Nga Azem Parllaku
Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, ka dërguar urimin e tij të parë në kuadër të administratës së re amerikane për Kosovën dhe qytetarët e saj. Mesazhi është postuar edhe në faqen e Departamentit të Shtetit.
“Në emër të Presidentit Trump dhe të popullit amerikan, është kënaqësia ime që të uroj qytetarët e Kosovës, për përvjetorin e nëntë të pavarësisë suaj, që do të festoni në këtë 17 shkurt” shkruan ai.
“Shtetet e Bashkuara e vlerësojnë miqësinë e fortë që kanë me Kosovën, të bazuar në aspiratat tona të përbashkëta për stabilitet, paqe dhe begati për të gjithë qytetarët tanë. Ne duartrokasim përparimin që ka bërë populli i Kosovës në zhvillimin e institucioneve demokratike e multietnike gjatë nëntë viteve të pavarësisë. Në 2016, Shtetet e Bashkuara patën kënaqësinë që të shihnin sesi Kosova fitoi medaljen e saj të parë të artë olimpike dhe ekipin kombëtar të Kosovës që të luajë në vitin e inaugurimit në kuadër në FIFA-s” thuhet në mesazhin e botuar nga Departamenti i Shtetit.
Deklarata gjithashtu e nxit Kosovën që të punojë më shumë për të përforcuar pushtetin e ligjit, të luftojë ekstremizmin e dhunshëm, dhe të ndërtojë marrëdhënie pozitive me fqinjët dhe rretheqark botës.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten të vendosura për të ndihmuar Kosovën që t’ia dalë mbanë dhe do të vazhdojmë të punojmë me udhëheqësit dhe popullin e saj, në kërkim të paqes dhe begatisë”, mbyllet deklarata e Sekretarit të Shtetit.
“Republikë e Kushtetutë, ja me hatër ja me luftë”. Kjo ka qenë thirrja e njohur me të cilën Ushtria Çlirimtare e Kosovës, nxori shqiptarët nga letargjia dhe iluzioni se liria nuk mund të fitohej ndryshe. Në këtë rilexim të të dikurshmes, me ose pa hir, është qartësuar mendimi se; Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka luajtur një rol tepër të rëndësishëm për zhvillimin kombëtar, atë rajonal, pse jo dhe global.
Përgjatë viteve 1998-1999, ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës ajo që bëri aktivizimin e gjithë shqiptarëve kudo ishin, në projektin vizional të çlirimit përfundimtar të Kosovës nga Serbia. Në projektin dhe aktivitetin e saj çlirimtar, ajo rrëzoi mitin sllav për pathyeshmërinë e ushtrisë serbe, ndërkohë nëpërmjet luftës që kreu, u thye dhe miti i kufijve shqiptarë. Lufta çlirimtare ndikoi në rrëzimin e regjimit të Milosheviçit, duke çliruar përfundimisht popullin serb nga ky diktator. Veçanërisht të rinjtë si në fshatra ashtu edhe të shkolluarit në qytete, të cilët nuk kishin çfarë të humbnin, kërkonin alternativa dhe radikalizoheshin.
Që në fillim të viteve 1990-të ishte themeluar një organizatë guerile në Kosovë dhe në disa pjesë të Maqedonisë. Deri në Marrëveshjen e Dayton-it, Ushtria Çlirimtare e Kosovës mbeti një dukuri pak e artikuluar. Edhe në vitin 1997 ajo numëronte vetëm rreth 150 anëtarë aktivë. Por, atmosfera kishte ndryshuar tani. Ndonëse Rugova në mars 1998 me rastin e zgjedhjeve të papranuara nga Jugosllavia e mbetur ishte konfirmuar në postin e tij si president, kritika kundër politikës së tij u shtua.
Në tetor 1996 shkrimtari shqiptar Ismail Kadare në New York atakoi politikën e mosdhunës të Rugovës: “Shqiptarët duhet ta tejkalojnë këtë periudhë të pafavorshme për ta. Duhet të vetëdijesohen për gjendjen e tyre, forcën e tyre, kulturën si dhe mundësitë që kanë. Ata duhet të çlirohen nga dobësia morale, nga albanofobia që fatkeqësisht ishte mbjellë si te qytetarët e zakonshëm ashtu edhe te një grup intelektualësh të degjeneruar. Dhe më e rëndësishmja, shqiptarët duhet të çlirohen nga kompleksi i frikës që dinakërisht është kultivuar në vitet e fundit në emër të pacifizmit”. Qysh në shkurt 1996, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, i filloi sulmet e para kundër stacioneve policore dhe përfaqësuesve të Jugosllavisë së cunguar, duke bërë që qeveria e Beogradit të shtonte numrin e forcave të saj të sigurisë në Kosovë, dhe të ndërmerrte reprezalje masive.
