Google ADS

Sfida e Kosovës për t’i tërhequr investitorët e huaj

09:23 | 24 Maj 2018
Arbresh.info

Shkruan: Gentrit Dibrani

Kosova është ndër shtetet më të varfra në Evropë sipas raportit të Bankës Botërore.

Shteti më i ri në Ballkan me rreth dy milionë banorë e që mosha mesatare është 26 vjeçe ka numrin më të madh të të papunëve.

Raporti i Bankës Botërore që publikohet çdo vit tregon se rreth 30 mijë të rinj janë të gatshëm për punë e vetëm 5 deri 8 mijë gjejnë punë.

Ndërsa sfidat kryesore të Kosovës janë rritja ekonomike, krijimi i vendeve të punës dhe kushtet më të mira për investime të huaja.

Pavarësisht që vitin e kaluar në Raportin e të Bërit Biznes Kosova është ranguar mirë, ende ka probleme të mëdha. Raporti flet se Kosova është në top 10 vendet më reformatore në të bërit biznes, dhe nga vendi i 60 ka rënë në të 40. Por sërish ky nuk është indikator, sepse për shembull Kosova është në vendin e 140 për një leje ndërtimi. Burokracia ende është prezentë në zyrat e shtetit, që zor që mund të çrrënjosët për një kohë.

Energjia elektrike është po ashtu problem, që ende nuk është rregulluar pavarësisht ndërrimit të qeverive.

Kosova mund të llogaritet se ka bërë përmirësime në ndërtimin e rrugëve, që është autostrada Kosovë-Shqipëri, autostrada tjetër që po ndërtohet Prishtinë-Hani i Elezit, po ashtu parashihet lidhja me Serbinë përmes një projekti të Bashkimit Evropian që ka parapa një fond miliardësh për vendet në zhvillim të Ballkanit.

Por korrupsioni ende vazhdon të mbetet telashe kryesore e Kosovës që pothuajse në çdo raport të organizatave të huaja që hartohet përmendet.

Pavarësisht që është përsërit mijëra herë që luftimi i krimit dhe korrupsionit është kusht për liberalizim vizash kjo nuk është marr parasysh, gjë që ka shkaktuar ngecje të zhvillimit ekonomik dhe hezitimin e investitorëve të huaj.

Njohësit e rrethanave ekonomike vlerësojnë se Kosovës i duhet një legjislacion më fleksibil.

Por që diçka ka nisur në këtë drejtim.

Është Ligji për Investime Strategjike që është jetësuar këtë vit nga Qeveria e Kosovës, e që investitori i huaj gëzon status të veçantë.

Në ligj janë disa parakushte që duhet të plotësohen. Ai që investon mbi 30 milionë euro gëzon këtë status dhe shteti ka për detyrë që t’ia sigurojë pronën, infrastrukturën: rrymën, ujin dhe asfaltin. Po ashtu ky ligj parasheh zero taks për ata që bien në Kosovë makineri prodhuese.

Janë një varg lehtësirash që janë bërë, por që duhet më shumë lobim nga politika për t’i bindur këta investitorë që Kosovë është një vend që ia vlen të derdhet kapitali.

Defekti mund të shihet në politikat ditore e që humbin energjinë kryesore të qeverisë dhe nuk arrin të merret më shumë me zhvillimin ekonomik të vendit.

Në vitin 2009, pastaj nga viti 2012 e deri në dhjetor të 2017-ës, Kosova gjatë kësaj periudhe 7 vjeçare pësoi rënien më të madhe të investimeve. Problem tjetër ishin edhe zgjedhjet e parakohshme, që ngecën zhvillimin ekonomik.

Ndër sektorët të cilët kanë nevojë për investime janë: në Miniera, Bujqësi, Industri, në Transport dhe Komunikim, Inovacion dhe Teknologji.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme