të vitit 2014 në Ukrainën Lindore dhe aneksimin e Krimesë, atëherë mendja na shkon te halli ynë. Fakti që Kosova nuk ka njohje nga Serbia, e bën rastin tonë një temë të hapur, një konflikt latent, paçka se të ngrirë. E, rastet si ky i Nagorno-Karabahut ose ai i Ukrainës nuk na japin fare garanca se situata jonë është e pakthyeshme. Fakti që komuniteti ndërkombëtar toleroi intervencionin rus në Ukrainë ose fakti që konflikti në Kaukaz u ringjall pas një çerek shekulli me po aq afsh vrastar, do të duhej të ishte alarmues për ne.
Së fundi, temë kryesore në Kosovë ka qenë insistimi i të dërguarit të BE-së, Miroslav Lajçakut, për funksionalizimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë. Në rrethana normale, një shtet normal do t’i zbatonte zotimet ndërkombëtare që i ka marrë përsipër që më parë. Kosova e ka nënshkruar Asociacionin tash e sa vite, por qëllimi i tij ultimativ ka qenë që të jetë një kompromis i fundit në këmbim të marrjes së njohjes formale nga Serbia. Por, tani që Lajçaku nuk po e gjen guximin që t’i vendos kushte Serbisë – dmth njohjen e Kosovës – por me arrogancë i vendos kushte Kosovës – dmth Asociacionin – Kosova nuk ka kurrfarë obligimesh kundruall kësaj teme.
Kosova është e bllokuar ndërkombëtarisht, sidomos me anëtarësimet në organizata ndërkombëtare, mu për shkak të mosnjohjes nga Serbia. Por, Asociacioni pa njohje do ta bllokonte dyfish Kosovën – edhe së jashtmi edhe së brendshmi. Pse duhet të bëjë kompromise të tjera Kosova nëse nuk i garantohet njohja nga Serbia?
Një modalitet i këtillë që po shtyhet me arrogancë nga Lajçaku rrezikon ta shndërrojë Kosovën në një Nagorno-Karabah të Ballkanit, në një konflikt të ngrirë i cili rrezikon të shkrihet papritmazi mu atëherë kur më së paku na konvenon neve. E, duke vunë re ripozicionimet e yjeve në galaktikën e politikës ndërkombëtare, rrezikojmë që kjo shkrirje të ndodhë mu atëherë kur, jo vetëm ne, por edhe miqtë tanë do të ishin në pozicione më të disfavorshme sesa që janë sot ose sesa që kanë qenë më 1999 dhe 2008. Njëlloj, ky parametër e ka shkaktuar dhe e ka bërë diferencën në shkrirjen e konfliktit të ngrirë të Nagorno-Karabahut pas një çerek shekulli.
Ideja e Lajçakut për Asociacion pa njohje nga Serbia nuk është zgjidhje e problemit. Përkundrazi, është një problem më shumë. Është një barrë e shtuar mbi raportet mes Kosovës e Serbisë dhe mes shqiptarëve e serbëve. Ajo është një bombë me sahat që do të mund të shpërthente kurdoherë. Ajo është një replikë e paqes së Nagorno-Karabahut të vitit 1994. Ajo është sikurse njëqind vargjet e atij bashkëfolësit prepotent të Euripidit që do të jetonin vetëm tri ditë. Ky konflikt ka nevojë për një zgjidhje afatgjatë dhe të qëndrueshme. Ka nevojë për tri vargje të Euripidit që do të jetonin së paku njëqind vite.
Bislimi e Petkoviq takohen në dhjetor, Lajçak: Pres me padur...
E ardhmja e NATO-s dhe qëndrimet e zotit Trump
Gary Neville zbulon se si drejtuesit e Man Cityt e bindën Gu...
“Shqetësimi i Sarës ishte fake”, Xheneta tregohet e ashpër
Abdixhiku nga Malisheva: Më 9 shkurt do ta sjellim bashkë nd...
WhatsApp po prezanton një tjetër veçori të dobishme për përd...