Jo vetëm nga pikëpamja e Beogradit, por edhe fillimisht nga amerikanët Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një organizatë “terroriste”. Shkatërrimi i rendit publik në shtetin fqinj, në Shqipëri, në vitin 1997 i dha gueriles kosovare një shans të mirëseardhur të pajiset lirë me armë, t’i ushtrojë luftëtarët e saj në kampe të Shqipërisë veriore dhe në garë me regjimin e Beogradit të sjellë më tutje spiralen e dhunës. Në mars të vitit 1998 ushtria serbe dhe forcat policore sulmuan fshatin Prekaz në luginën e Drenicës. Prekazi ishte vendlindja e Adem Jasharit, njërit prej organizatorëve të Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ndërsa lugina e Drenicës ishte vatër e kryengritësve, prej së cilës vazhdimisht sulmoheshin njësitë serbe përkatësisht jugosllave. Nga pikëpamja e Beogradit Jashari ishte njëri prej kryeterroristëve. Pas kësaj masakre atmosfera në Kosovë ndryshoi komplet. Edhe bota e jashtme ishte e shqetësuar. Madeleine Albright i tërhoqi vërejtje udhëheqjes serbe: “Ne nuk do të rrimë duarkryq duke shikuar autoritetet serbe derisa bëjnë çfarë duan në Kosovë”. Por, ky paralajmërim nuk solli asgjë. Në muajt në vijim luftimet në Kosovë u zgjeruan me shpejtësi të zjarrit gjithëpërfshirës. Ushtria Çlirimtare e Kosovës sulmonte dhe provokonte, dhe regjimi reagonte tamam ashtu siç e kishin pritur dhe shpresuar udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Më 17 mars 1999, NATO i bëri thirrje në mënyrë ultimative qeverisë së Beogradit të pranojë Marrëveshjen e Rambouillet dhe në rast mospranimi kërcënoi me bombardime. Pasi që delegacioni jugosllav nuk hoqi dorë nga refuzimi, konferenca përfundoi më 23 mars pa asnjë rezultat. Një ditë më vonë NATO filloi sulmet ajrore. Nën presionin e Blair-it NATO vendosi të intervenojë. Madje pa mandat të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, pasi që Kina dhe Rusia, duke pasur parasysh problemet e tyre, nuk mbështetën një vendim të tillë. Ndryshe nga ç’kishte pritur NATO, Millosheviçi pas fillimit të bombardimeve më 24 mars 1999 nuk hoqi dorë nga politika e tij. Qëllimi politik i Aleancës ishte evitimi i një “katastrofe humanitare”. Në fakt ndodhi e kundërta. Sepse me sulme ajrore mund të shkatërrohen qendrat komanduese të kundërshtarit, magazinat ushtarake, artileria e rëndë dhe shumë gjëra të tjera, por spastrimet etnike, të kryera nga bandat paramilitare, nuk mund të pengohen nga ajri. Pas fillimit të sulmeve ajrore dëbimi dhe arratia e popullsisë shqiptare të Kosovës mori përmasa dukshëm më të mëdha. Nga frika prej akteve hakmarrëse serbe brenda pak ditësh më shumë se 800 000 njerëz braktisën vendlindjen e tyre dhe shpëtuan kokën në Shqipëri dhe Maqedoni.
Pritjet e Millosheviçit se bashkësia ndërkombëtare do ta detyronte NATO-n të ndërpresë sulmet dhe se Rusia do të vihej hapur në anën e Serbisë nuk u bënë realitet. Po ashtu pakënaqësia e popullsisë serbe me qeverinë e saj u shtua dukshëm, pasi NATO kishte intensifikuar sulmet ajrore. Më 3 qershor pas vizitës së emisarit të posaçëm rus Viktor Çernomyrdin dhe kryetarit finlandez Martti Ahtisaari në Beograd, Parlamenti serb miratoi një plan të përgatitur nga shtetet e G-8-shes, i cili u plotësua më 9 qershor përmes një marrëveshjeje ushtarake të negociuar në Kumanovë (në veri të Maqedonisë).
