Kosova fitoi tri herë ndaj Serbisë: ushtarakisht, politikisht dhe juridikisht. Megjithatë, historia tragjike e marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë nuk ka të sosur.
Shkruan: Blerim Shala
Këtë të mërkurë, me 22 korrik, bëhet dhjetë vjet të plota nga shpallja e Qëndrimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ-së), me seli në Hagë, për pajtueshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, me 17 shkurt, 2008, me të Drejtën/ Ligjin Ndërkombëtar.
Këtë të mërkurë, me 22 korrik, Dhomat e Specializuara, me seli në Hagë, do ta gjejnë veten në vlugun më të punës në adresimin e temave të ngritura nga Raporti i Dick Martyt, i cili u pati shpallur në dhjetorin e vitit 2010, vetëm pesë muaj pas ngjarjes së madhe në ICJ.
Qëndrimi i parë i Hagës së ICJ-së, i dha të drejtë bërjes së shtetit të Kosovës, duke konstatuar që ky akt i Kuvendit të Kosovës, nuk ka qenë në kundërshtim a në shpërputhje me të Drejtën/ Ligjin Ndërkombëtarë.
Ishte kjo një tjetër fitore e jashtëzakonshme e Kosovës në ballafaqimin me Serbinë.
Një herë u fitua lufta, në qershorin e vitit 1999-të, pas krijimit të një partneriteti në mes të Kosovës dhe SHBA-së, Evropës dhe Perëndimit në përgjithësi.
Ishte ky një ngadhnjim ushtarak.
Pastaj u fitua paqja, në Procesin e Vienës (në vitet 2005-2007), kur me ndërmjetësimin e Presidentit Ahtisaari dhe të Trojkës së Ambasadorëve të Grupit të Kontaktit, Kosova u bë shtet i pavarur.
Ishte ky një ngadhnjim politik.
Së fundit, u fitua edhe një kontest i madh i drejtësisë, i shtyrë para nga Serbia dhe përkrahësit e saj në OKB, përmes këtij Qëndrimi të ICJ-së.
Ishte ky një ngadhnjim në drejtësi.
Të gjitha humbjet e mundshme i pësoi Serbia.
Të gjitha fitoret e mundshme i korri Kosova.
Me të drejtë, në atë verën e vitit 2010-të, ndër ne, tek qytetarët e Kosovës në përgjithësi, është menduar që historia e një kontesti të gjatë, të dhimbshëm, tragjik, përplot kallëzime të rënda brez pas brezi, në mes nesh dhe Serbisë, po e merrte vulën e tretë dhe finale, apo që historia e këtyre raporteve të këqija në mes Kosovës dhe Serbisë, shqiptarëve dhe serbëve, po kryhej një herë e mirë.
Çfarë pritej të ndodhte atëherë ishte që përmbyllja e kësaj historie, ta merrte atë trajtën e synuar dhe dëshiruar prej nesh, pastaj prej SHBA-së dhe shteteve të tjera kryesore të Perëndimit, përmes të së cilës, Kosova dhe Serbia jo vetëm që do ta njihnin njëra-tjetrën, jo vetëm që do të nisnim një proces të normalizimit të marrëdhënieve, por për më shumë, do të nisnin atë rrugëtimin e pajtimit të popujve dhe shteteve.
Rasti u humb në verën dhe vjeshtën e vitit 2010.
Shkaqet si nuk u shfrytëzua kjo mundësi e veçantë politike dhe historike (për t’i dhënë fund politikës dhe historisë së armiqësisë), janë pak a shumë të ditura, pak kanë të bëjnë me ne, e më shumë me atë faktorin mik ndërkombëtarë, i cili gabimisht vlerësoi në atë kohë që pushtetit të atëhershëm i Serbisë, i cili njihte Presidentin Tadiq si figurë qendrore, duhet dhënë kohë dhe një ndërmarrje të re ndërkombëtare, të prirë a të lehtësuar nga BE-ja (nga Zyra e Zonjës Ashton, Përfaqësueses së Lartë të BE-së), ashtuqë në një periudhë afatmesme, disavjetëshe, të mbërrinte në cakun të cilin e bëri publik ICJ në orët e pasdites të 22 korrikut në Hagë.
Kjo mundësi e re po i ofrohej Serbisë dhe lidershipit të saj, i cili në atë kohë ishte në vlugun më të madh të punës të përgatitjeve të kontributeve të veta për Raportin e Dick Martyt.
Ishte kjo pa kurfarë dyshimi një lloj i hakmarrjes së Beogradit zyrtar për atë disfatën e madhe në ICJ, në Hagë.
Çfarë ndodhi më pas, tej Raportit të Martyt, si Raportues Special i Këshillit të Evropës, është e ditur për të gjithë ne.
Në gushtin e vitit 2015, Kuvendi i Kosovës aprovoi themelimin e Dhomave të Specializuara në Hagë.