Një ditë më vonë NATO i dha fund luftës pas 35 000 aksioneve ajrore. Rezoluta 1244 e OKB-së, e miratuar të njëjtën ditë, parashihte për krahinën, mes tjerash, stacionimin e një trupe ndërkombëtare paqësore (KFOR) dhe një administratë kalimtare (UNMIK). Nëpërmjet asaj lufte, u hoq maska diskriminuese për shqiptarët në Maqedoni, Preshevë, Medvegjë, Bujanovc, e në Malin e Zi. Kjo luftë, i dha një rol të madh e pozitiv Shqipërisë në zhvillimet demokratike rajonale e globale. Ka qenë kjo luftë, që çoi në test unitetin e NATO-s, dhe qëndrimet e Bashkimit Europian. Kjo luftë, shmangi dukshëm burokracinë e komplikuar të OKB-së, duke nxjerrë në pah rolin parësor të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si superfuqia e vetme dhe mbrojtëse e vlerave demokratike të njerëzimit. “Mendoni për një çast se si do të ndjeheshit ju, po të ishit pjesë e atij populli, që kanë jetuar në paqe, në një vend që duan të përdorin gjuhën e tyre, por që u vajtën në shtëpitë e tyre dhe u thanë: Mblidhni plaçkat dhe ikni! Do t’ju djegim çdo dokument të pronave dhe identitetit tuaj, dhe nëse burri ose djali juaj do të ishte në një moshë për shërbim ushtarak, ta hiqnin mënjanë e ta vrisnin. Dhe e gjithë kjo sepse ju keni një fe dhe një kulturë tjetër etnike. A do ta donim këtë ne për fëmijët tanë në shekullin e 21-të?” (Bill Klinton) nga fjala e mbajtur në Bazën Detare të Norfolkut në Virxhinia 1999.
Kush ishin shtetet dhe resurset që ata vendosën në dispozicion për të mbështetur Aleancën gjatë luftimeve në Kosovë?
Shtetet e Bashkuara të Amerikës; 260 avionë, mes tyre avionë të paperceptueshëm nga radarët, avionë bombardues me raketa të drejtuara, avionë gjuajtës të fshehtë, avionë gjuajtës dhe bombardues, 24 helikopterë Apach të destinuar për luftën kundër tankeve dhe mjeteve të tjera luftarake tokësore, anije amfibe për transportim trupash, 2 kryqëzorë, 3 anije sulmuese dragamina, 2 nëndetëse me predha të drejtuara, Aeroplanmbajtësja “Teodor Rusvelt” në Adriatik me 63 avionë në bord.
Franca; 20-40 avionë, mes tyre avionë gjuajtës bombardues, avionë për zbulimin e objektivave dhe transmetim të dhënash, avionë për furnizim me karburant në ajër, në gatishmëri luftarake Aeroplanmbajtësja “FOCH”.
Britania e Madhe; 20 avionë, mes tyre avionë gjuajtës bombardues, avionë zbulues objektivash tokësorë me përmasa të kufizuara, avionë të furnizimit me karburant në ajër, 1 nëndetëse me predha të drejtuara.
Kanadaja; 6 avionë luftarakë.
Gjermania; 14 avionë luftarakë “Tornado”, me tyre 8 avionë me pajisje speciale për luftën elektronike dhe asgjësimin e mjeteve kundërajrore, 6 avionë zbulues objektivash.
Italia; 12 avionë luftarakë.
Spanja; 6 avionë luftarakë mes tyre avionë për furnizim me karburant në ajër.
Turqia; 11 avionë luftarakë gjuajtës bombardues.
Hollanda; 8 avionë luftarakë.
Belgjika; 4 avionë luftarakë.
Danimarka; 6 avionë luftarakë.
Shqipëria; me Ligjin Nr.8470, datë 07.04.1999, vendos në dispozicion të NATO-s, të gjitha kapacitetet aeroportuale.
Aleanca e Atlantikut të Veriut grumbulloi më shumë se 400 aeroplanë luftarakë, e dhjetra anije lufte për veprime ushtarake kundër Jugosllavisë.
Forcat ushtarake të NATO-s, u komanduan nga gjenerali Uesli Klark.
Është e vërtetë, NATO nuk mund t’i përgjigjet çdo tragjedie në të njëjtën kohë dhe në çdo cep të globit, vërtetë Kosova nuk ishte një vend anëtar i NATO-s, por ajo u vlerësua si vendi i vogël në vijën që ndan Europën me Azinë dhe Lindjen e Mesme, në vijën ndarëse mes Islamizmit dhe Kristianizmit, vend pranë aleatëve të Jugut të NATO-s, Greqisë dhe Turqisë, vend pranë aleatëve të rinj të NATO-s, Republikës Çeke, Polonisë dhe Hungarisë, vend që kufizohej nga demokraci të brishta si Shqipëria (sot anëtare e NATO-s) dhe Maqedonia.
______________________________________________________________________________________________________________
Shënim: Opinioni që sapo lexuat nuk shpreh qëndrimin/opinionin e Arbresh.info. Ai është një trajtim sipas bindjeve të autorit dhe shpreh vetëm opinionin e tij rreth çështjes që trajton.
Osmani: Kosova dhe Kanadaja do ta fillojnë Programin e Bashk...
Haradinaj: Kosova direkt në NATO, është kthesa e madhe për K...
Erdogan synon rritjen e tregtisë me Rusinë
Incidentet në takimin e Ramës me shqiptarët e Britanisë, një...
I bie një profilë metalit në kokë, vdes 25-vjeçari në Prizre...
Kadrijaj e AAK-së komenton skandalet me subvencione në Minis...