Në atë Hagën e parë, në vitin 2010, menduam që historia e atyre raporteve tona me Serbisë, mori fund.
Në këtë Hagën e dytë, të vitit 2020, po e shohim që kjo histori nuk mori fund ende, apo, që kjo histori është kthyer këndejpari në Kosovë, në mënyrën më brutale apo më të vrazhdë të mundshme.
Në të vërtetë, është edhe një tjetër Hagë, e cila këtu kushtimisht mund të klasifikohet si ’e treta’, që ka të bëjë me ICTY-n (me Tribunalin e Hagës për krime të luftës të bëra në territoret e ish-RSFJ-së), në të cilin u gjetën edhe Ramush Haradinaj (dy herë), dhe Fatmir Limaj (një herë).
Te dy morën pafajësinë në fund të gjykimeve.
Sidoqoftë, është ditur dhe është shkruar qysh në vitin 2015-të e tutje, kur u krijuan Dhomat e Specializuara në Hagë, që njëra prej pasojat e pashmangshme të kësaj Gjykate Speciale, do të jetë ri-kthimi i historisë, të asaj që është dashur të kryhej menjëherë, apo në ata muajtë vijues pas Qëndrimit të ICJ-së, ndër ne, ndër shqiptarët e Kosovës dhe në relacionet e Kosovës dhe Serbisë.
Është ky një lloj i Flashbacku për të gjithë ne, për atë gjeneratën që i ka përjetuar dhe mbijetuar ngjarjet më tragjike të viteve të luftës.
Për brezin e ri, të atyre që janë lindur në vitet 1998, 1999, e që tash pra janë në moshën madhore, me 21, 22 vjet, kur edhe mund t’i përfundojnë studimet, ky rrëfim është njëkohësisht i qartë, i mundimshëm dhe tragjik.
Ata natyrisht, nuk mund të kuptojnë dot pse Kosova vuajti aq gjatë nën robërinë e Serbisë, apo, pse ndodhi okupimi i Kosovës nga Serbia.
Ata, poashtu, nuk kanë si të shpjegojnë faktin që 21 vjet pas përfundimit të kësaj lufte, ne ende jemi të detyruar të mirremi me pasojat e saj, që Udhëheqësia e sotme e Serbisë asnjëherë nuk i ka thënë tri fjali në shprehje të respektit për të gjitha viktimat në Kosovë të viteve të luftës, dhe që madje, nuk është e gatshme as sot e kësaj dite ta pranojë realitetin në Kosovë, apo, që ta njeh Kosovën si shtet të pavarur.
Po shihet dhe po kuptohet gjithnjë e më shumë që ky (njohja e ndërsjellë në mes të dy shteteve), do të jetë ai Akti i parë dhe më i rëndësishmi kur do të mund të nisë dobësimi i këtij ’Graviteti të historisë’ në Kosovë (por edhe në Serbi), pa të cilin nuk mund të ketë normalizim të mirëfilltë të raporteve në mes të këtyre dy shteteve (Kosovës dhe Serbisë), dhe as pajtim të njëmendtë midis të dy popujve (shqiptarëve dhe serbëve).
Natyrisht, gjithë këto tabllo, xhirime të kohës, fotografi të rënda, kallëzime të atyre që panë dhe përjetuan tmerret e atyre viteve, të cilat tani po na kthehen në mediat tona për çdo ditë dhe për çdo natë, nuk kanë si të mos e vështirësojnë dialogun edhe ashtu gjithsesi të ndërlikuar dhe të mundimshëm në mes të instancave sipërore të Prishtinës dhe Beogradit.
Që prej atij korriku të vitit 2010-të (dhe Qëndrimit të ICJ-së), e deri më sot, nuk ka pasë atmosferë më të keqe politike në raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë, teksa bisedimet e këtij lloji, çfarë janë këto në mes të autoriteteve të dy shteteve, nuk kanë as gjasa minimale për tu përmbyllur me sukses, apo me një Marrëveshje të madhe politike, pa pasë një atmosferë pozitive dhe inkurajuese.
Në muajtë e ardhshëm, sipas të gjitha gjasave, mund të pritet vetëm një përkeqësim i kësaj atmosfere, si këtu tek ne, ashtu edhe në raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë, sepse do të ketë gjithnjë e më shumë histori të ri-shfaqur dhe të ri-treguar ndër ne, me atë ri-kthimin në vitet e luftës dhe të tragjedisë së popullit shqiptar në Kosovë.
Për fat të keq, ende do të jemi brenda historisë sonë tragjike.
Shoferi humb kontrollin, shtatë të lënduar në New York
Të shtëna me armë zjarri në Durrës
Parashikimi i motit në Shqipëri
Giro d’Italia në Shqipëri/ Rama: Lajmi është publikuar në 70...
Të paktën dhjetë të vrarë nga sulmet izraelite në Gazë
Nuk ka pritje në pikat kufitare të Republikës së Kosovës